Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Kënaqësia e kësaj bote dhe botës tjetër
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Kënaqësia e kësaj bote dhe botës tjetër.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nëse ne sot bëjmë një analizë kronologjike të shoqërisë njerëzore sa i përket begative dhe kënaqësive të kësaj bote, do të hasim në një ndryshim të madh krahasuar me 50 vite më herët.
Ju vetë jeni dëshmitarët më të mirë të asaj se, para jo më shumë se 40–50 vjetësh, familjet në mbarë botën kanë punuar shumë dhe me vështirësi e kanë arritur ta sigurojnë hajen dhe pijen për veten dhe familjet e tyre.
Mirëpo shëndeti, lumturia, dashuria, lidhja farefisnore, nderi dhe respekti kanë qenë në nivele jashtëzakonisht të larta, për të cilat sot përmenden me nostalgji. Ajo që i bëri të durojnë, edhe përkundër kushteve të vështira, ishte feja e fortë te ta, duke i respektuar në praktikë mësimet e fesë.
Nëse analizojmë sot shoqërinë njerëzore sa i përket begative, do të hasim në një ndryshim të madh duke e krahasuar me kohën para 40–50 viteve. Sot kemi begati aq të shumta si shoqëri njerëzore, saqë bota nuk njeh ndonjë periudhë të saj me kaq begati fizike, siç janë haja, pija, veshmbathja, shtëpitë dhe shumë begati të tjera, për të cilat ju jeni dëshmitarët më të mirë.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre begative, shëndeti, lumturia, dashuria, lidhja farefisnore, nderi dhe respekti, në përgjithësi, janë në nivel shumë të ulët, fatkeqësisht.
Arsyeja e këtij dështimi, më shumë në aspektin shpirtëror, është mosrespektimi i mësimeve të fesë. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar e zbritur mbi shtatë kat qiej, ku Ai thotë:
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً ۖ وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
„Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë, duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe me furnizim e jetesë sipas Ligjit të Allahut), dhe (në Botën Tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.“ (Kuran 16, 97)
Pra, nëse dëshirojmë vërtet të ndryshojmë gjendjen tonë në aspektin shpirtëror, të nderit, moralit, lidhjeve farefisnore dhe të ngjashme, ka vetëm një rrugë. E ajo është rruga e besimit dhe praktikimit të mësimeve të fesë, duke filluar nga më e rëndësishmja, e cila është namazi, pa të cilin as që bisedohet për ndryshim dhe përmirësim të gjendjes, për të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
وَأَقِمِ الصَّلَاةَ ۖ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ ۗ
„Plotëso faljen e rregullt të përcaktuar. Vërtet që Es-Salat (falja e namazit) parandalon nga El-Fahsha (çdo vepër e papëlqyer, e ulët, e keqe të cilën e ndalon Islami) dhe nga El-Munker (vepër e padrejtë, mosbesimi, politeizmi dhe gjynahe të tjera të mëdha para Allahut).“ (Kuran 29, 45)
Pastaj të vazhdojmë edhe me mësimet e tjera të fesë, siç janë agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit, dhënia e zekatit, respektimi i prindërve, edukimi i fëmijëve dhe të ngjashme.
Lusim Allahun e Madhëruar, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që të na mbajë fenë e fortë, edhe kur të jemi në vështirësi, edhe kur të jemi në begati, sepse ajo është rruga e mesme që na siguron sukses edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër. Amin.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
