Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Në prag të muajit të bekuar të Ramazanit

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
13 shk 2026

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Në prag të muajit të bekuar të Ramazanit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, mbetën edhe shumë pak ditë nga fillimi i muajit të bekuar të Ramazanit, muaj i Kuranit, mëshirës, faljes, bekimit dhe shumë mirësive tjera.

Në këtë muaj, Allahu i Madhëruar na ka obliguar edhe me kryerjen e kushtit të katërt të Islamit, pra agjërimin.

Muaji i bekuar i Ramazanit dhe ibadeti (adhurimi) i agjërimit janë dy mundësi për të cilat besimtari duhet të përgatitet fort, t’i shfrytëzojë në maksimum, që ta fitojë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Nuk ka mundësi më të mirë për t’i arritur këto qëllime sesa muaji i bekuar i Ramazanit dhe ibadeti i agjërimit.

Që të nxitemi të përgatitemi fort për muajin e Ramazanit dhe ibadetin (adhurimi) e agjërimit, do t’i përmendim dy hadithe të Pejgamberit alejhi selam:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ« :إِذَا جَاءَ رَمَضَانُ فُتِحَتْ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ، وَغُلِّقَتْ أَبْوَابُ النَّارِ، وَصُفِّدَتِ الشَّيَاطِينُ»

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur vjen Ramazani, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen djajtë.” (Transmeton Muslimi)

Pra, hadithi na bën të qartë se muaji i Ramazanit është muaji ku besimtari mund ta bëjë ndryshimin më të madh në jetën e tij, ta fitojë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, ku për një muaj të plotë do të jenë të hapura dyert e Xhenetit, të mbyllura dyert e Xhehenemit dhe të prangosur djajtë. Këto mundësi nuk janë në asnjë muaj tjetër përveçse në muajin e Ramazanit.

Ndërsa për agjërimin, Pejgamberi alejhi selam në një hadith të tij thotë:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ«:قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ: كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلَّا الصِّيَامَ، فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ»

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë: “Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit; ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” (Transmeton Muslimi)

Pra, e vetmja vepër që shpërblehet pa kufi nga Allahu i Madhëruar qenka agjërimi. Për këtë arsye, vërtet duhet të përgatitemi fort për muajin e Ramazanit, që t’i shfrytëzojmë mirësitë e pakufishme të tij.

Me siguri na intereson se si duhet konkretisht të përgatitemi për këtë muaj?

  • Krijimi i atmosferës pozitive dhe gëzimit në shpirtin tonë, tek fëmijët dhe familjet tona, si dhe në shtëpitë tona, duke i zbukuruar me zbukurime që shprehin gëzim për ardhjen e muajit të Ramazanit.
  • Agjërimi i ditëve të mbetura të këtij muaji deri në Ramazan; mirëpo dita e fundit e këtij muaji nuk është mirë të agjërohet, pra të mos ngjitet agjërimi i këtij muaji me muajin e Ramazanit.
  • Leximi i Kuranit.
  • Falja e namazit nafile (vullnetar) dhe namazit të natës.
  • Përkujtimi i shumtë i Allahut të Madhëruar me përkujtime të ndryshme, si: La ilahe ilAllah, SubhanAllah, Elhamdulilah, Estagfirullah dhe përkujtime tjera të ndryshme.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mundësojë neve, fëmijëve tanë dhe mbarë besimtarëve muslimanë, ta arrijmë muajin e bekuar të Ramazanit shëndosh e mirë, ta kalojmë me adhurime dhe lutje ndaj Allahut të Madhëruar dhe ta fitojmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar Amin.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
59020

Character Limit 400