Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Ka pushuar ose kanë pushuar prej tij
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Ka pushuar ose kanë pushuar prej tij.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, njeriu është i krijuar nga Allahu i Madhëruar dhe Ai i ka dhënë liri veprimi në disa çështje, pastaj për ato çështje ku ka liri veprimi ka edhe përgjegjësi.
Allahu i Madhëruar i dhuroi gjuhën, mundet të flet mirë dhe keq, ia dha duart mundet të punoj dhe me vjedh, ia ka dhuruar këmbët mundet të shkojë në xhami, punë, mirëpo mundet të shkojë në diskotekë, kazino. Pra aty ku ka liri veprimi do ketë edhe përgjegjësi për veprimet i tija edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Nëse njeriu punon me mendje të shëndoshë, beson si duhet te Allahu i Madhëruar, bën vepra të mira dhe largohet nga veprat e liga, do të ketë mirësi nga Allahu i Madhëruar edhe në këtë botë edhe në botën tjetër, kjo me premtimin e Allahut të Madhëruar me të cilin na ka premtuar Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë mbi 7 kat qiej.
مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً ۖ وَلَنَجْزِيَنَّهُمْ أَجْرَهُم بِأَحْسَنِ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ
“Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas Ligjit të Allahut) dhe (në Botën Tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.” (Kuran 16, 97)
Në këtë kuptim, duke na tërhequr Pejgamberi alejhi selam vërejtjen që të bëjmë kujdes në sjelljet tona, të jemi nga ata të cilët gjuhën dhe gjymtyrët e tyre i shfrytëzojmë në dobi të njerëzve, kafshëve, natyrës dhe vatanit, dhe të mos jemi nga ata të cilët i dëmtojnë me gjuhën dhe gjymtyrët e tyre njerëzit, kafshët, natyrën dhe vatanin, Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم مُرَّ عَلَيْهِ بِجِنَازَةٍ فَقَالَ " مُسْتَرِيحٌ، وَمُسْتَرَاحٌ مِنْهُ ". قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ مَا الْمُسْتَرِيحُ وَالْمُسْتَرَاحُ مِنْهُ قَالَ " الْعَبْدُ الْمُؤْمِنُ يَسْتَرِيحُ مِنْ نَصَبِ الدُّنْيَا وَأَذَاهَا إِلَى رَحْمَةِ اللَّهِ، وَالْعَبْدُ الْفَاجِرُ يَسْتَرِيحُ مِنْهُ الْعِبَادُ وَالْبِلاَدُ وَالشَّجَرُ وَالدَّوَابُّ ".
Për skaj të Dërguarat të Allahut s.a.v.s. kaloi një xhenaze, ndërsa ai ka thëne: -Ka pushuar dhe kanë pushuar? Pyetën: - O i Dërguari i Allahut, cili është ai që ka pushuar dhe që kanë pushuar prej tij?- U përgjigj: - Robi besimtar me vdekje shpëton prej vështirësive të dynjasë, ndërsa nga robi jobesimtar, me vdekjen e tij (nga e keqja e tij) shpëtojnë njerëzit, vendbanimet, drunjtë dhe kafshët. (Transmeton Buhariu)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, pra ne jemi ata që e shkruajmë se kur të vdesim, a do të jemi nga ata që do të na thuan njerëzit pushoi nga lodhjet e kësaj bote, ose do të jemi nga ata që do të na thuan shyqyr që shkoi, që të pushojnë njerëzit, kafshët, natyra dhe vatani.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga ata të cilët kur do të vdesim të pushojmë nga lodhjet e dunjasë dhe jo të pushojnë nga ne njerëzit, kafshët, natyra dhe vatani. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun