Gradat e kënaqësisë me All-llahun e Madhëruar

Gradat e kënaqësisë me All-llahun e Madhëruar

Në të gjithë e dimë se njeriu jeton në dy gjendje: në gjendjen e të kënaqurit dhe gjendjen e të hidhërimit apo pikëllimit.

Kënaqësia vjen nga besimi, ndërsa pikëllimi dhe hidhërimi vijnë nga shejtani i mallkuar.

Të gjithë dijetarët janë unanimisht të pajtuar se kënaqësia është e lavdëruar tek All-llahu xh.sh.

Kënaqësia fitohet në këtë mënyrë: nëse ti bën përpjekjen maksimale në njohjen e All-llahut të Madhëruar, kuptimin e fjalëve të Tij, pra librit të All-llahut, i zbaton urdhëratë e All-llahut dhe eviton ndalesat e Tij. Kështu njeriu ndjenë kënaqësinë e dhuruar nga All-llahu i Madhëruar, e ajo është se All-llahu lëshon në zemrën e tij qetësi, rehati dhe dashuri.

Një pikë tjetër me rëndësi është nëse njeriu është në shkallët më të larta të jetës së tij dhe nuk është i kënaqur me All-llahun e Madhëruar, është në gjendje të mjerueshme e të keqe që nuk mund të përshkruhet, e nëse jemi në shkallët më të ulëta të jetës sonë, ndërsa jemi të kënaqur me All-llahun e Madhëruar, ne jemi nga njerëzit më të lumtur.

Mu për këtë, baza e kënaqësisë në jetë nuk paraqet shuma e të hollave dhe pasurisë, por të qenët i kënaqur.

Pra çështja me rëndësi është se sasia e madhe e pasurisë, shëndetit të mirë dhe mirësive të tjera me të cilat të nderoi All-llahu i Madhëruar, nuk është ajo për  qëllim, por e kundërta e saj. Nëse posedon mirësi në çdo aspekt, por nuk je i kënaqur me All-llahun e madhëruar, ato nuk janë gjë tjetër vetëm se mjerim. E nëse të kanë humbur ty mirësitë e kësaj bote e ti je i kënaqur me All-llahun e Madhëruar. Kjo është lumturia dhe kjo të bën të jesh i kënaqur.

Rëndësia e diturisë në kënaqësi

Shembull: Fëmija i ulur në karrigen e dentistit, ndërsa ka dhimbje të madhe të dhëmbit dhe e ka patjetër t’i nxirret dhëmbi, para se t‘ia nxjerrin duhet i vendosin anestezi lokale, kjo bëhet me injeksion, dhe kur i shkakton dhimbje refuzon të rri ulur, bërtet, dhe mund të fole fjalë të pahijshme! Sepse ai nuk e kupton se dentisti punon për të mirën e tij, dhe nuk e din se ky injeksion pas pak do t‘ia largoj dhimbje e madhe e të gjatë që e ndjente.

Kush e zhvillon kënaqësinë?

Sa më e madhe të jetë dituria jote për All-llahun e Madhëruar, aq ma e madhe do të jetë lumturia dhe kënaqësia. Sa më e madhe të jetë injoranca (mosbindja) për All-llahun e Madhëruar, mosdija do të sjellë mjerim, ngushtim dhe pakënaqësi, pra këto dyja shkojnë bashkë, dija me lumturinë dhe injoranca me mjerimin.

E kur njeriut i bëhet e qartë e vërteta dhe kur e sheh se në të gjitha caktimet ka urtësi, mëshirë dhe drejtësi, dhe nëse ai nuk kënaqet dhe pikëllohet, atëherë dhimbja do ti jetë më e fortë.

Ndërsa vlera e të qenët i kënaqur me All-llahun e Madhëruar është shumë e rëndësishme dhe kjo kënaqësi është baza e të qenit i kënaqur, i lumtur në këtë jetë dhe i shpëtuar në botën tjetër. Për vlerën e kënaqësisë së All-llahut.

All-llahu i Madhëruar në Kur’an thotë:

قَالَ اللَّـهُ هَـٰذَا يَوْمُ يَنفَعُ الصَّادِقِينَ صِدْقُهُمْ ۚ لَهُمْ جَنَّاتٌ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُخَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ۚ رَّضِيَ اللَّـهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ ۚ ذَٰلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ

Allahu do të thotë: “Kjo është një Ditë në të cilën të vërtetët do të përfitojnë nga e vërteta e tyre: Për ta janë Kopshtet e Begatë të Xhennetit nën të cilët rrjedhin lumenj – aty do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është ngadhënjimi madhështor i lumturisë (Xhenneti i Lartë i Pasosur).” [Maide, 119]

وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالْأَنصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُم بِإِحْسَانٍ رَّضِيَ اللَّـهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي تَحْتَهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ۚ ذَٰلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ

