Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Lehtëso borxhin, fito mëshirën e Allahut të Madhëruar
BismiLahirrahmanirrahim.
Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas a.s., familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!
Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: Lehtëso borxhin, fito mëshirën e Allahut të Madhëruar.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga çështjet që Allahu i Madhëruar i vlerëson dhe i shpërblen shumë është edhe lehtësimi i borxhit. Lehtësimi i borxhit bëhet në dy mënyra: falja e tij ose shtyrja e afatit të tij.
Për vlerën dhe mirësitë e lehtësimit të borxhit, qoftë duke e falur atë ose duke ia shtyrë afatin e pagesës, Allahu i Madhëruar ka folur në Kuranin Famëlartë. Po ashtu, edhe Muhamedi alejhi selam ka folur shumë në hadithet e tij. Ndërsa ne sot do të përmendim vetëm një hadith për këtë temë, i cili është i mjaftueshëm për atë që ka zemër e ia vë syrin dhe veshin.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ حُذَيْفَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ، قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «تَلَقَّتِ الْمَلَائِكَةُ رُوحَ رَجُلٍ مِمَّنْ كَانَ قَبْلَكُمْ، فَقَالُوا: أَعَمِلْتَ مِنَ الْخَيْرِ شَيْئًا؟ قَالَ: لَا، قَالُوا: تَذَكَّرْ، قَالَ: كُنْتُ أُدَايِنُ النَّاسَ، فَآمُرُ فِتْيَانِي أَنْ يُنْظِرُوا الْمُعْسِرَ، وَيَتَجَوَّزُوا عَنِ الْمُوسِرِ، قَالَ: قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ: تَجَوَّزُوا عَنْهُ».
Transmetohet nga Hudhejfeja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Engjëjt morën shpirtin e një njeriu që kishte jetuar para jush dhe e pyetën: ‘A ke bërë ndonjë vepër të mirë?’ Ai u përgjigj: ‘Jo.’ Engjëjt i thanë: ‘Kujtohu!’ Ai tha: ‘Unë u jepja njerëzve hua dhe i urdhëroja shërbyesit e mi që t’u jepnin afat atyre që ishin në vështirësi financiare dhe të tregoheshin tolerantë ndaj atyre që kishin mundësi të paguanin.’ Atëherë Allahu i Madhëruar tha: ‘Faljani edhe ju atij!” (Transmeton Muslimi)
Pra, nëse Allahu i Madhëruar e ka falur atë që ua ka lehtësuar borxhin me shtyrje dhe lehtësim të tij, atëherë lehtësimi i borxhit me falje është edhe shumë më i vlefshëm dhe më i shpërblyer nga ana e Allahut të Madhëruar.
Mirëpo, nëse analizojmë sot gjendjen e atyre që japin borxh dhe të atyre që marrin borxh, nuk jemi në gjendje të lakmueshme. Ata që marrin borxh duhet ta dinë se borxhi merret vetëm për nevojë dhe kur ke mundësi ta paguash. Mirëpo, të hysh në borxh për sende jo shumë të nevojshme ose aspak të nevojshme, diçka e tillë nuk është e lejuar. Prandaj, realizoji dëshirat e tua aq sa ke mundësi dhe mos u krahaso me asnjë tjetër, siç thotë edhe populli: “Shtriji këmbët aq sa e ke jorganin.”
Po ashtu, edhe ata që kanë pasuri, le ta dinë se atë pasuri ua ka dhënë Allahu i Madhëruar dhe se ata duhet të japin borxh nga pasuria e tyre atyre që kanë nevojë dhe që mund ta kthejnë borxhin.
Nëse nuk i frikësohemi Allahut të Madhëruar, qoftë si borxh dhënës, qoftë si borxh marrës, bëhet çrregullim në tokë, pasojat e të cilit do t’i vuajmë të gjithë si shoqëri.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të mos na sprovojë as neve, as fëmijët tanë, as mbarë njerëzimin me marrjen e borxhit, ndërsa atyre që kanë borxh, Allahu i Madhëruar ua mundësoftë pastrimin e borxheve. Amin!
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
