Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Adhurojeni Allahun e Madhëruar edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
10 pri 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Adhurojeni Allahun e Madhëruar edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, e përcollëm muajin e bekuar të Ramazanit, muajin më të mirë të vitit, në të agjëruam, e falëm namazin e teravisë, në muajin e bekuar të Ramazanit mirësitë, begatitë ishin aq të shumta sa që çdo besimtar i përjetoi dhe shfrytëzoi ato.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, me përfundimin muajit të bekuar të Ramazanit ne nuk duhet të ndalojmë edhe nga ibadetet (adhurimet) por duhet të vazhdojmë me faljen e namazeve ditore dhe të natës edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit, poashtu edhe me agjërimin e ditëve të hëna dhe të enjteve, me lexim të Kuranit çdo dit nga një pjesë të tij.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ

“Dhe adhuro (e shërbeji) Zotit tënd, deri sa të arrijë e pashmangshmja e sigurtë (vdekja).” (Kuran 15, 99)

Në ditët e festave, besimtari musliman gëzimin që e ka duhet ta shtoi atë edhe me paqe dhe pajtim ndaj atyre që ka hidhërim, pasi që festa dhe shpërblimi i angazhimit në muajin e bekuar të Ramazanit, nuk është i plotë nëse kemi hidhërim dhe i keni shkëput lidhjet tona me ndonjërin, sidomos me ata të cilët i kemi farefis dhe kemi lidhje gjaku me ta. Për atë le të jetë kjo ditë edhe pajtim dhe paqe në mes të hidhëruarve.

Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُوا بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ

“Padyshim që besimtarët janë vëllezër (në Islam). Kështu pra, bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj...” (Kuran 49, 10)

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, në hutben e Bajramit të Fitërit dhe Kurban është sunet (vepër e preferuar) të ndajmë një kohë për këshillë të veçant për motrat tona muslimane.

Motra të nderuara, Islami e ngriti pozitën e femrës muslimane nga një pozitë që të gjitha legjislacionet e shihnin me syrin e njeriut të dorë së dytë, Islami ia dha pozitën burrit dhe gruas ashtu siç e meritojnë ato. Allahu i Madhëruar pozitën e burrit dhe gruas, detyrat dhe të drejtat e njërit ndaj tjetrit i caktoi në bazë të dallimeve të tyre psike-fizike, pra i caktoi burrit detyra dhe të drejta që i përshtaten cilësive psike-fizike të tij dhe i caktoi gruas të drejta dhe detyra që i përshtaten cilësive psike-fizike të saj.

Pejgamberi alejhi selam në një hadith për burrat dhe gratë thotë:

إِنَّمَا النِّسَاءُ شَقَائِقُ الرِّجَالِ

"Gratë janë motrat e burrave” (Transmeton Ebu Davudi)

Pra hadithi na bën të qartë se burrat dhe gratë janë të njejtë përveç ku i ka dalluar Allahu i Madhëruar.

Nga zbukurimet më të mëdhaja të Allahut të Madhëruar që na ka dhuruar në këtë botë janë fëmijët, mirëpo që fëmijët të jenë zbukurim dhe kënaqësi e plotë, duhet edhe babai edhe nëna ta luajnë rolin e tyre ashtu siç duhet, pra ashtu siç porosit Allahu i Madhëruar dhe pastaj do kemi fëmijë të edukuar që do të jenë zbukurim i syve tonë.

Gruaja dhe burri duhet bashkërisht ta ndërtojnë familjen, në ndërtimin e familjes dhe edukimin e fëmijëve gruaja ka rol vendimtar, për atë ajo duhet të mburret, të jetë e kënaqur dhe krenare që lind dhe edukon fëmijë. Nëse gruaja kujdeset, e jep angazhimin e plotë në edukimin e fëmijëve pasi ajo është me ta ma shumë, dhe i shërben ata ma shumë, le ta dijë se e ka kryer obligimin më të madh sa i përket obligimeve ndaj familjes, e ka bërë punën më fisnike, më dashur dhe më të shpërblyer nga ana e Allahut të Madhëruar.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ta dimë se fëmijët janë pasqyrë e prindërve të tyre, nëse ua japim atyre të drejtat e tyre sidomos në fe dhe edukim do të kemi mirësi marramendëse nga Allahu i Madhëruar edhe në dunja (jetën e kësaj bote) edhe në ahiret (jetën e botës tjetër).

Pejgamberi alejhi selam thotë:

مَنْ دَعَا إِلَى هُدًى كَانَ لَهُ مِنَ الْأَجْرِ مِثْلُ أُجُورِ مَنْ تَبِعَهُ لَا يَنْقُصُ ذَلِكَ مِنْ أُجُورِهِمْ شَيْئًا

“Kushdo që thërret në udhëzim, do të ketë një shpërblim të ngjashëm me shpërblimin e atyre që e pasojnë atë, pa u ulur aspak nga shpërblimet e tyre.” (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi na bën të qartë se nëse ne i mësojmë, edukojmë dhe udhëzojmë siç duhet fëmijët tonë do ti marrim shpërblimet njejt siç di marrin fëmijët tonë pa mos ju ulur shpërblimet e tyre aspak. Mirëpo nëse ne vrapojmë pas dunjasë dhe i lejmë fëmijët pas, në mësim, udhëzim dhe edukim, do ti bartim mëkatet e mos udhëzimit të tyre njejt sikurse fëmijët tonë.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na mundësoi vazhdimin e ibadeteve (adhurimeve) edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit, të pajtojë çdo musliman të hidhëruar dhe të na mundësoi neve baballarëve dhe nënave dhe mbarë besimtarëve dhe besimtareve muslimane që ti udhëzojmë fëmijët tonë siç na udhëzon Allahu i Madhëruar dhe të na jep neve dhe mbarë besimtarëve dhe besimtareve muslimane fëmijë të edukuar dhe të udhëzuar në rrugë të Allahut të Madhëruar. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
17163

Character Limit 400