Me ata të cilët të parët përqafuan Islamin nga Muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medinë) dhe Ansarët (besimtarët e Medinës që i strehuan dhe i ndihmuan ata) si dhe ata që i ndoqën besnikërisht ata (në Besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë më se të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta Kopshte të Begatë nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor. [Tevbe, 100]

إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ أُولَـٰئِكَ هُمْ خَيْرُ الْبَرِيَّةِ جَزَاؤُهُمْ عِندَ رَبِّهِمْ جَنَّاتُ عَدْنٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُخَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ۖ رَّضِيَ اللَّـهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ ۚ ذَٰلِكَ لِمَنْ خَشِيَ رَبَّ

Padyshim se ata të cilët besuan (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij Muhammedin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, në Kur’an, në Islam) dhe punuan mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi), ata janë krijesat më të mira.

Shpërblimi i tyre është tek Zoti i tyre: Kopshtet e Begatë të Përjetësisë (në Xhennetin e Adnit) nën të cilët rrjedhin lumenj. Ata do të banojnë aty përgjithmonë; Allahu i Kënaqur me ta dhe ata të kënaqur me Të. Ky është (shpërblimi) për atë i cili e ka frikë Zotin e vet. [Bejjine, 7-8]

I Dërguari All-llahut salAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë:

من قال: رضيت بالله رباً، وبالإسلام ديناً، وبمحمد صلى الله عليه وسلم نبياً وجبت له الجنة

“Kush është i kënaqur me All-llahun si Zot, me Muhammedin si Profet dhe me Islamin si fe, e ka merituar xhenetin.” (Transmeton Muslimi)

Kënaqësia me All-llahun e Madhëruar në vete përmban: Respektim të All-llahut dhe Adhurimin e Tij, dorëzim dhe nënshtrim ndaj caktimit të Tij, kthimit tek Ai, dhe mbështetje në Të.

Kënaqësia me Islamin si Fe përmban: Zbatimin e urdhrave të Tij dhe evitimin e ndalesave të Tij dhe të qenët krenarë me Të.

Ndërsa kënaqësia me Muhamedin salAll-llahu alejhi ue sel-lem si Pejgamber përmban: Ndjekjen dhe pasimin e tij në të gjitha sferat e jetës sonë.

Nëse i zbatojmë këto mësime, si rezultat pritni mirësitë e All-llahut të Madhëruar.

I Dërguari i All-llahut salAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

ذَاقَ طَعْمَ الإِيمَانِ، مَنْ رَضِيَ بِالله رَبًّا، وَبِالإِسْلامَ دِيناً، وَبِمُحَمَّدٍ رَسُولاً». رواه مسلم

“E ka shijuar besimin ai që është i kënaqur me pranimin e All-llahut si Zot, Islamit si fe dhe Muhammedit si të Dërguar”. (Transmeton Muslimi)

Pra, për ta shijuar ëmbëlsinë e besimit, fillo që të kënaqesh me ëmbëlsinë e imanit (besimit).

All-llahu i Madhërishëm është i kënaqur me shokët e Muhamedit salAllahu alejhi ue sel-lem, sepse ata i zbatuan normat e Tij, i respektuan urdhërat e Tij, e All-llahu i Madhërishëm ua ktheu këtë me mirësi e kënaqësi, dhe ata ishin të kënaqur me Të në jetën e tyre. E në botën tjetër do ta kenë kënaqësinë e plotë kur do t’i shohin mirësitë e All-llahut të Gjithëmëshirshëm dhe nderimet e Tij për ta.

All-llahu i Madhëruar në Kur’an thotë:

وَعَدَ اللَّـهُ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا وَمَسَاكِنَ طَيِّبَةً فِي جَنَّاتِ عَدْنٍ ۚ وَرِضْوَانٌ مِّنَ اللَّـهِ أَكْبَرُ ۚ ذَٰلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ

Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Kopshte të Begatë të Xhenetit nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar ndër ta ngaherë dhe në vilat mahnitëse në Kopshtet e Xhenetit të Adnit. Por lumturia më e madhe është Kënaqësia e Allahut. Ky është ai ngadhënjimi më i madh. [Tevbe, 72]

لَّقَدْ رَضِيَ اللَّـهُ عَنِ الْمُؤْمِنِينَ إِذْ يُبَايِعُونَكَ تَحْتَ الشَّجَرَةِ فَعَلِمَ مَا فِي
قُلُوبِهِمْ فَأَنزَلَ السَّكِينَةَ عَلَيْهِمْ وَأَثَابَهُمْ فَتْحًا قَرِيبًا

Sigurisht që Allahu ishte i kënaqur me besimtarët kur ata të dhanë besën ty (O Muhammed) nën pemë. Ai e dinte mirë se ç’farë kishte në zemrat e tyre, pra Ai zbriti Es-Sekineh (butësinë, gjakftohtësinë e qetësinë) mbi ta dhe Ai i shpërbleu ata me fitore të afërt. [Fet’h, 18]

Imam: Azir Aziri [Ikre.ch]

Pas dëshpërimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi

Pas dëshpërimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi

Vëllezër të dashur me të vërtet kjo jetë është e shtrembëruar me lodhje e pikëllime, nëse qesh një orë do të qashë disa orë. Jeta nuk rri në një gjendje, por ajo gjithnjë ndryshon, varfëri dhe pasuri, shëndet dhe sëmundje, mirësi dhe sprova, krenari dhe poshtërim.

Njeriu më i mirë është ai të cilin nuk e ndryshojnë mirësitë dhe nuk e dobësojnë dëshpërimet, falënderues në mirësi dhe durimtar në sprova, me frikërespekt ndaj Allahut, gjithmonë i kthyer drejtë Atij dhe i mbështetur në duart e Allahut.

E sheh duke u munduar dhe përpjekur, duke i marrë shkaqet dhe sebebet për largimin e të keqes që e ka goditur.

Nuk rri i qetë dhe i dobët para të keqes, por përpiqet ta largojë sprovën dhe të keqen me vendosmërinë e të fortëve dhe të pastërtive, dhe shembull në këtë ka krijesën më të dashur të Allahut Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem dhe më pas shokët e tij të ndershëm e besnik. Kjo ngase nuk ka njerëz që janë sprovuar dhe pikëlluar më shumë se ata, por ata nuk iu dorëzuan sprovave dhe të këqijave, e as që u dobësuan para tyre, por i pritën ata me mend (logjikë) punë, përpjekje, durim e përqendrueshmëri.

Allahu i Madhëruar thotë:

E atyre (shokëve të pejgamberit) që dikush u tha:

Të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Perëndia, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Perëndia të jetë i kënaqur. Perëndia është Zot i begatisë së madhe. Vetëm djalli i frikëson miqtë e vet (për të mos shkuar në luftë). Ju mos iu frikoni atyre! Por frikohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë! [Ali Imran, 173-175]

Allahu i Madhëruar e ka caktuar një rregull për njerëzit, pas pikëllimit vjen gëzimi dhe pas vështirësive vjen lehtësimi, më së miri  këtë na shpjegon rasti i Muhammedit salAllahu alejhi ue sel-lem me Ibën Abbasin.

Transmetohet nga Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij se ka thënë: “Një ditë isha me Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem, kur më tha: “O vogëlush, unë po t’i mësoj disa fjalë: Ruaju nga Allahu (duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalimet e Tij), dhe Ai ty do të të ruajë, ruaju nga Allahu dhe Ai do të jetë me ty (do të të mbrojë dhe të ndihmojë), nëse e lut dikë, atëherë lute vetëm Allahun, nëse kërkon ndihmë, atëherë kërko vetëm prej Allahut. Dije se sikur gjithë populli të mblidhet për të të ndihmuar në diçka, ata nuk mund të të ndihmojnë asgjë më tepër sesa të ka përcaktuar Allahu. Po edhe sikur të mblidhen për të të dëmtuar diçka, ata nuk do t’ia dalin të të dëmtojnë përveç asaj që të ka përcaktuar Allahu. Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur, kurse ngjyra e shkrimit (të fatit) është tharë. (Do të thotë: nuk mund të shlyhet dhe të ndryshohet përcaktimi).”

Allahu i Madhëruar thotë:

 “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” [Inshirah, 5-6]

Vëllezër të dashur! Pas pikëllimit vjen gëzimi, pas të keqes vjen e mira, pas varfërisë vjen pasuria, dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi, ky është ligj i Allahut në tokë.

Ndërsa shkaku kryesor që t’i largojmë të këqijat, ta hapim rrugën e mirësisë është frikë respekti ndaj Allahut, kthimi tek Ai, mbështetja tek Ai, dhe njohja e Tij kur të jemi mirë duke i kryer urdhërat e Allahut dhe evitimin e ndalesave të Tij.

“… e kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” [El-Talek, pjesë nga ajeti 2-3]

“…E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën. Ky është vendim i Allahut që ua zbriti juve, e kush e ka frikë Allahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.” [El-Talek, pjesë nga ajetit 4-5]

Dahak ibën Kajs, Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë:

Kujtoni Allahun në mirëqenie do t’ju kujtoj kur në vështirësi, sikur që Junusi alejhis-selam e kujtonte Allahun ndërsa gjendej në barkun e balenës.

Allahu i Madhëruar thotë:

“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e saj deri në ditën e ringjalljes.” Es-Safat, 143-144

Prandaj vëllezër të kemi frikërespekt ndaj Allahut, të kthehemi tek Ai ndërsa jemi në mirëqenie, ndërsa në vështirësi, ta lusim Allahun me përulje dhe nënshtrim ashtu siç vepruan të Dërguarit e Allahut që janë shëmbëlltyrat tona e shpëtuan nga sprovat të rënda.

Allahu i Madhëruar për Junusin alejhi-selam thotë:

“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësirë ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes!” Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” [El-Enbija, 87-88]

Në fund të ajetit, Allahu i madhëruar thekson se nëse veprojmë sikur ata edhe neve do të na jep mirësi siç ju dha atyre.

Allahu i Madhëruar për Ejubin alejhis-selam tha:

“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit! Ne iu përgjigjem atij nga mëshira e Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, ia dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.” El-Enbija, 83-84

Le ta shtojmë dhikrin, istigfarin dhe salavatet mbi të Dërguarin tonë të dashur, salAllahu alejhi ue sel-lem, e të themi me qetësi e përqendrim: O Ti që je i Gjallë e i Përhershëm, të përgjërohemi për mëshirën tënde, na bëj besimin e paluhatshëm tek Ty, besimin dhe bindjen se gjithçka është në duart Tuaja!  Le ta lusim Atë dhe të kërkojmë nga Allahu ndërmjetësimin e leximit të Kuranit, që të na largojë të këqijat që na kanë kapluar e të na kthej pikëllimin në gëzim dhe vështirësitë në lehtësim.

Allahu i Madhëruar thotë:

“…Allahu e vë në rrugë të drejtë atë qe dëshiron.” [El-Bekare, pjesë nga ajetit 213]

Me këtë ligjëratë të udhëzon Allahu po ti duhet ta pranosh udhëzimin.

Hoxhë Azir Aziri
(ikre.ch)

Sprovat dhe Durimi

Sprovat dhe Durimi

Vëllezër të dashur! Sprova në këtë jetë e ka kuptimin e provimit dhe shqyrtimit.

Sprova është edhe qëllim i krijimit të jetës dhe vdekjes, dhe pastaj çdokush do të shpërblehet në bazë të punës së tij dhe sipas veprave dikush do të njihet sinqertë dhe i drejtë e dikush jo.

Allahu i Madhëruar thotë:

“I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send.  Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepër mirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” [Mulk, 1 – 2]

“…Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që ua dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit.” [El Maide, 48]

Gjëja ku më së shumti Allahu i sprovon besimtarët është në shpërndarjen e mirësive të tij mes njerëzve në pasuri, në fëmijë, në forcë dhe në pozita.

Dhe për atë, Allahu e krijoi pasurinë dhe varfërinë, të fortin dhe të dobëtin, të shëndoshin dhe të sëmurin, atë që lind dhe sterilin, që te shohë se cili prej nesh do të ketë frikërespekt ndaj Allahut dhe cili do të ketë durim, cili do të jetë I kënaqur e cili do të kundërshtojë caktimin e Allahut.

“Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. Allahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues.” [El-En’am, 165]

Në këto sprova ka mësim, predikim dhe përkujtim për njerëzit, sepse kjo botë është botë e telasheve, halleve, derteve dhe është e përkohshme, e jo vendi i lumturisë dhe nuk është i përhershëm.

Po ashtu në këto sprova ka një urtësi të lartë, që nuk mundet ta kapë përveç atij i cili logjikon mendon dhe mediton dhe e dëgjon zgjuarsinë e tij, e ajo është që në zemrën e të sprovuarit i nxit një dashuri dhe mëshirë, e më pastaj i bëhet e qartë ajo çka i solli njeriut nga mungesa e dashurisë, mëshirës e sinqeritetit, e atëherë do të kënaqet me mirësinë e dashurisë, lidhjes dhe afërsisë.

E sa sprova ishin shkak për udhëzimin e njerëzve dhe lidhjen e zemrave të tyre me dashurinë e Allahut, sa sprova ishin shkak që të lidhen zemrat e ndara, dhe ia kthen zemrën e valluat vllahut të vet, sa sprova larguan shqetësimet shpirtërore tek njerëzit, dhe vërtetuan dashurinë e sinqertë, dhe zbuluan intrigat e gënjeshtarëve e hipokritëve.

