Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Shkëmbimi i arit me ar
BismiLahirrahmanirrahim.
Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!
Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Shkëmbimi i arit me ar.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, pasi ende jemi duke trajtuar tema nga kapitulli i tregtisë dhe shitblerjes, sot do të ndalemi përsëri te një çështje që ka të bëjë me kamatën.
Në një nga hutbet e mëparshme kemi folur për ndalimin e rreptë të kamatës dhe pasojat e saj në këtë botë dhe në botën tjetër. Kemi përmendur se kamata është shkak për mallkimin e Allahut të Madhëruar, se marrja e saj është sikur t’i shpallësh luftë Allahut të Madhëruar, si dhe pasoja të tjera të rënda që sjell ajo.
Ndërsa sot do të ndalemi te një formë tjetër e kamatës, e cila ndoshta nuk është shumë e njohur te popullata jonë dhe që disa e praktikojnë edhe nga padituria. Fjala është për shkëmbimin e arit me ar, por me peshë të ndryshme, si dhe për shkëmbimin e disa mallrave të tjera të të njëjtit lloj, por me sasi të ndryshme.
Transmetohet nga Ubade ibn Samiti (r.a.) se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë:
عَنْ عُبَادَةَ بْنِ الصَّامِتِ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ، قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «الذَّهَبُ بِالذَّهَبِ، وَالْفِضَّةُ بِالْفِضَّةِ، وَالْبُرُّ بِالْبُرِّ، وَالشَّعِيرُ بِالشَّعِيرِ، وَالتَّمْرُ بِالتَّمْرِ، وَالْمِلْحُ بِالْمِلْحِ، مِثْلًا بِمِثْلٍ، سَوَاءً بِسَوَاءٍ، يَدًا بِيَدٍ، فَإِذَا اخْتَلَفَتْ هَذِهِ الْأَصْنَافُ، فَبِيعُوا كَيْفَ شِئْتُمْ، إِذَا كَانَ يَدًا بِيَدٍ».
“Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurma dhe kripa me kripë, duhet të shkëmbehen në sasi të barabartë, njësoj me njëra-tjetrën dhe dorë më dorë. Ndërsa nëse këto lloje janë të ndryshme, atëherë shkëmbejini si të dëshironi, me kusht që shkëmbimi të bëhet dorë më dorë.” (Transmeton Muslimi)
Nga ky hadith kuptojmë se kur shkëmbehet ari me ar, duhet të plotësohen dy kushte:
1. Të jenë të barabartë në peshë.
2. Shkëmbimi të bëhet në të njëjtin takim, dorë më dorë.
Për shembull, nuk lejohet që dikush të japë 10 gramë ar të vjetër dhe të marrë në këmbim 8 gramë ar të ri, duke e arsyetuar dallimin me cilësinë ose punimin e arit, sepse kjo është kamatë.
Mirëpo, nëse dëshironi ta ndërroni arin e vjetër me ar të ri, atëherë shiteni arin e vjetër, merrni paratë dhe pastaj blini arin e ri.
Ky rregull vlen edhe për mallra të tjera që i nënshtrohen këtij parimi. Për shembull, kur shkëmbehen mollë me mollë, të cilat maten me peshë, nuk lejohet dallimi në peshë. Ndërsa nëse shkëmbehen dy lloje të ndryshme mallrash, si për shembull mollë me dardha, atëherë lejohet dallimi në peshë, me kusht që shkëmbimi të bëhet dorë më dorë.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na ruajë ne, t’i ruajë fëmijët tanë dhe mbarë besimtarët myslimanë nga çdo lloj kamate. Amin!
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
