Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Vraponi pra, drejt gjithçkaje që është mirësi
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Vraponi pra, drejt gjithçkaje që është mirësi.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar në dhjetëra ajete Kuranore kur e përmend imanin (besimin) gjithmonë e përmend edhe punën e mirë, që nënkupton se për besimtarin nuk është e mjaftueshme vetëm të besojë, mirëpo duhet që besimit të ia bashkëngjitë edhe punët e mira, qofshin ata të zemrës sikurse: dashurinë, mëshirën, tolerancën, zemërgjerësinë, humanitetin dhe të ngjashme, qofshin edhe veprat e gjymtyrëve sikurse: fjala e mirë, këshilla, ndihma, sjellja e mirë dhe të ngjashme.
Veprat e mira janë të dashura dhe të shpërblyera nga ana e Allahut të Madhëruar me mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër.
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً ۖ وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim
e jetesë sipas Ligjit të Allahut) dhe (në Botën Tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar. (Kuran 16, 97)
Pra, ajeti kuranor na bën me dije se, për veprimin e veprave të mira Allahu i Madhëruar do të na shpërblej me mirësi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Mirëpo shpërblimi i veprave të mira është edhe shumë më i madh në këtë muaj për dallim nga muajt tjerë. Për këtë dëshmon hadithi i Pejgamberit alejhi selam ku thotë:
عَنْ ابْنِ عَبَّاسٍ قَالَ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَجْوَدَ النَّاسِ وَكَانَ أَجْوَدُ مَا يَكُونُ فِي رَمَضَانَ حِينَ يَلْقَاهُ جِبْرِيلُ
Ibn Abasi, tregon dhe thotë: ”Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ishte njeriu më dorëdhënë. Ndërsa në ramazan, për çdo natë kur takohej me Xhibrilin për përsëritje të Kuranit ishte akoma edhe më dorëdhënë…” (Transmeton Buhariu)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, dy javët e para të Ramazanit vetëm se gati kaluan. Ashtu si kaluan këto dy javë shumë shpejt njejt do të kalojnë edhe dy javët e mbetura, për atë të vrapojmë në këto ditë të mbetura të këtij muaji të bekuar pas punëve të mira, që të fitojmë mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër, pra tash është koha për vrapimin pas punëve të mira.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, të na mundësoi neve, fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman të veprojmë sa më shumë vepra të mira në këto ditë të bekuara të mbetura të këtij muaji të bekuar të Ramazanit si dhe të na pranojë ato. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun