Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Ndershmëria dhe rëndësia e saj

Like Up:
Like Down:
Created:
23 mar 2023

Ndershmëria dhe rëndësia e saj

Definicioni i ndershmërisë nënkupton të kundërtën e gënjeshtrës apo mashtrimit.

Ndershmëri paraqet kur fjalët tona përputhet me veprat!

Baza e të qënit njeri i lumtur, qëndron në ngritjen dhe plotësimin e personalitetit, ndërsa kjo nuk mund të arrihet përveç se me sjellje dhe moral të mirë dhe duke u larguar nga fjalët dhe veprat e ulëta e të këqija.

Gjithsesi cilësia më e rëndësishme morale e cila lidhet me jetën e individit dhe shoqërisë, dhe baza morale nga e cila varet përmirësimi i shoqërisë dhe funksionimi i rendit të saj është ndershmëria.

Pra, ndershmëria është nga cilësitë më të rëndësishme e cila kërkohet nga çdo njeri në këtë botë, sepse me të fiton punëtori, tregtari, ka sukses prodhuesi dhe kështu krijohet besueshmëria në mes njerëzve.

Sikur të mos ishte ndershmëria, do të fshihej e vërteta dhe do humbej bashkëpunimi, qetësia, besimi, dhe njerëzit do të jetonin në një atmosferë të stërmbushur me ankth dhe çrregullim, pëshpëritje e të keqes (veseve) dhe hamendjes; e kështu do t’ju prishej rregulli i jetës së tyre, i namazit të tyre dhe do të shembej ndërtesa e besueshmërisë së tyre.

Vëllezër të dashur! Ndershmëria përmban mirësinë dhe paraqet formulën e ngritjes tek Allahu i Madhëruar, shenjë e plotësimit të personalitetit të njeriut dhe pasqyrë e sjelljes së pastër.

Ndershmëria siguron të drejtat e njerëzimit, forcon besueshmërinë mes individit dhe shoqërisë, dhe është e patjetërsueshme për dijetarin (hoxhën), udhëheqësin, gjykatësin, tregtarin, punëtorin, prodhuesin, burrin, gruan, të madhin, të voglin… deri sa ata jetojnë së bashku në një shoqëri dhe kanë raporte të ndërsjella njëri me tjetrin.

Vëllezër të dashur! A nuk është e vërtetë kjo se nëse tregtari është i ndershëm në tregtinë e tij, njerëzit do të kenë besim dhe do të blejnë tek ai, ashtu ndodh me prodhuesin, bujkun, mjekun, administratorin dhe çdo njëri që ka punë me njerëzit.

Të ndershmit i mjafton krenaria që njerëzit e ngritin dhe e vlerësojnë atë; ndaj nëse është i pasur e vlerësojnë dhe nderojnë, ndërsa nëse është i varfër e ndihmojnë; nëse është i mjerë qëndrojnë me të, e nëse është tregtar dhe prodhues bashkëpunojnë me të, e kështu të ndershmit nuk i mbarojnë mirësitë qofshin ato materiale apo shpirtërore.

Vëllezër të dashur! Nuk duhet të themi se sot s’ka ndershmëri, por të pendohemi dhe të bëhemi ne ata që gjithmonë janë të ndershëm.

Allahu i Madhëruar thotë:

O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore. Kaptina Ahzab, 70-71

Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do ose do t’u pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Kaptina Ahzab, 23-24

Ndërsa i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë:

Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhenet. Vërtetë, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurjes, e shthurja të shpie në zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu gënjeshtar.” (transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Në një porosi tjetër nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem qëndron:

Transmetohet nga Ubadetu ibën Samit (Allahu qoftë i kënaqur nga ai) se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Nëse më garantoni gjashtë gjëra, ju garantojë Xhenetin:

“Thoni të vërtetën kur të flisni, mbajeni fjalën kur ta jepni, çojini amanetet në vend, ruani nderin tuaj, ulni shikimin ndaj haramit dhe mos bëni keq me duart tuaja.” (Transmeton Ahmedi)

Nga historia Islame veçojmë rastin kur perandori romak Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin për Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem:

“A ka gënjyer ai ndonjëherë?”

Ebu Sufjani iu përgjigj: “Jo”

Herakliu tha: “Ai që nuk gënjen njerëzit, nuk gënjen Zotin.”

Nga historia islame veçojmë edhe rastin e beduinit i cili e kishte pranuar Islamin. Pas një beteje të zhvilluar, ia kishin ofruar ganimetet (plaçkën e luftës), ndërsa ky shkoi te Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha se nuk ka ardhur për ato, por për të luftuar për hir të Allahut dhe të ndërrojë jetë si dëshmorë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem i tha nëse kjo është e vërtetë dhe je i ndershëm në këtë, do ta gjesh në një luftë tjetër. Kështu edhe ndodhi, dhe i Dërguari i Allahut tha se ka qenë i sinqertë dhe i ndershëm me Allahun, dhe Allahu i Madhëruar ia dhuroi atë që dëshironte.

Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem bëri dua për të:

O All-llahu im! Ky është robi Yt, u shpërngul për në rrugën Tënde, ra dëshmor, unë dëshmoj për të!

Allahu i Madhëruar na e mundësoftë të gjithëve të jemi të ndershëm dhe të sinqertë në veprat dhe fjalët tona!

Hoxhë: Azir Aziri
[ikre.ch]