Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Mos e kërko fitimin aty ku Allahu e ka ndaluar

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
16 tet 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Mos e kërko fitimin aty ku Allahu e ka ndaluar.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ne jemi të urdhëruar nga ana e Allahut të Madhëruar që të përkujtojmë njëri-tjetrin për mirësi, sepse përkujtimi na bën dobi. Këtë e vërteton edhe praktika e jetës sonë, ku ne jemi dëshmitarë të vetvetes se shpesh na ka ndodhur që diçka e kemi dëgjuar disa herë dhe nuk e kemi praktikuar. Mirëpo, pas dëgjimit disa herë të së njëjtës çështje, jemi kujtuar më mirë dhe e kemi praktikuar. Për këtë arsye, ne sot do të përkujtojmë diçka që e njohim, mirëpo që kemi nevojë ta kujtojmë.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ndër shitblerjet e ndaluara rreptësishtë është edhe shitblerja e alkoolit, e kafshës së ngordhur, e derrit dhe e idhujve/statujave.

Pejgamberi alejhi selam ka thotë:

عَنْ جَابِرِ بْنِ عَبْدِ اللَّهِ، أَنَّهُ سَمِعَ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ عَامَ الْفَتْحِ وَهُوَ بِمَكَّةَ: «إِنَّ اللَّهَ وَرَسُولَهُ حَرَّمَ بَيْعَ الْخَمْرِ وَالْمَيْتَةِ وَالْخِنْزِيرِ وَالْأَصْنَامِ»

Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullahu r.a. se ai e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut alejhi selam duke thënë në vitin e çlirimit të Mekës, ndërkohë që ndodhej në Mekë: “Vërtet, Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, të kafshës së ngordhur, të derrit dhe të idhujve.” (Transmeton Muslimi)

Padyshim, arsyet e ndalesave të ashpra të alkoolit janë të njohura për çdonjërin. Alkooli i shkakton shumë dëme njeriut, sidomos me humbjen e vetëdijes. Pastaj, po ashtu, është i njohur dëmi i shitjes së kafshëve të ngordhura dhe i konsumimit të atij mishi nga ana e njerëzve. Sa u përket arsyeve të ndalimit të mishit të derrit, dita ditës shtohen studimet bashkëkohore që tregojnë për dëmin e madh që mishi i derrit i shkakton shëndetit të njeriut, ndërsa shitja e idhujve, padyshim, është e dëmshme për adhurimin e Allahut të Madhëruar si një Zot të vetëm, i Cili meriton të adhurohet.

Që ne të kujtohemi më mirë, që të heqim dorë nga fitimi prej këtyre veprave të ndaluara, nëse jemi sprovuar me to, ose të kujtohemi që të mos veprojmë diçka të tillë, na mjafton hadithi i Pejgamberit alejhi selam.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عُمَرَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمَا، قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: ‏«لُعِنَتِ الْخَمْرُ عَلَى عَشَرَةِ أَوْجُهٍ: بِعَيْنِهَا، وَعَاصِرِهَا، وَمُعْتَصِرِهَا، وَبَائِعِهَا، وَمُبْتَاعِهَا، وَحَامِلِهَا، وَالْمَحْمُولَةِ إِلَيْهِ، وَآكِلِ ثَمَنِهَا، وَشَارِبِهَا، وَسَاقِيهَا».

Nga Abdullah ibn Umeri r.a. transmetohet se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Alkooli është mallkuar në dhjetë aspekte: vetë alkooli, ai që e prodhon, ai që kërkon t’i prodhohet, ai që e shet, ai që e blen, ai që e bart, ai tek i cili bartet, ai që përfiton nga çmimi i shitjes së tij, ai që e pi dhe ai që ua shërben të tjerëve.” (Transmeton Ibn Maxhe)

Pra, ata që merren me alkoolin dhe me të tjera nga mëkatet e mëdha janë të mallkuar nga Allahu i Madhëruar. Mallkimi nënkupton largimin nga mëshira e Allahut të Madhëruar, ndërsa largimi nga mëshira e Allahut të Madhëruar nënkupton falimentim edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. Edhe pse disa mendojnë se me haram fitojnë, e vërteta është se ata, në fakt, falimentojnë.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mbrojë neve, t’i mbrojë fëmijët tanë dhe mbarë besimtarët myslimanë nga alkooli, mishi i kafshës së ngordhur, mishi i derrit, idhujt dhe të gjitha haramet e tjera të mëdha. Amin!

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
84399

Character Limit 400