Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Uzurpimi i tokës

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
20 nën 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Uzurpimi i tokës.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga veprat shumë të urryera dhe të ndaluara rreptësishtë nga ana e Allahut të Madhëruar, që kanë pasoja marramendëse në jetën e dynjasë dhe të ahiretit, është edhe uzurpimi i tokës, pra ta përvetësosh një tokë për veten tënde me të padrejtë.

Që të trishtohemi nga uzurpimi i tokës, madje të mundohemi që as mendja të mos na shkojë për diçka të tillë, unë do të trajtoj së bashku me ju një hadith, nëpërmjet të cilit do të kujtojmë vetëm një pjesë të pasojave të këtij mëkati shkatërrues në këtë botë dhe në botën tjetër, që të marrim mësim dhe të heqim dorë nga një vepër e tillë.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ سَعِيدِ بْنِ زَيْدِ بْنِ عَمْرِو بْنِ نُفَيْلٍ، أَنَّ أَرْوَى خَاصَمَتْهُ فِي بَعْضِ دَارِهِ، فَقَالَ: دَعُوهَا وَإِيَّاهَا، فَإِنِّي سَمِعْتُ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ: «مَنْ أَخَذَ شِبْرًا مِنَ الْأَرْضِ بِغَيْرِ حَقِّهِ، طُوِّقَهُ فِي سَبْعِ أَرَضِينَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ». اللَّهُمَّ، إِنْ كَانَتْ كَاذِبَةً، فَأَعْمِ بَصَرَهَا، وَاجْعَلْ قَبْرَهَا فِي دَارِهَا. قَالَ: فَرَأَيْتُهَا عَمْيَاءَ تَلْتَمِسُ الْجُدُرَ، تَقُولُ: أَصَابَتْنِي دَعْوَةُ سَعِيدِ بْنِ زَيْدٍ. فَبَيْنَمَا هِيَ تَمْشِي فِي الدَّارِ، مَرَّتْ عَلَى بِئْرٍ فِي الدَّارِ، فَوَقَعَتْ فِيهَا، فَكَانَتْ قَبْرَهَا.

Transmetohet nga Seid ibn Zejdi, biri i Amrit, biri i Nufejlit, se një grua me emrin Erva kishte ngritur një ankesë kundër tij, duke pretenduar se ai i kishte marrë një pjesë të pronës së saj. Seidi tha: “Lëreni atë dhe pjesën e pronës që ajo kërkon, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam duke thënë: ‘Kush merr padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, në Ditën e Kiametit ajo do t’i vendoset rreth qafës si një qafore prej shtatë tokave.’ Pastaj Seidi u lut: “O Allah! Nëse ajo gënjen, verboja shikimin dhe bëje varrin e saj në pronën e saj!” Transmetuesi thotë: “E kam parë atë të verbër, duke prekur muret për të gjetur rrugën. Ajo thoshte: ‘Më ka goditur lutja e Seid ibn Zejdit!’ Një ditë, ndërsa po ecte nëpër pronën e saj, kaloi pranë një pusi që gjendej aty, ra brenda tij dhe ai pus u bë varri i saj.” (Sahih Muslim)

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, pasoja të uzurpimit të tokës ka shumë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ndër to, uzurpimi i tokës mund të shkaktojë armiqësi, prishje të marrëdhënieve familjare dhe fqinjësore, si dhe ta vërë uzurpuesin përballë lutjes së atij që i është bërë padrejtësi.

Ndërsa në botën tjetër, përveç dënimit të rëndë të përmendur në hadith, padrejtësia do të jetë errësirë për atë që e ka bërë. Uzurpuesi rrezikon t’i humbasë veprat e mira, e madje të ngarkohet edhe me mëkatet e atyre që i ka dëmtuar. Prandaj, kush ka përvetësuar tokën e dikujt padrejtësisht, le të pendohet dhe t’ia kthejë pronarit sa nuk është vonë, sepse vetëm pendimi nuk mjafton pa ia kthyer të drejtën atij që i është shkelur.

E lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mbrojë neve, fëmijët tanë dhe mbarë njerëzit e botës nga uzurpimi i tokave. Ndërsa atyre që kanë uzurpuar toka, Allahu ua mundësoftë të pendohen sinqerisht, t’ua kthejnë tokat pronarëve të tyre dhe, përmes pendimit dhe përmirësimit të veprave, të arrijnë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
19446

Character Limit 400