Allahu i Madhëruar thotë:

Xhenneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata, dhe prindërit e tyre, dhe gratë e tyre, dhe pasardhësit e tyre – ata që kanë qenë të mirë, e engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë: (e ju thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar, e sa përfundim i bukur që është ky!” [Rad, 23 – 24]

“…Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [Enfal, 46]

“Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, kini frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e Allahut është e gjerë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” [Zumer, 10]

“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve.” [Ankebut, 69]

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Vazhdon të sprovohet besimtari dhe besimtarja në veten e tij, në fëmiun e tij dhe në pasurinë e tij, derisa ta takojë Allahun ndërsa nuk i ka mbetur atij asnjë mëkat”. (Transmeton Tirmidhiu)

Thotë Allahu i Madhëruar në hadith Kudsij:

“Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t’ia kompensojë me Xhennet.”  [Buhari]

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë:

 “Kur Allahu i dëshiron një robi të Vet diç të mirë (hajr), Ai ia shpejton dënimin në këtë botë, ndërsa kur Allahu dëshiron që një rob të Vetin ta qëllojë e keqja (sherr), Ai ia lë mëkatet e pafalura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e Gjykimit dhe aty e gjen e keqja.”  [Buhari dhe Muslimi]

“Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e therës, me secilën prej këtyre Allahu ia shlyen mëkatet atij.” [Muttefekun alejhi]

Allahu i Madhëruar thotë:

“Dhe respektojeni Allhun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [El Enfal, 46]

“Kur ju ishit në bregun e afërt të luginës, e ata në bregun e largët të saj (ju kah Medina e ata kah Meka), ndërsa karvani ishte më poshtë prej jush (kah deti). Dhe, sikur të ishit ju ata që njëri-tjetrit i keni caktuar takimin, do ta thyenit caktimin. Por Allahu ishte Ai që zbatoi çështjen e kryer tanimë, e të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua dhe ta bëjë të jetojë me argumente atë që jetoi. Allahu vërtet dëgjon e di.” [El Enfal, 42]

“…Allahu i do durimtarët.” [Ali Imran, 146]

“Dhe ti, jij i durueshëm, se Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve.” [Hud, 115]

“…ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” [Zumer, 10]

“Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme. E Ne do t’ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.” [En Nahl, 96]

“Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me Xhennet dhe me petka mëndafshi.” [El-Insan, 12]

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“A do të ta tregoj një nga gratë e Xhenetit? “Gjithsesi” i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e i tha: “Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë atë e fsheh (nga njerëzit), andaj lute për mua Allahun e Madhërishëm.” (Pejgamberi) Tha: “Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhenetin, e nëse do, po i bëj lutje Allahut të Madhërishëm që të të shërojë.” Ajo tha: “Do të duroj.” Pastaj ajo vazhdoi: “Unë e kam fshehur, andaj lute Allahun që më mos ta fsheh.” Dhe Pejgamberi i bëri lutje.” [Buhariu dhe Muslimi]

T’i frikohemi Allahut vëllezër të dashur dhe duhet të dimë dhe të bindemi, se jeta e kësaj bote kërkon luftë dhe sakrificë, është mejdan serioziteti e durimi, sepse kjo botë është e shkurtër sa do që të zgjatë, frymë të numëruara sa do që të jenë dhe ne bazë të forcës tënde do të jenë sprovat, e kush është i kënaqur me to do të merë kënaqësi, e kush do të jetë i hidhëruar me to do ti ngelet hidhërimi.

Të bëhemi të durueshëm më caktimin e Allahut, e sprovat e Tij t’i presim me pendim.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [El Enfal, 46]

Hoxhë: Azir Aziri

Ikre.ch

Sabri (Durimi) dhe dobitë e tij

Sabri (Durimi) dhe dobitë e tij

Definicioni i sabrit (durimit)

Sabër është fjalë e gjuhës arabe që në gjuhën shqipe e ka kuptimin e “të përmbajturit, të hequrit dorë, të ndaluarit nga diçka“.

Në kuptimin terminologjik të Islamit, sabër do të thotë: Ta ndalojmë veten tonë nga dëshpërimi, mërzia dhe paniku, ta ndalojmë gjuhën tonë nga ankimi, sharja, bërtitja dhe shfaqja e pakënaqësisë sonë ndaj diçka të pakëndshme që na ka ndodhur dhe t’i ndalojmë duart tona nga goditja e fytyrës, shkulja e flokëve, grisja e rrobave në kohë fatkeqësie e stresi dhe situata të vështira.

Vëllezër të dashur, nëse na kaplojnë kriza të ndryshme dhe zgjedhja e tyre vështirësohet, na shoqërojnë pengesa, halle e derte të ndryshme dhe këto situata na duken i ngjasojnë natës së gjatë dhe pa përfundim.

Sabri është e vetmja rreze drite që besimtarit i garanton mbrojtje nga çdo ngatërrim dhe shkatërrim dhe paraqet udhëzues mbrojtës nga humbja e shpresës dhe rënie në depresion.

Sabri është vlerë që i nevojitet muslimanit në jetën e kësaj bote, dhe e ka të patjetërsueshme rregullimin e obligimeve dhe shpresat mbi këtë parim, përndryshe do të jetë i pasuksesshëm në angazhimet e përditshme.

