Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Lopa që nuk u mjel, një mashtrim që na mëson shumë
BismiLahirrahmanirrahim.
Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas a.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!
Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: "Lopa që nuk u mjel, një mashtrim që na mëson shumë".
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar na mëson se mashtrimi në tregti është nga ndalesat më të ashpra, të urryera dhe të dënueshme, sepse ka të bëjë me hakun (të drejtën) e njerëzve gabim të cilin nuk ta fal as Allahu i Madhëruar pa ta falur personi i dëmtuar.
Pejgamberi alejhi selam thotë:
عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ، أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ قَالَ: «مَنِ ابْتَاعَ شَاةً مُصَرَّاةً فَهُوَ فِيهَا بِالْخِيَارِ ثَلَاثَةَ أَيَّامٍ، إِنْ شَاءَ أَمْسَكَهَا، وَإِنْ شَاءَ رَدَّهَا، وَرَدَّ مَعَهَا صَاعًا مِنْ تَمْرٍ»
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Kush blen një dele (ose kafshë) të ‘musarrāt’ (që është lënë pa u mjelë për t’u dukur sikur jep shumë qumësht), ai ka të drejtë zgjedhjeje për tri ditë: nëse dëshiron e mban, e nëse dëshiron e kthen, dhe bashkë me të kthen edhe një sa‘ hurma.”
Allahu i Madhëruar na ka ndaluar ta shesim një kafshë që mjelet duke mos e mjelë për disa ditë që të duket se jep qumësht më shumë, për arsye të një lloj mashtrimi nga ana e shitësit. Nuk e kemi qëllim të shpjegojmë këtë lloj shitblerjeje, mirëpo qëllimi është të sqarojmë se mashtrimi nuk realizohet vetëm me fjalë, mirëpo ai realizohet edhe me vepra, dhe se çdo lloj mashtrimi në tregti është i ndaluar.
Sot mund të mos e mbushim gjirin e kafshës me qumësht, por mund të bëjmë diçka tjetër: të fshehim defektin e makinës, të fshehim një problem të shtëpisë, të paraqesim një mall të vjetër si të ri, të përdorim fotografi që nuk tregojnë gjendjen e vërtetë të produktit, ose t’i japim blerësit një përshtypje të gabuar.
Pra, vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, të bëjmë kujdes mos të mashtrojmë në tregti, sepse tregtia e fituar me mashtrim nuk ka bereqet (begati), ndërsa tregtia e fituar në mënyrë të drejtë, edhe pse ndoshta në numër do të jetë më pak, mirëpo do të jetë me shumë më shumë bereqet (e begatuar) nga ana e Allahut të Madhëruar.
Pejgamberi alejhi selam thotë:
عَنْ أَبِي خَالِدٍ حَكِيمِ بْنِ حِزَامٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «الْبَيِّعَانِ بِالْخِيَارِ مَا لَمْ يَتَفَرَّقَا، فَإِنْ صَدَقَا وَبَيَّنَا بُورِكَ لَهُمَا فِي بَيْعِهِمَا، وَإِنْ كَتَمَا وَكَذَبَا مُحِقَتْ بَرَكَةُ بَيْعِهِمَا»
Nga Ebu Halid, Hakim ibn Hizam (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Dy palët që bëjnë shitblerje kanë të drejtë zgjedhjeje përderisa nuk janë ndarë. Nëse të dy janë të sinqertë dhe e sqarojnë të vërtetën, Allahu u jep bereqet në shitblerjen e tyre. Por nëse e fshehin të vërtetën dhe gënjejnë, u hiqet bereqeti i shitblerjes së tyre.”
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, të na begatojë neve, fëmijët tanë dhe mbarë njerëzimin në tregtinë tonë dhe të tyre! Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
