Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Ta çojmë Kur’anin në çdo zemër dhe në çdo shtëpi shqiptare
BismiLahirrahmanirrahim.
Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas a.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!
Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Ta çojmë Kur’anin në çdo zemër dhe në çdo shtëpi shqiptare.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, besimtari më i dashur dhe më i shpërblyer tek Allahu i Madhëruar është ai i cili vepron vepra të mira. Të tillëve Allahu i Madhëruar do t’u japë jetë të mirë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të kenë aq shumë shpërblime, saqë syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e njeriut nuk mund t’i paramendojë.
Nga veprat e mira që janë shumë të dashura dhe të shpërblyera nga Allahu i Madhëruar është edhe sadakaja (lëmosha). Ndërsa lëmosha më e mirë është ajo e cila i ka dy shpërblime: edhe lëmoshë, edhe përhapje të dijes.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
وَعَنْ أَبِي هُرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: قاَلَ رَسُلُ اللَّهِ ﷺ: إِذاَ ماَتَ ابْنُ آدَمَ انْقَطَعَ عَمَلُهُ إِلاَّ مِنْ ثَلاَثٍ: صَدَقةٍ جاَرِيَةٍ, أَوْعَلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ, أَوْ وَلَدٍ صاَلِحٍ يَدْ عُو لَهُ.
Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Kur biri i Ademit vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç tri gjërave: një sadakaje të vazhdueshme, një dijeje prej së cilës përfitohet, ose një fëmije të mirë që lutet për të.” (Transmeton Muslimi)
Një projekt të tillë, ku ka sadaka rrjedhëse dhe përhapje të dijes më të mirë, asaj islame, organizon Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër: botimin e përkthimit të Kur’anit në shqip nga Sherif Ahmeti, pastaj shpërndarjen e tij te popullata jonë shqiptare.
Është një nevojë shumë e madhe, sidomos sot, kur me të madhe kërkohet përkthimi i Kur’anit Famëlartë në gjuhën shqipe. Me vështirësi gjendet në treg dhe, si pasojë, botohen përkthime të Kur’anit Famëlartë në shqip pa tekstin origjinal, atë arabisht, pa kontrolle të mirëfillta të kuptimit dhe kualitetit të përkthimit të Kur’anit Famëlartë.
Për këtë arsye, Komuniteti Musliman Shqiptar, pas suksesit të Allahut të Madhëruar dhe pastaj mbështetjes suaj, InshaAllah do të plotësojë një nevojë shumë reale të shqiptarëve, ku, inshaAllah, çdo shtëpi shqiptare, më së paku, do ta ketë një Kur’an në gjuhën shqipe, ku do ta mësojë fenë e Allahut të Madhëruar dhe do ta kultivojë gjuhën e tij, atë shqipe.
Ky projekt organizohet në këtë formë: ne kemi fotokopjuar formularë të përgatitur nga Komuniteti Musliman Shqiptar, të cilët do t’i shpërndajmë pas namazit. Në ato formularë plotësoni të dhënat e kërkuara dhe, bashkë me paratë, i sillni në xhami, ose i paguani me TWINT dhe aty i plotësoni të dhënat e parashtruara.
Për çdo donacion të Kur’anave një pjesë prej tyre i merrni ju dhe i shpërndani si të doni ju, ndërsa pjesën tjetër e shpërndan xhamia. Mundësitë e pagesës janë: 100 franga, 500 franga dhe 1000 franga.
Mundësia e donacionit është deri ditën e diel, me datë 11.10.2026. Pra, ose bëjeni donacionin me TWINT, ose me para kesh këtu në xhami. Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, mos e lejoni që t’ju ikë kjo mundësi, sepse vërtet Allahu, nëpërmjet saj, jep shumë mirësi dhe është mundësi e rrallë. Allahu e di se kur do të vijë edhe një herë kjo mundësi. Dononi për vetet tuaja, familjet tuaja, prindërit tuaj, qofshin ata të gjallë apo të vdekur.
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na bëjë neve, fëmijët tanë dhe të gjithë besimtarëve zemrat e buta dhe të shpenzojmë në rrugën e Allahut nga ajo që na ka furnizuar Allahu e Madhëruar. O Allah, na mundëso të shpenzojmë sa më shumë për përhapjen e fjalës Tënde në gjuhën tonë shqipe. Amin!
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
