Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Ndalimi i betimit në tregti

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
13 nën 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Ndalimi i betimit në tregti.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! Nga sjelljet e urryera tek Allahu i Madhëruar është edhe betimi i tepërt dhe pa nevojë në jetën e njeriut.

Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَا تُطِعْ كُلَّ حَلَّافٍ مَهِينٍ

“Dhe mos iu bind asnjërit që betohet shumë e që është i përçmuar!” (Kuran 68, 10)

Betimi i tepërt është edhe më i urryer dhe më i qortuar nëse dikush betohet shumë shpesh në tregtinë e tij, pra, afërsisht çdo e treta apo e katërta fjalë është betim.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ أَبِي قَتَادَةَ الْأَنْصَارِيِّ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ، أَنَّهُ سَمِعَ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ يَقُولُ: «إِيَّاكُمْ وَكَثْرَةَ الْحَلِفِ فِي الْبَيْعِ، فَإِنَّهُ يُنَفِّقُ، ثُمَّ يَمْحَقُ».

Nga Ebu Katade el-Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam duke thënë: “Ruajuni nga betimet e shumta gjatë shitblerjes, sepse ato e nxisin shitjen, por më pas e zhdukin bereqetin.” (Transmeton Muslimi.)

Pra, betimi i tepërt, edhe kur është i vërtetë, është i qortuar. Mirëpo, betimi i sinqertë, kur është i nevojshëm, qoftë në tregti apo në raste të tjera, është i lejuar. Ndërsa ajo që fatkeqësisht është e përhapur në mesin e muslimanëve dhe që është një haram i madh, është betimi i rrejshëm në tregti, pra, ta shesësh një mall duke u betuar rrejshëm për diçka që ka të bëjë me mallin që e shet.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ أَبِي ذَرٍّ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ، عَنِ النَّبِيِّ ﷺ قَالَ: «ثَلَاثَةٌ لَا يُكَلِّمُهُمُ اللَّهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ، وَلَا يَنْظُرُ إِلَيْهِمْ، وَلَا يُزَكِّيهِمْ، وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ». قَالَ: فَقَرَأَهَا رَسُولُ اللَّهِ ﷺ ثَلَاثَ مِرَارٍ. قَالَ أَبُو ذَرٍّ: خَابُوا وَخَسِرُوا، مَنْ هُمْ يَا رَسُولَ اللَّهِ؟ قَالَ: «الْمُسْبِلُ، وَالْمَنَّانُ، وَالْمُنَفِّقُ سِلْعَتَهُ بِالْحَلِفِ الْكَاذِبِ».

Nga Ebu Dherr el-Gifariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Janë tre persona me të cilët Allahu nuk do të flasë Ditën e Kiametit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë nga gjynahet dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm”. I Dërguari i Allahut alejhi selam e përsëriti këtë tri herë. Ebu Dherri tha: “Janë të humbur dhe të shkatërruar! Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?”. Ai alejhi selam tha: “Ai që e lëshon rrobën poshtë nyjave të këmbëve, ai që ua përmend të tjerëve të mirat që ua ka bërë dhe ai që e shet mallin e tij duke u betuar rrejshëm.” (Transmeton Muslimi)

Ai që betohet rrejshëm me qëllim dhe vetëdije ka bërë një mëkat të madh, për të cilin duhet të pendohet sinqerisht tek Allahu i Madhëruar, të kërkojë falje dhe të vendosë që të mos e përsërisë më. Nëse përmes këtij betimi i ka shkelur dikujt të drejtën apo i ka marrë pasurinë, është i detyruar t’ia kthejë atë, sepse pendimi i sinqertë kërkon edhe kthimin e të drejtave të shkelura.

Të dashur besimtarë! Le ta ndërtojmë tregtinë tonë mbi sinqeritetin dhe besnikërinë, e jo mbi betimet, sepse bereqeti i pasurisë nuk qëndron vetëm në shumën që fitojmë, por edhe në mënyrën se si e fitojmë atë.

Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na bëjë neve, fëmijët tanë dhe mbarë besimtarët muslimanë prej atyre që betohen vetëm kur është e nevojshme dhe që gjithmonë e thonë të vërtetën. Amin!

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
11314

Character Limit 400