Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Përhapja e sekreteve të bashkëshortëve
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Përhapja e sekreteve të bashkëshortëve.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, sa i përket përhapjes së sekreteve në mes bashkëshortëve.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ أَبِي سَعِيدٍ الْخُدْرِيِّ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: إِنَّ شَرَّ النَّاسِ عِنْدَ اللَّهِ مَنْزِلَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ: الرَّجُلُ يُفْضِي إِلَى امْرَأَتِهِ، وَتُفْضِي إِلَيْهِ، ثُمَّ يَنْشُرُ سِرَّهَا.
Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu se ka thënë: I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Me të vërtetë, ndër njerëzit më të këqij në pozitë tek Allahu në Ditën e Kiametit është ai burrë që afrohet (intimisht) me gruan e tij dhe ajo afrohet me të, e pastaj ai i përhap sekretet e saj.” (Transmeton Muslimi)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, hadithi na bën të qartë se nga veprat që e bëjnë njeriun më të keq, ia japin pozitën më të ulët dhe do të ketë përgjegjësi shumë të madhe para Allahut të Madhëruar në Ditën e Gjykimit, do të jetë ai burrë i cili bën marrëdhënie me gruan e tij e pastaj përhap sekretet e gruas së tij të marrëdhënieve intime. Njëjtë këtë pozitë të keqe dhe të ulët e ka edhe gruaja e cila i përhap sekretet e burrit të saj të marrëdhënieve intime.
Edhe pse në hadith përmendet mospërhapja e sekreteve të marrëdhënieve intime, pra duke përmendur gjestet e saj, ose ato të burrit të saj, apo duke zbuluar të metat e trupit të njëri-tjetrit, nuk nënkuptohet me përhapjen e sekreteve vetëm ajo që ka të bëjë me marrëdhëniet intime. Mirëpo, në bazë të teksteve të tjera (Kuranore dhe haditheve), është rreptësishtë e ndaluar dhe shumë e keqe te Allahu i Madhëruar në Ditën e Gjykimit edhe përhapja e sekreteve të tjera të burrit nga ana e gruas dhe e kundërta, sepse Allahu i Madhëruar e quan martesën në Kuran besëlidhje. Pra, nga kuptimi i besës së martesës mes burrit dhe gruas është edhe mos përhapja e asnjë sekreti të njëri-tjetrit.
Allahu i Madhëruar thotë:
وَكَيْفَ تَأْخُذُونَهُ وَقَدْ أَفْضَىٰ بَعْضُكُمْ إِلَىٰ بَعْضٍ وَأَخَذْنَ مِنكُم مِّيثَاقًا غَلِيظًا
„Dhe si do t’ia merrni asaj prapë atë (që i keni dhënë), ndërkohë që ju aq shumë jeni bashkuar në njëri-tjetrin, aq shumë i keni hapur gjoksin njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë ato kanë marrë prej Jush besë të fortë e të shenjtë?“ (Kuran 4, 21)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, dua ta këshilloj veten edhe juve me diçka në lidhje me temën tonë, e cila fatkeqësisht është e përhapur në shoqëritë muslimane. Kjo është një sjellje shumë e ulët, e fëlliqur dhe shumë e dënueshme nga Allahu i Madhëruar përhapja e sekreteve të burrit dhe gruas pas ndarjes së tyre, nëse nuk ka ecur lidhja. Fatkeqësisht, do t’i shohësh vetë burrin dhe gruan, por edhe familjet e tyre qoftë nënat, baballarët, motrat e tyre dhe të tjerët duke përhapur gjithçka për njëri-tjetrin, bile shpesh edhe duke shpifur çështje që nuk kanë qenë aspak të vërteta. Të tillët le t’i frikësohen Allahut të Madhëruar, sepse nëse veprojnë diçka të tillë, ata janë të mallkuar nga ana e Allahut të Madhëruar.
Mirëpo, nëse nuk i përhapim sekretet e burrit dhe gruas, si dhe sekretet e tjera, kjo është nga veprat shumë të mira, të dashura dhe të shpërblyera nga ana e Allahut të Madhëruar. Një nga shpërblimet e ruajtjes së sekreteve është edhe ajo se ai i cili ia fsheh një sekret dikujt, Allahu i Madhëruar do t’ia fshehë një sekret atij në këtë botë dhe një në botën tjetër.
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na bëjë neve, fëmijët tanë dhe mbarë besimtarët muslimanë, nga ata të cilët mbajnë dhe mbulojnë sekretet në mes bashkëshortëve dhe të gjitha sekretet e tjera në mes nesh. Amin.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