Duhet të mësojmë ta qetësojmë shpirtin tonë në vështirësi dhe të jemi në pritje të rezultateve pozitive sado që të na duken të largëta, si dhe të ballafaqohemi me vështirësitë sado që të jenë të rënda duke pasur zemër pa dyshime dhe mendje të kthjellët që nuk ndikohet nga vështirësitë.

E gjithë kjo për arsye se është e patjetërsueshme dhe rregull i Zotit në këtë botë që do të sprovohemi dhe duhet me vepër të dëshmojmë nëse jemi të durueshëm apo jo.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ne do t’ju vëmë në sprovë juve, përderisa t’i njohim në thelb ata të cilët prej jush luftojnë në rrugën e drejtë dhe durojnë, si dhe për t’i vërtetuar lajmet për veprat tuaja. [Muhammed, 31]

Ndaj sa më tepër që të sprovohemi dhe ne i ballafaqojmë ato sprova me sabër, pritni sihariqet që ju presin nga Allahu i Madhërishëm dhe mirësitë e Tij si rezultat i sabrit të treguar.

Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe. Nëse është i dobët në besimin e tij do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat. (Transmeton Tirmidhiu)

Nuk ka dyshim se pritja e situatave të vështira me dritën e diturisë dhe me një përgatitje të plotë të atyre vështirësive është punë më e mençur dhe më e saktë për njeriun dhe më e afërt për rregullimin e punëve tona.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ju me siguri do të sprovoheni në pasuritë tuaja dhe me vetveten, dhe do të dëgjoni me të vërtetë shumë ofendime prej atyre të cilëve u është dhënë Libri përpara jush, si edhe nga politeistët. Prandaj nëse qëndroni dhe i frikësoheni Allahut, ani, kjo është çështje vendimtare.

“Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Perëndisë, me të vërtetë, ajo është vendosmëri e madhe në vepër.” [Ali Imran, 186]

“E, nëse ndëshkoni, ndëshkoni ashtu si keni qenë të ndëshkuar ju, e nëse duroheni, kjo është më së miri për të durueshmit. Duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Perëndisë. Dhe, mos u pikëllo për ta, e mos u ngushto ti për shkak të dredhive të tyre, me të vërtetë, Perëndia është me ata, që i druajnë Perëndisë dhe që janë bamirës.” [Nahl, 126 – 128]

Sabri mbështetet mbi dy të vërteta:

E para ka të bëj me natyrshmërinë e jetës së kësaj bote, sepse Allahu i Madhërishëm nuk e ka bërë këtë botë vend shpërblimi, rehatie dhe përqendrueshmërie, por e bëri vend angazhimi mundimi dhe sprovimi, dhe periudha që e kalon njeriu në këtë botë, është periudhë përvojash dhe sprovash.

Me përfundimin e një provimi pason një provim tjetër, e nëse bën sabër dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut, do ta arrijë kënaqësinë dhe Mëshirën e Allahut, e kush dëshpërohet dhe hidhërohet, ai do ta ketë hidhërimin dhe dënimin e Tij.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Na do t’ju provojmë me ndonjë gjë: me pak frikë, uri, me dëmtim të pasurisë, dëmtim të njerëzve dhe të të lashtave. Ti sihariqoji durimtarët! Atyre të cilët kur i godit ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Zotit jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me dhunti dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë! [El Bekare, 155 – 157]

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, thotë:

“Vërtet, madhësia e shpërblimit është po aq e madhe sa sprova. Me të vërtetë, nëse Allahu i Lartësuar e do një popull e sprovon atë. Ai i cili është i kënaqur (me sprovën), Allahu është i kënaqur me të. Ndërsa ai i cili është i hidhëruar (nga sprova), Allahu është i hidhëruar me të.” [Tirimidhiu]

E vërteta e dytë ka të bëjë me natyrshmërinë e besimit. Pra, lidhja e njeriut me Krijuesin. E për t’u vërtetuar kjo lidhje, patjetër të sprovohet që të zbulohet e vërteta sa është e fortë dhe e vërtet kjo lidhje.

Allahu i Madhëruar thotë:

Elif, Lám, Mîm. A mendojnë njerëzit se do të lihen të qetë nëse thonë: “Na kemi besuar! E që ata nuk do të vihen në sprovë? E, me të vërtetë, Ne i kemi sjellë në sprovë, ata që kanë qenë para tyre, e Perëndia do të tregojë për ata që thonë të vërtetën dhe për ata që gënjejnë. [El Ankebut, 1 – 3]

E mbi këto dy të vërteta ngritët durimi, dhe për këto arsye feja e kërkon durimin, sepse në natyrshmërinë e njeriut është ta mbulojë të vërtetën, kur e godet një e mirë lavdërohet, dhe kur e godet një e keqe mërzitet, dëshpërohet dhe e kap paniku. E mbi këto të vërteta ne duhet te risim punët dhe veprat e praktikës së jetës sonë.

