Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Prindërit, fëmijët dhe interesi
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Prindërit, fëmijët dhe interesi.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nëse analizojmë sot gjendjen e muslimanëve sa i përket raportit të prindërve me fëmijët e tyre, në lidhje me sjelljen e njërit ndaj tjetrit fatkeqësisht nuk është në nivelin e kënaqshëm. Afërsisht në shumë takimet tona kur qëndrojmë me prindërit shpesh dëgjojmë pakënaqësi të prindërve nga fëmijët e tyre, poashtu kur qëndrojmë me të rinjtë edhe ata ndodh shpesh ankohen kundrejt prindërve të tyre.
Këto probleme dhe ankesa në vijë të parë vijnë si pasojë e mosplotësimit të obligimeve të prindërve ndaj fëmijëve të tyre, padyshim ka edhe faktorë tjerë, por faktori kryesorë janë prindërit.
Nëse prindërit i kryejnë obligimet e tyre ndaj fëmijëve të tyre padyshim që ne do të jemi në gjendje shumë më të mirë.
Obligimet e prindërve ndaj fëmijëve të tyre janë:
- Të kujdesen për jetën dhe shëndetin e tyre;
- T’ua mësojnë parimet kryesore të fesë islame;
- Ti edukojnë me edukatë islame;
- Të kujdesen për shkollimin e fëmijëve të tyre;
- Ti emërojnë me emër musliman (pra emër i cili ka kuptim të mirë).
Unë do të ndalem pak te obligime i dytë dhe i tretë.
2. Nëse ne ua mësojmë fëmijëve fenë si duhet dhe e praktikojmë atë në shtëpitë tona, gjendja jonë do të ishte shumë më e mirë se e tanishmja;
3. Poashtu edhe nëse i edukojmë ata si duhet në të tri çështjet me të cilat na mëson feja islame gjendja jonë do të ishte shumë më e mirë se e tashmja.
Tri çështjet janë: zemra, gjymtyrët dhe gjuha.
a. Zemra;
Zemrën duhet t’ua mbushim atyre me dashuri, dhembshuri, mëshirë falje dhe të ngjashme, poashtu t’ua mbrojmë zemrat e tyre nga sëmundjet e zemrave sikurse: inati, xhelozia, hakmarrja, mendjemadhësia dhe të ngjashme;
b. Gjymtyrët;
Gjymtyrët e tyre duke i edukuar të bëjnë vepra të mira dhe të largohen nga veprat e liga;
c. Gjuha;
Gjuhën e tyre t’ua edukojmë që të flet mirë dhe të mos flasë keq, atëherë padyshim do të jemi në gjendje fantastike si familje dhe shoqëri muslimane.
Mirëpo sot fatkeqësisht prindërit janë të preokupuar që fëmijëve të tyre t’ju sigurojnë pasuri sa më shumë, duke mos ia dhënë hakun fesë dhe edukimit për atë jemi në gjendje të rëndë familjare dhe shoqërore.
Poashtu Allahu i Madhëruar edhe fëmijët i ka obliguar me dy obligime:
1. Ti duan prindërit e tyre;
2. Ti respektojnë prindërit e tyre.
Mirëpo sot fatkeqësisht edhe fëmijët duke i dhënë përparësi pasurisë dhe kënaqësive të kësaj bote, ata largohen dhe nuk jetojnë me prindërit e tyre! Ata paktën duhet të jetojnë afër tyre që darka dhe kafeja të konsumohen bashk.
Ndërsa më e keqja e krejt kësaj është se kur prindërit bëhen pleq fëmijët nuk kujdesen për ta, padyshim nëse vazhdojmë në këtë formë, edhe më tepër do të rëndohet gjendja jonë familjare dhe shoqërore.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ta ndryshojmë këtë gjendje, të kthehemi prindër dhe fëmijë, ti kryejmë obligimet tona që të ndryshohet gjendja jonë dhe të jetë e lavdëruar.
Duhet ta dimë se nëse ne nuk e ndryshojmë vet këtë gjendje Allahu i Madhëruar nuk e ndryshon atë vet Ai.
Allahu i Madhëruar per këtë çështje thotë:
إِنَّ اللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنفُسِهِمْ ۗ
"Sigurisht që Allahu nuk Do të ndryshojë (për mirë) gjendjen e një populli (që bën gjynahe, që Është mosmirënjohës e i pabindur ndaj Allahut) përderisa ata vetë Ta ndryshojnë atë për mirë (duke ndryshuar shpirtin e tyre dhe Punët e tyre)." (Kuran 13, 11)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, duke na tërhequr vërejtjen Allahu xh.sh që mos të na mashtroj interesi i dunjasë që ti lejmë obligimet tona ndaj fëmijëve, dhe fëmijët ndaj prindërve të vet Allahu i Madhëruar thotë kështu:
إِنَّا جَعَلْنَا مَا عَلَى الْأَرْضِ زِينَةً لَّهَا لِنَبْلُوَهُمْ أَيُّهُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا
"Vërtet që Ne e kemi bërë çfarë është në tokë si stoli për të, me qëllim që Ne të mund të provojmë ata (njerëzit), se cilët prej tyre janë më të mirët në drejtim e veprime." (Kuran 18, 7)
Pra vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, le të kthehemi ti kryejmë obligimet tona, si prindër ndaj fëmijëve poashtu si fëmijë ndaj prindërve, të kënaqemi me kënaqësitë e dunjasë konform udhëzimeve të Allahut të Madhëruar që të ndryshohet gjendja jonë në më të mirë.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, të na ndihmojë neve dhe mbarë besimtarëve musliman që të përmirësohet gjendja jonë familjare dhe shoqërore në të gjitha aspektet e jetës sonë. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun