Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Lëre një pemë pas vetes
BismiLahirrahmanirrahim.
Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas a.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, me hutben (ligjëratën e xhumasë) së kaluar përfunduam temat dhe çështjet kryesore që kanë të bëjnë me temat e kapitullit të tregtisë. Nga sot do të vazhdojmë të trajtojmë në hutbe (ligjërata të xhumajave) tema që po ashtu, në një aspekt, kanë të bëjnë me raportet ndër njerëzore. Nga veprat të cilat Allahu i Madhëruar na ka nxitur t’i veprojmë është edhe mbjellja e pemëve. Tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Lëre një pemë pas vetes.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ جَابِرٍ، قَالَ: قَالَ رَسُولُ َّ ﷲِ ﷺ: »مَا مِنْ مُسْلمٍِ یَغْرِسُ غَرْسًا، إ َّ لِا كَانَ مَا أكُِلَ مِنْھُ لَھُ صَدَقَةٌ، وَمَا سُرِقَ مِنْھُ لَھُ صَدَقَةٌ، وَمَا أكََلَ ال َّ سبُعُ مِنْھُ فَھُوَ لَھُ صَدَقَةٌ، وَمَا أكََلَتِ ال َّ طیْرُ فَھُوَ لَھُ صَدَقَةٌ، وَلَا یَرْزَؤُهُ أحََدٌ إ َّ لِا كَانَ لَھُ صَدَقَةٌ«.
Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Nuk ka asnjë musliman që mbjell një bimë, përveçse çdo gjë që hahet prej saj është për të sadaka; ajo që i vidhet prej saj është për të sadaka; ajo që ha prej saj ndonjë kafshë e egër është për të sadaka; ajo që hanë prej saj shpendët është për të sadaka; dhe askush nuk i merr apo i pakëson asaj diçka, veçse ajo është për të sadaka.”
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, shikoni sa aktual është ky mësim i Pejgamberit alejhi selam edhe në kohën në të cilën jetojmë. Sot në Evropë dhe gjithandej nëpër botë flitet shumë për gjelbërimin e qyteteve, për mbjelljen e pemëve, për ajrin e pastër dhe për mbrojtjen e natyrës. Qytetet kanë nevojë për më shumë pemë dhe hapësira të gjelbra, sidomos përballë nxehtësisë dhe ndryshimeve të motit.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, hadithi dhe aktualiteti na nxisin po ashtu të mbjellim pemë që sjellin dobi më të madhe. Nëse kemi mundësi, le të mbjellim pemë frutore: mollë, dardha, qershi, kumbulla, apo çfarëdo peme që përshtatet me vendin ku jetojmë. Sepse një pemë frutore nuk është vetëm gjelbërim. Ajo jep ushqim për njeriun, ushqim për shpendët dhe kafshët, hije dhe bukuri. Dhe sa më shumë dobi të ketë prej saj, aq më shumë shpresojmë në shpërblimin e Allahut të Madhëruar.
Le të mos mendojmë vetëm: “Ta mbjell një pemë që ta bëj vendin të gjelbër”, por: “Ta mbjell një pemë që nesër dikush të hajë prej saj.” Kjo është një mënyrë shumë e bukur për ta kthyer një pemë në sadaka që vazhdon. Prandaj, le të mos jemi muslimanë që vetëm marrim nga kjo tokë, por muslimanë që i lëmë asaj diçka të mirë.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na mundësojë neve, fëmijëve tanë dhe mbarë njerëzimit të mbjellim sa më shumë pemë, sidomos prej atyre frutore. Amin.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
