Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Pendohu tek Allahu në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, para se të jetë vonë!
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Pendohu tek Allahu në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, para se të jetë vonë!
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun dhe e bëri atë krijesë e cila gabon, pra nuk ka njeri në faqe të tokës përveçse është gabimtarë.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuar, nuk ka çast më të mirë dhe më të volitshëm se sa muaji i bekuar i Ramazanit për tu penduar nga gabimet, dhe për të jetuar konform udhëzimeve të Allahut të Madhëruar, sepse është muaji i mëshirës, faljes, mundësive dhe i shumë mirësive tjera.
Për atë pra kthehu tek Allahu i Madhëruar sot, përpara se të jetë vonë!
Mëkatet tona mund të jenë të shumta, por mëshira e Allahut të Madhëruar është më e madhe!
Gabimet tona mund të jenë të mëdha, por falja e Allahut të Madhëruar është e pafund!
Le të ngremë duart drejt qiellit në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, le të derdhim lot pendimi, le të kërkojmë faljen e Tij, sepse Allahu i Madhëruar nuk refuzon asnjë zemër të sinqertë që kthehet tek Ai!
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
Thuaj: “O robët e Mi që i keni tejkaluar caqet kundër vetvetes (duke kryer ligësi e gjynahe)! Mos i humbni shpresat nga Mëshira e Allahut, vërtet që Allahu i fal të gjitha gjynahet. Vërtet që Ai është gjithnjë Falësi i Madh, Mëshirëploti. (Kuran 39, 53)
A ka ndonjë shpresë më të madhe se kjo?
Allahu i Madhëruar po na thërret me dashuri dhe po na premton falje. Ai nuk na ka dënuar menjëherë për mëkatet tona. Na ka dhënë edhe një mundësi, dhe ajo mundësi është tani!
Pejgamberi alejhi selam me një hadith thotë:
وَرَغِمَ أَنْفُ رَجُلٍ دَخَلَ عَلَيْهِ رَمَضَانُ ثُمَّ انْسَلَخَ قَبْلَ أَنْ يُغْفَرَ لَهُ
“I mjeri ai që e arrin Ramazanin dhe i kalon pa mos ju falur mëkatet!” (Transmeton Tirmidhiu)
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, per ne, fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman të na falë mëkatet tona, ta pranoi pendimin tonë, të përfitojmë nga ky muaj i bekuar i Ramazanit dhe të dalim prej tij të pastër si fëmijë të porsalindur! Amin!
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun