Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Muaji Shaban
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Muaji Shaban.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, sot është dita e parë e muajit Shaban, muaj që i paraprinë muajit të bekuar të Ramazanit, një nga muajt më të veçantë në vlerë, begati, mirësi, mëshirë dhe adhurime.
Vëllezër të dashur, krejt njerëzit pa përjashtim, bëjnë plane për pushimet e tyre me siguri një vit para, për karrierën e tyre vite me rradh, dhe kjo është diçka e lavdëruar madje edhe e kërkuar. Mirëpo ashtu siç bëjmë parapërgatitje për çështjet e jetës sonë duhet të përgatitemi edhe për muajin e bekuar të Ramazanit.
Nëse shohim si përgatiteshe Muhamedi alejhi selam në këtë muaj, do të shohim se ai më së shumti përgatiteshe duke agjëruar pjesën më të madhe të këtij muaji, për atë edhe ne të mundohemi që sa më shumë të agjërojmë në këtë muaj që të marrim shpërblimet dhe mirësitë e Allahut të Madhëruar për agjërimin tonë në këtë muaj dhe të jemi të përgatitur edhe më shumë për muajin e bekuar të Ramazanit, ta përjetojmë atë më shumë dhe të marrim sa më shumë shpërblime nga Allahu e Madhëruar.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ عَائِشَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهَا، قَالَتْ: فَمَا رَأَيْتُ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ اسْتَكْمَلَ صِيَامَ شَهْرٍ إِلَّا رَمَضَانَ، وَمَا رَأَيْتُهُ أَكْثَرَ صِيَامًا مِنْهُ فِي شَعْبَانَ
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “S’e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të agjërojë një muaj të plotë, përveç Ramazanit dhe s’e kam parë atë të agjërojë në ndonjë muaj më shumë se në muajin Shaban.” (Transmeton Muslimi)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, përveç agjërimit, është e kërkuar prej neve që në këtë muaj ti shtojmë edhe adhurime tjera, sikurse: përkujtimi i Allahut të Madhëruar me përkujtime të ndryshme sikurse të themi shumë SubhanaAllah (i lartësuar është Allahu i Madhëruar nga gjithçka që i përshkruajnë atij nga mangësitë), ElhamduliLah (falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar), Allahu Ekber (Allahu është më i madhi), Estagfirullah (kërkoi faljen tënde o Allah) dhe të tjera. Poashtu ti shtojmë sadakat (lëmoshat), në veçanti të lexojmë shumë Kuranin Famëlartë se kjo ishte traditë e Muhamedit alejhi selam dhe shokëve të tij.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë i Tija të larta, të na pranojë veprat e këtij muaji, t`na mundësojë të përgatitemi fort në këtë muaj për muajin e bekuar të Ramazan, t`na jep shëndet ta arrijmë muajin e bekuar të Ramazanit dhe ta shfrytëzojmë atë sa më shumë të marrim nga mirësitë e tij. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun