Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Ndërhyrja në tregti
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Ndërhyrja në tregti.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, që tregtia të jetë e bekuar dhe e suksesshme si për shitësin ashtu edhe për blerësin, Allahu i Madhëruar e ka bërë haram (ndalesë të prerë) ndërhyrjen në tregti.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عُمَرَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمَا أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ : ( لَا يَبِيعُ بَعْضُكُمْ عَلَى بَيْعِ أَخِيهِ ).
Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy), se i Dërguari i Allahut alejhi selama ka thënë: “Askush prej jush të mos shesë mbi shitjen e vëllait të tij.” (Transmeton Muslimi)
Për ta kuptuar më mirë këtë çështje, do të përmendim disa shembuj. “Të shesësh mbi shitjen e vëllait tënd” do të thotë që, kur një person ka blerë diçka dhe ende mund ta anulojë blerjen, ti t’i thuash: “Anuloje atë blerje dhe unë do të të shes të njëjtën gjë më lirë”, ose: “Unë do të të jap një gjë më të mirë për të njëjtin çmim.” Kjo është e ndaluar.
Po ashtu, është e ndaluar të blesh mbi blerjen e vëllait tënd. Për shembull, kur dikush ka blerë diçka, ti i thua shitësit: “Anuloje shitjen me të dhe unë do ta blej nga ti me një çmim më të lartë.” Edhe kjo është e ndaluar.
Ndërsa “të ofertosh mbi ofertën e vëllait tënd” do të thotë që shitësi dhe blerësi kanë rënë dakord për një çmim dhe janë pranë përfundimit të marrëveshjes, por ende nuk e kanë mbyllur shitjen. Në këtë moment, një person tjetër vjen dhe i thotë shitësit: “Mos ia shit atij, unë ta blej.” Edhe kjo është e ndaluar, pasi çmimi dhe marrëveshja tashmë janë stabilizuar.
Arsyeja e ndalimit të të gjitha këtyre është respektimi i të drejtave të muslimanëve dhe njerëzve të tjerë ndaj njëri-tjetrit. Nuk lejohet që dikush t’ia prishë tjetrit të drejtën ose marrëveshjen, qoftë në shitje, blerje, qira, ofertë, martesë apo në çështje të tjera.
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mundësojë neve dhe mbarë botës tregti hallall (të lejuar). Amin.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