Në vijim do të theksojmë disa ajete kur’anore dhe thënie të të Dërguarit të Allahut mbi sabrin:

“…Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” [Zumer, 10]

“O besimtarë! Kërkoni ndihmë prej Zotit duke duruar dhe duke u falur! Me të vërtetë Zoti është me durimtarët.” [El Bekare, 153]

“E, ti bëhu i durueshëm (o Muhammed) ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje pejgamberët e tjerë dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ta!…” [Ahkaf, 35]

“Xhenneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata, dhe prindërit e tyre, dhe gratë e tyre, dhe pasardhësit e tyre – ata që kanë qenë të mirë, e engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë: (e ju thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar, e sa përfundim i bukur që është ky!” [Rad, 23 – 24]

I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Çdo një gjë që e godet besimtarin, një dhimbje there, ose diçka më të madhe, me to Allahu e pastron prej të këqijave, ashtu sikur pema lëshon gjethet e saj.” [Ahmed, Ibën Ebi Shejbe]

Për atë ta kemi frikë Allahun, dhe ta dimë se sabri në vështirësi është argument i njerëzve të mëdhenj, shenjë kompletimi dhe argument i kontrollimit të nefsit apo dëshirave.

Për atë një nga emrat e Allahut është (صبر) I Durueshëm, sepse Allahu duron dhe nuk e shpejton apo vonon dënimin edhe pse njerëzit i shpejtojnë mëkatet.

Të zbukurohemi me durim, ngadalësim dhe pritje për punët tona, sepse kjo është cilësi e lavdëruar dhe ilaç shërues.

Allahu i Madhëruar thotë:

“Këtë mund ta arrijnë vetëm ata që durojnë dhe këtë mund ta arrijnë vetëm ata që janë të pajisur me virtyte të bukura.” [Fusilet, 35]

Hoxhë: Azir Aziri

Ikre.ch

Rrena dhe të këqijat e saj

Rrena dhe të këqijat e saj

Definicioni i Rrenës

Rrenë paraqet fjala e cila nuk është në përputhshmëri me të vërtetën.

Nëse ndershmëria paraqet bazë dhe themel të çdo vlere dhe mirësie, atëherë rrena është bazë e çdo të ligësie. Mu për këtë shkak, Islami rrenën e cilësoi si haram dhe na e tërhoqi vërejtjen që ta evitojmë atë dhe e paraqiti si karakteristikë të jobesimtarëve dhe njerëzve të dyfytyrshëm të cilëve iu premtoi dënime të dhimbshme në botën tjetër.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër). [En Nahl, 116-117]

Pa dyshim që rrena është karakteristikë e njerëzve të prishur dhe të pamoralshëm. Ajo në vete përmbledh çdo të keqe dhe është bazë e çdo poshtërsie për shkak të përfundimit të keq dhe pasojave të këqija dhe të poshtra.

Pasojë e gënjeshtrës është përgojimi dhe shpifja, mandej pason urrejtja dhe nga ajo del armiqësia, ndërsa në armiqësi nuk ka siguri e qetësi.

Allahu i Madhërishëm thotë:

O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)![Et-Teube, 119]

Pa dyshim që rrena është një cilësi e pandershme e cila buron dhe zhvillohet në shpirtrat e mbuluar me dashuri ndaj të keqes dhe njerëzve të pasjellshëm, gjë që i shpie në mëkat të panevojshme.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Kush është më i keq se ai që trillon gënjeshtra për Allahun dhe hedh poshtë të Vërtetën (Kur’anin), kur ajo i vjen atij?! A nuk është Xhehenemi strehë për mohuesit?! Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit. Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët. Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.” [Ez Zumer, 32-35]

Vërtet, gënjeshtra trillojnë vetëm ata, që nuk u besojnë shpalljeve të Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë.” [En-Nahl, 105]

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Ibën Mes’udi (radijAllahu anhu) tregon se i Dërguari (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhennet. Vërtet, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Kurse, me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurjes, e shthurja të shpie në Zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu Gënjeshtar.” (TransmetojnëBuhariu dhe Muslimi)

Në një rast tjetër i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Mjerë për atë i cili flet diçka që i bën për të qeshur njerëzit dhe gënjen, mjerë për atë, mjerë për atë!” (Tirmidhiu)

“Unë jam garantues për një shtëpi në qoshe të Xhennetit, për atë që e eviton debatin edhe pse ka te drejte. Për një shtëpi në mes të Xhennetit, për atë që eviton gënjeshtrën edhe pse është shaka. Për një shtëpi në lartësinë më të lartë të Xhennetit, për atë që ka morale të larta.” (Ebu Davudi)

