Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Dasmat në Islam
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Dasmat në Islam.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga tradita e Pejgamberit alejhi selam është që martesa të shpallet dhe të festohet me një dasmë. Kjo nuk është vetëm traditë, por një mënyrë për ta bërë të njohur martesën dhe për të larguar dyshimet. Pra, nuk është në rregull në bazë të fesë sonë që të martohet dikush pa dasmë, qoftë edhe një darkë me pak njerëz.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ أَنَسِ بْنِ مَالِكٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ: ((أَنَّ عَبْدَ الرَّحْمَنِ بْنَ عَوْفٍ جَاءَ إِلَى رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ وَبِهِ أَثَرُ صُفْرَةٍ، فَسَأَلَهُ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَأَخْبَرَهُ أَنَّهُ تَزَوَّجَ امْرَأَةً مِنَ الأَنْصَارِ، قَالَ: كَمْ سُقْتَ إِلَيْهَا؟ قَالَ: زِنَةَ نَوَاةٍ مِنْ ذَهَبٍ. قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: أَوْلِمْ وَلَوْ بِشَاةٍ.))
Transmetohet nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të): Se Abdurrahman ibn Aufi erdhi tek i Dërguari i Allahut alejhi selam dhe mbi të kishte gjurmë të një ngjyre të verdhë (shenja martese). I Dërguari i Allahut alejhi selam e pyeti për këtë, dhe ai e njoftoi se ishte martuar me një grua nga Ensarët. Ai (Pejgamberi alejhi selam) i tha: “Sa mehr (dhuratë martese) i ke dhënë?” Ai tha: “Sa pesha e një bërthame (hurme) prej ari.” Atëherë Muhamedi alejhi selam tha: “Bëj një dasmë, qoftë edhe me një dele.” (Transmeton Buhariu)
Hadithi, përveç që na urdhëron të bëjmë dasmë kur të martohemi, na mëson që dasmat duhet të jenë modeste dhe jo shumë të kushtueshme. Mirëpo, ne sot, fatkeqësisht, në përgjithësi e teprojmë me kostot e dasmave, gjë të cilën duhet ndryshuar, sepse vërtet shkaktojmë ngushtim edhe te ata që nuk kanë shumë mundësi të harxhojnë për dasma, saqë disa nuk munden ta durojnë presionin e familjes ose rrethit të tyre, shesin nga toka ose pasuria e tyre për dasmë, të tjerët marrin edhe borxh për dasma, gjëra të cilat nuk janë të pëlqyera në fenë e Allahut të Madhëruar.
Çështja tjetër që duhet ditur është edhe ajo se besimtarët të cilët thirren në dasmë obligohen t’i përgjigjen thirrjes, përveç nëse kanë arsye sheriatike.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
عَنْ ابْنِ عُمَرَ، قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: إِذَا دُعِيَ أَحَدُكُمْ إِلَى الْوَلِيمَةِ فَلْيَأْتِهَا.
Nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush ftohet në një dasmë (gosti martesore), le t’i përgjigjet ftesës (le të shkojë).” (Transmeton Buhariu)
Padyshim që martesa është gëzim i madh, pasi që nga martesa e suksesshme në masë të madhe varet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër. Mirëpo, ne si besimtarë muslimanë, edhe në gëzime duhet t’u përmbahemi parimeve të fesë sonë. Ndër ato parime që duhet pasur kujdes në dasma janë: mos përzierja e burrave dhe grave, përdorimi i alkoolit, muzika dhe çështje të tjera që bien ndesh me parimet e fesë sonë.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na udhëzojë të gjithëve që të ndjekim rrugën e drejtë, të bekojë martesat tona dhe t’i bëjë ato burim qetësie dhe lumturie.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun
