Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Përparësia në shpenzim

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
01 gush 2025

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Përparësia në shpenzim.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, feja islame ka vendosur një sistem shumë të mrekullueshëm për menaxhimin e varfërisë, ku falë këtij sistemi nëse respektohet siç duhet, nuk ngelet njeri i varfër nga muslimanët në faqe të tokës.

Këtë sistem e sqaron hadithi i Pejgamberit alejhi selam ku thotë:

عَنْ أَبِي الزُّبَيْرِ، عَنْ جَابِرٍ، قَالَ: أَعْتَقَ رَجُلٌ مِنْ بَنِي عُذْرَةَ عَبْدًا لَهُ عَنْ دُبُرٍ، فَبَلَغَ ذَلِكَ رَسُولَ اللهِ ﷺ فَقَالَ: أَلَكَ مَالٌ غَيْرُهُ؟ فَقَالَ: لَا، فَقَالَ: مَنْ يَشْتَرِيهِ مِنِّي؟ فَاشْتَرَاهُ نُعَيْمُ بْنُ عبداللهِ الْعَدَوِيُّ بِثَمَانِ مِائَةِ دِرْهَمٍ، فَجَاءَ بِهَا رَسُولَ اللهِ ﷺ فَدَفَعَهَا إِلَيْهِ، ثُمَّ قَالَ: ابْدَأْ بِنَفْسِكَ فَتَصَدَّقْ عَلَيْهَا، فَإِنْ فَضَلَ شَيْءٌ فَلِأَهْلِكَ، فَإِنْ فَضَلَ عَنْ أَهْلِكَ شَيْءٌ فَلِذِي قَرَابَتِكَ، فَإِنْ فَضَلَ عَنْ ذِي قَرَابَتِكَ شَيْءٌ فَهَكَذَا وَهَكَذَا يَقُولُ: فَبَيْنَ يَدَيْكَ وَعَنْ يَمِينِكَ وَعَنْ شِمَالِكَ

“Një burrë nga fisi Benu Udhre liroi një skllav të tij pas vdekjes së tij (me kusht që të lirohej pas vdekjes së tij). Kjo çështje arriti tek i Dërguari i Allahut , dhe ai e pyeti: ‘A ke ndonjë pasuri tjetër përveç tij?’ Tha: ‘Jo.’ Atëherë i Dërguari i Allahut tha: ‘Kush do ta blejë prej meje këtë skllav?’ Atëherë, Nuajm ibn Abdullah el-‘Adevi e bleu për tetëqind dirhemë, dhe ia solli të Dërguarit të Allahut , i cili ia dha ato (paratë) burrit. Pastaj tha: ‘Fillo me veten tënde dhe jep lëmoshë për të, e nëse të tepron diçka, atëherë (jep) për familjen tënde; e nëse të tepron nga familja jote, atëherë (jep) për të afërmit e tu; e nëse të tepron nga të afërmit, atëherë kështu dhe kështu (duke bërë shenjë) para teje, në të djathtë dhe në të majtë.” (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi na bën të qartë se një burrë nga fisi Benu Udhre dëshironte të veprojë një vepër të mirë, pra ta liroi skllavin që e kishte, mirëpo pas vdekjes së tij sepse vetë ishte i nevojshëm për të, pra vetë ishte i varfër. Kur e kuptoi këtë Pejgamberi alejhi selam ai nuk e la të realizohet diçka e tillë, mirëpo kërkoi nga dikush që ta blinte atë rob dhe paratë t‘ia jep burrit nga Benu Udhre. E bleu skllavin Nuajm ibn Abdullah el-‘Adevi dhe paratë e skllavit iu dhanë burrit nga fisi Benu Udhre për nevojat e tij ndërsa skllavi u lirua nga skllavëria.

Atëherë Pejgamberi alejhi selam e vendosi sistemin e mrekullueshëm për mospasjen varfëri te muslimanët duke thënë: „Fillo me veten tënde dhe jep lëmoshë për të, e nëse të tepron diçka, atëherë (jep) për familjen tënde; e nëse të tepron nga familja jote, atëherë (jep) për të afërmit e tu; e nëse të tepron nga të afërmit, atëherë kështu dhe kështu (duke bërë shenjë) para teje, në të djathtë dhe në të majtë“. Pra çdonjëri prej nesh zekatin, fitrat dhe sadakat e ndryshme duhet ti jep tek të afërmit e tij, përveç atyre ndaj të cilëve ka obligim financimin e tyre që janë: prindërit dhe gjyshërit poashtu gruan dhe fëmijët e tij. Nëse ne çdonjëri zekatin, fitrat dhe sadakat e ndryshme i japim tek rrethi jonë, atëherë nuk do të ngelet asnjë i varfër nga muslimanet, sepse çdo familje e ngusht ka të pasur dhe të varfër, kur të pasurit t‘ju ndihmojnë të varfërve nuk do ngelet asnjë i varfër.

Poashtu dobi të tjera nga ky sistem i mrekullueshëm për menaxhimin e varfërisë është edhe ajo se të varfëritë do të jenë krenar sepse nuk do të dallohen se janë të varfër për arsye se kushtet elementare të jetës i kanë. Poashtu nuk do të kenë nevojë të dalin nëpër televizorë dhe rrjetet sociale të varfëritë, ku ngushtohen për integritetin e tyre. Ky sistem i mrekullueshëm i menaxhimit të varfërisë ka edhe shumë dobi të tjera të kësaj bote dhe botës tjetër.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na jep neve, fëmijëve tonë dhe mbar besimtarëve musliman pasuri të bollshme, ta menaxhojmë atë në baza të mësimeve islame dhe ta fitojmë nëpër mes saj kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
39865

Character Limit 400