Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Vajtimi për të vdekurit
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Vajtimi për të vdekurit.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, padyshim që vdekja është nga sprovat më të vështira për njeriun, pasi e humb të afërmin dhe të dashurin që është e sigurt se në jetën e kësaj bote nuk do ta sheh më.
Mirëpo edhe përkundër vështirësisë së sprovës së vdekjes së të afërmit, ne përsëri duhet të sillemi konform mësimeve të fesë së Allahut të Madhëruar.
Nga sjelljet që duhet ti kemi parasysh gjatë vdekjes, është edhe të ndaluarit e prerë e vajtimit, goditjes së fytyrës ose pjesëve të tjera të trupit tonë, shqyerjes së teshave, shkulitjes së flokëve dhe veprave tjera të ngjashme.
Nëse dikush vajton në rast të vdekjes, le ta dijë se me këtë vepër e fut veten dhe personin e vdekur në dënimit nga Allahu i Madhëruar.
Për këtë Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم قَالَ " إِنَّ الْمَيِّتَ يُعَذَّبُ بِبُكَاءِ أَهْلِهِ عَلَيْهِ
"I vdekuri dënohet në varr për shkak të vajtimit për të." (Transmeton Muslimi)
Që ta kuptojmë ne se me sa vështërsi do të ballafaqohet personi i cili ka vajtuar, më së miri na sqaron hadithi i Pejgamberit alejhi selam ku thotë:
النَّائِحَةُ إِذَا لَمْ تَتُبْ قَبْلَ مَوْتِهَا، تُقَامُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَعَلَيْهَا سِرْبَالٌ مِنْ قَطِرَانٍ، وَدِرْعٌ مِنْ جَرَبٍ
“Vajtuesja nëse nuk pendohet para vdekjes, në Ditën e Gjykimit do të ketë rroba prej katranit dhe këmishë prej xherebit (sëmundje e cila e kap trupin dhe e lë me pasoja) “. (Transmeton Muslimi)
Që të na bëhet më e qartë serioziteti dhe përgjegjësia jonë në këtë çështje, duhet ta dimë se Pejgamberi alejhi selam nëse dëgjonte se vajtohet dikund ai e dërgonte ndonjërin nga sahabët dhe insistonte deri në fund që të ndalojnë së vajtuari.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, fatkeqësisht në mesin e popullit tonë, diçka e tillë është prezentë sidomos vajtimi me fjalë. Për atë e kemi obligim çdo njëri prej nesh ti ndaloi familjarët e tij në raste të tilla.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e tij e të bukur dhe cilësitë e tija të larta të na ndihmoi neve, fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman që të ndalojmë nga vajtimi me të gjitha format e tij.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun