Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Planifikimi familjar

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
01 maj 2026

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Planifikimi familjar.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, me planifikim familjar si koncept social, në të shumtën e rasteve nënkuptojmë kontrollimin e lindjeve nga frika e shtimit të madh të njerëzve dhe mungesës së ushqimit dhe mirëqenies për gjithë njerëzimin. Në Islam, diçka e tillë është haram (e ndaluar rreptësishtë) për shumë arsye. Një prej tyre, që na mjafton për ta kuptuar, është fakti se një gjë të tillë e vepronin mekasët.

Atyre, kur u lindte vajzë, e varrosnin të gjallë nga frika se nuk do të kishin mundësi ta ushqenin. Një veprim të tillë Allahu i Madhëruar e ndaloi dhe u tha se furnizimi për mbarë njerëzimin është i siguruar nga Ai, dhe se njerëzit nuk kanë të drejtë të mos lindin nga frika për ushqimin dhe mirëqenien e tyre.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَا تَقْتُلُوا أَوْلَادَكُمْ خَشْيَةَ إِمْلَاقٍ ۖ نَّحْنُ نَرْزُقُهُمْ وَإِيَّاكُمْ ۚ إِنَّ قَتْلَهُمْ كَانَ خِطْئًا كَبِيرًا

Dhe mos i vritni fëmijët nga frika e varfërisë. Ne sjellim furnizim për ata dhe për ju. Me të vërtetë që vrasja e tyre është krim, vërtet gjynah i madh. (Kuran 17, 31)

Mirëpo, planifikimi familjar për arsye të lejuara, në bazë të mësimeve të Allahut të Madhëruar, siç janë arsyet shëndetësore të gruas, vështirësia e edukimit të fëmijëve nëse janë të shpeshtë, përfundimi i studimeve dhe të ngjashme me to, me pajtimin e gruas, është i lejuar.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ جَابِرِ بْنِ عَبْدِ اللَّهِ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمَا أَنَّهُ قَالَ: كُنَّا نَعْزِلُ عَلَىٰ عَهْدِ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَبَلَغَ ذَٰلِكَ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَلَمْ يَنْهَنَا.

Nga Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) transmetohet se ka thënë: “Ne praktikonim ‘azl-in (tërheqjen gjatë marrëdhënies bashkëshortore) në kohën e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Kjo i arriti si lajm të Dërguarit të Allahut, por ai nuk na ndaloi.”

Mirëpo, sterilizimi i plotë (ndërhyrje për pengimin përfundimtar të lindjes, qoftë për mashkullin ose femrën) është haram (rreptësishtë i ndaluar).

Duhet ta dimë se ne, si muslimanë, duhet ta praktikojmë porosinë e Pejgamberit alejhi selam, që të lindim sa më shumë fëmijë, t’i edukojmë dhe të punojmë për mirëqenien e tyre. Nëse ne veprojmë kështu, Allahu i Madhëruar, me gjuhën e Pejgamberit alejhi selam na ka siguruar se Ai do të na japë sukses në edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë, edhe pse neve ndoshta na duket e vështirë të sigurohet edukimi dhe mirëqenia e tyre kur janë në numër më të madh.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ أَنَسٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَأْمُرُنَا بِالْبَاءَةِ، وَيَنْهَانَا عَنِ التَّبَتُّلِ نَهْيًا شَدِيدًا، وَيَقُولُ: «تَزَوَّجُوا الْوَلُودَ الْوَدُودَ؛ فَإِنِّي مُكَاثِرٌ بِكُمُ الْأُمَمَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ».

Nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na urdhëronte për martesë (apo për aftësinë për martesë), dhe na ndalonte nga beqaria e përhershme (braktisja e martesës) me një ndalim të fortë, dhe thoshte: ‘Martohuni me gratë që lindin shumë dhe janë të dashura (të dashura ndaj burrave të tyre), sepse unë do të krenohem me ju para popujve në Ditën e Kiametit.”

Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, ta shtojë numrin e muslimanëve anembanë botës me lindjen e sa më shumë fëmijëve muslimanë. Amin.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
29943

Character Limit 400