Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

28 Nëntori - Bashkohuni dhe mos u përçani

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
26 nën 2026

BismiLahirrahmanirrahim.

Falënderimet, lavdërimet, adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut të Madhëruar, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë, Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Allahu na bëftë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtarë dhe motra të nderuara, tema me të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time, pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoj edhe juve, ka të bëjë me temën: 28 Nëntori - Bashkohuni dhe mos u përçani!

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! Nesër është 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, një ditë e veçantë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Një ditë që na mbush me gëzim dhe krenari, por njëkohësisht na kujton sakrificat, vuajtjet dhe përpjekjet e shumë brezave për liri dhe dinjitet.

Kur e shohim flamurin tonë kuqezi, duhet të kujtojmë se pas tij qëndrojnë shumë sakrifica, lot të nënave dhe mundi i njerëzve që ëndërruan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Në këtë përpjekje morën pjesë shqiptarë të besimeve të ndryshme, muslimanë, katolikë dhe ortodoksë, të cilët, pavarësisht dallimeve fetare, bashkëpunuan për një qëllim të përbashkët. Kjo ngjarje na kujton rëndësinë e bashkimit dhe rrezikun e përçarjes.

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Famëlartë thotë:

وَأَطِيعُوا اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ وَاصْبِرُوا إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ

“Binduni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u përçani, sepse do të dobësoheni dhe do t’ju humbasë fuqia. Bëhuni të durueshëm, sepse Allahu është me durimtarët.” (Kuran 8, 46)

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! Në këtë ajet Allahu i Madhërishëm na paralajmëron për pasojat e përçarjes. Komentuesit e Kur’anit sqarojnë se shprehja وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ nënkupton humbjen e fuqisë, guximit dhe forcës së një bashkësie.

Historia jonë na ka treguar se përçarjet politike, krahinore dhe fetare shpesh e kanë dobësuar popullin shqiptar. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, përçarjet e brendshme e dëmtuan shtetin e sapoformuar. Pasojat e përçarjeve i kemi përjetuar edhe në periudha të tjera dhe fatkeqësisht vazhdojmë të përballemi me to edhe sot.

Një shembull janë edhe zhvillimet e fundit në Hagë, ku disa prej ish-udhëheqësve të UÇK-së janë dënuar në shkallë të parë për vepra gjatë periudhës së luftës 1998–1999. Duke respektuar të drejtën e çdo viktime për drejtësi, nuk duhet të lejojmë që gjykimi i individëve ta zbehë sakrificën e popullit të Kosovës, i cili vuajti më së shumti, si dhe kontributin e shqiptarëve nga të gjitha trojet për lirinë e saj, apo të krijojë përçarje të reja mes nesh.

Sepse liria që gëzojmë sot nuk ka ardhur lehtë. Pas saj qëndrojnë familje të tëra që kanë vuajtur, nëna që kanë humbur djemtë e tyre dhe njerëz që kanë dhënë më të shtrenjtën për një të ardhme më të mirë.

Shqetësuese janë edhe përpjekjet për përçarje fetare. Kohët e fundit dëgjojmë deklarata nga lëvizje të ndryshme, si ajo e Deçanit, si dhe nga disa gazetarë e analistë, të cilët e lidhin përkatësinë kombëtare me një fe të caktuar. Kjo është një mendësi e dëmshme, së cilës nuk duhet t’i japim përkrahje.

Ne nuk kemi nevojë të jemi të gjithë të një feje për ta dashur atdheun dhe për të bashkëpunuar. Hoxha le të mbetet hoxhë, prifti prift, xhamia xhami dhe kisha kishë. Secili ta ruajë besimin e vet, por të gjithë ta ruajmë respektin dhe bashkëpunimin. Nuk duhet të mbështesim askënd që nxit urrejtje dhe përçarje, pavarësisht se nga cila anë vjen ajo.

Duhet ta kemi parasysh se pozita gjeografike e shqiptarëve në Ballkan, si dhe përbërja jonë fetare e kulturore, historikisht kanë qenë të lidhura me interesat e fuqive të ndryshme. Prandaj bashkimi dhe bashkëpunimi janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen tonë.

Një mësim nga historia është edhe rasti i shqiptarëve të Rekës së Epërme në Maqedoninë e Veriut, ku një pjesë e shqiptarëve ortodoksë, si pasojë e rrethanave të ndryshme historike dhe shoqërore, me kalimin e kohës u asimiluan. Ky rast na kujton rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe lidhjeve mes shqiptarëve, pa dallim feje.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara! 28 Nëntori le të jetë një ditë gëzimi dhe krenarie, por edhe një rast për të reflektuar mbi përgjegjësinë që kemi ndaj njëri-tjetrit.

Ata që erdhën para nesh sakrifikuan shumë për të na lënë trashëgim lirinë dhe flamurin. Ndërsa ne duhet ta pyesim veten: Çfarë do t’u lëmë trashëgim fëmijëve tanë? Bashkimin apo përçarjen? Dashurinë apo urrejtjen?

Të mos lejojmë që dallimet tona të bëhen shkak për armiqësi. Të punojmë së bashku për të mirën e shoqërisë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, duke mos e harruar paralajmërimin e Allahut të Madhërishëm.

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Famëlartë thotë:

وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ

“Mos u përçani, sepse do të dobësoheni dhe do t’ju humbasë fuqia.” (Kuran 8, 46)

E lusim Allahun e Madhërishëm, me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, të na ruajë neve, familjet tona, fëmijët tanë dhe mbarë njerëzit nga urrejtja dhe përçarja.

Allahu i Madhërishëm e bekoftë popullin shqiptar kudo që jeton, ia shtoftë dashurinë, bashkimin dhe mirëkuptimin. Na mundësoftë ta ruajmë lirinë, dinjitetin dhe vlerat tona, si dhe t’u lëmë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë.

Allahu i Madhërishëm i bekoftë të gjithë popujt e botës me paqe, drejtësi dhe mirëkuptim, na largoftë nga luftërat dhe padrejtësitë dhe na bashkoftë të gjithëve në të mirë. Amin!

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
18348

Character Limit 400