Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Pengu në Islam, dispozitat dhe urtësitë e tij

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
06 nën 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Pengu në Islam, dispozitat dhe urtësitë e tij.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! Allahu i Madhëruar na urdhëron që t’i ruajmë të drejtat e njëri-tjetrit. Pra, nuk guxojmë në asnjë mënyrë t’ia shkelim të drejtën dikujt tjetër në mënyrë të paligjshme. Nëse dikush ia shkel të drejtën dikujt tjetër, nuk mjafton vetëm të kërkojë falje nga Allahu i Madhëruar, por duhet edhe t’ia kthejë të drejtën atij që ia ka shkelur ose të kërkojë falje (hallallëk) prej tij.

Që të ruhen të drejtat e njerëzve mes tyre, Allahu i Madhëruar i ka rregulluar ato në disa forma. Njëra prej tyre është edhe Er-rehnu (pengu). Pengu në aspektin gjuhësor: Do të thotë mbajtje ose ndalim.

Në terminologjinë e fesë islame: Është mbajtja e një sendi si garanci për një të drejtë (detyrim), e cila mund të përmbushet përmes atij sendi.

Pra, nëse unë i jap dikujt borxh ose i shes diçka me afat të caktuar, që të jem më i sigurt në kthimin e borxhit ose pagesën e sendit të shitur, unë kërkoj nga ai që të lërë tek unë një send si garanci, ose të pajtohemi bashkë që ta lëmë atë send te një person i tretë, që shërben si garanci. Pra, nëse nuk kthehet borxhi ose nuk paguhet sendi i blerë, atëherë sendi i lënë peng mund të shitet, në bazë të mësimeve islame, dhe me paratë e fituara të paguhet borxhi ose sendi i blerë.

Ligjshmëria e pengut vjen edhe në Kuranin Famëlartë, edhe në hadithet e Pejgamberit alejhi selam, ndërsa ne do të mjaftohemi vetëm me përmendjen e një hadithi të Pejgamberit alejhi selam:

عَنْ عَائِشَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهَا، قَالَتْ: «اشْتَرَى رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ مِنْ يَهُودِيٍّ طَعَامًا بِنَسِيئَةٍ، فَأَعْطَاهُ دِرْعًا لَهُ رَهْنًا».

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton: “I Dërguari i Allahut alejhi selam bleu ushqim nga një hebre me pagesë të shtyrë (borxh) dhe i la atij peng parzmoren e tij.” (Transmeton Muslimi)

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! Pengu në Islam ka rregulla të veçanta, të cilat nuk do t’i përmendim sot për shkak të kohës. Mirëpo, duhet ta dimë se parimi kryesor është drejtësia dhe ruajtja e të drejtave të të dyja palëve, si dhe e sendit që është lënë peng. Askush nuk duhet të dëmtohet apo t’i bëhet padrejtësi.

Duhet t’i mbajmë premtimet, t’i respektojmë marrëveshjet dhe të mos ua shkelim të drejtat të tjerëve.

Gjithashtu, nuk lejohet t’ia shkelim të drejtën dikujt, ta mashtrojmë apo ta shfrytëzojmë gjendjen e tij të vështirë.

Duhet ta dimë se këto rregulla janë pjesë e fesë sonë, ashtu siç janë edhe namazi dhe agjërimi.

Prandaj, të mos harrojmë se Allahu na sheh jo vetëm kur falemi dhe agjërojmë, por edhe kur blejmë, shesim dhe bëjmë marrëveshje me njëri-tjetrin. Besimtari duhet të jetë i drejtë dhe i ndershëm në çdo punë të jetës së tij.

Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na bëjë neve, t’i bëjë fëmijët tanë dhe mbarë njerëzimin nga ata që nuk ia shkelin të drejtën asnjërit nga njerëzit. Amin!

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
64008

Character Limit 400