Rrena është baza e çdo ligësie dhe ajo mund të manifestohet në disa forma dhe disa mënyra: dyfytyrëshi gënjen sepse paraqitet ndryshe nga ajo çka fsheh brenda tij, mendjemadhi gënjen sepse veten e sheh në një shkallë më të lartë nga gjendja reale, shpifësi gënjen sepse e thotë atë çka nuk është e vërtetë dhe shkakton përçarje, dëshmitari i rrejshëm është gënjeshtar sepse te pavërtetën e bën të vërtetë, i nënshtruari është gënjeshtar sepse të lavdëron me atë që nuk e ke për ndonjë nevojë, mëkatari është gënjeshtar sepse e gënjen Allahun për premtimin e tij se do ta respektojë fenë.

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Njeriu më mirë është ai i cili ka zemër të pastër dhe që e flet vetëm të vërtetën”. E pyetën: Atë i cili flet të vërtetën e njohim dhe dallojmë, por kush është ai me zemër të pastër?! Tha: ” I devotshmi qelibar, që s’bën mëkate dhe nuk i hyn në hak askujt dhe nuk ka zili dhe as smirë ndaj të tjerëve. (Sahihul Xhami)

Abdullah Ibën Amri transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush i ka këto katër cilësi është dyfytyrësh, ndërsa kush e ka një cilësi prej tyre ka në vete një pjesë nga dyfytyrësia derisa ta braktisë atë, (ato janë): kur i lihet diçka në besim – ai e tradhton, kur flet – gënjen, kur bën marrëveshje e thyen – e tradhton atë dhe kur është në konflikt i tejkalon kufijtë (e drejtësisë)”. (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi)

Vëllezër të dashur, le t’i frikësohemi Allahut dhe gjithmonë të jemi të ndershëm në fjalët, veprat dhe në të gjitha gjendjet tona, të largohemi nga gënjeshtrat dhe mashtrimet me të gjitha format e saj sepse Allahu i Madhërishëm thotë:

“…Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar. [El-Gafir, 28]

Ndalimi i rrenës bën përjashtim vetëm në tre raste:

1. Gënjimi i armikut sepse lufta është taktikë;

2. Gënjimi gjatë pajtimit të dy personave të hidhëruar dhe

3) Gënjimi i gruas nëse e ke për qëllim shtimin e dashurisë reciproke.

Hoxhë: Azir Aziri
[ikre.ch]

Ndershmëria dhe rëndësia e saj

Ndershmëria dhe rëndësia e saj

Definicioni i ndershmërisë nënkupton të kundërtën e gënjeshtrës apo mashtrimit.

Ndershmëri paraqet kur fjalët tona përputhet me veprat!

Baza e të qënit njeri i lumtur, qëndron në ngritjen dhe plotësimin e personalitetit, ndërsa kjo nuk mund të arrihet përveç se me sjellje dhe moral të mirë dhe duke u larguar nga fjalët dhe veprat e ulëta e të këqija.

Gjithsesi cilësia më e rëndësishme morale e cila lidhet me jetën e individit dhe shoqërisë, dhe baza morale nga e cila varet përmirësimi i shoqërisë dhe funksionimi i rendit të saj është ndershmëria.

Pra, ndershmëria është nga cilësitë më të rëndësishme e cila kërkohet nga çdo njeri në këtë botë, sepse me të fiton punëtori, tregtari, ka sukses prodhuesi dhe kështu krijohet besueshmëria në mes njerëzve.

Sikur të mos ishte ndershmëria, do të fshihej e vërteta dhe do humbej bashkëpunimi, qetësia, besimi, dhe njerëzit do të jetonin në një atmosferë të stërmbushur me ankth dhe çrregullim, pëshpëritje e të keqes (veseve) dhe hamendjes; e kështu do t’ju prishej rregulli i jetës së tyre, i namazit të tyre dhe do të shembej ndërtesa e besueshmërisë së tyre.

Vëllezër të dashur! Ndershmëria përmban mirësinë dhe paraqet formulën e ngritjes tek Allahu i Madhëruar, shenjë e plotësimit të personalitetit të njeriut dhe pasqyrë e sjelljes së pastër.

Ndershmëria siguron të drejtat e njerëzimit, forcon besueshmërinë mes individit dhe shoqërisë, dhe është e patjetërsueshme për dijetarin (hoxhën), udhëheqësin, gjykatësin, tregtarin, punëtorin, prodhuesin, burrin, gruan, të madhin, të voglin… deri sa ata jetojnë së bashku në një shoqëri dhe kanë raporte të ndërsjella njëri me tjetrin.

Vëllezër të dashur! A nuk është e vërtetë kjo se nëse tregtari është i ndershëm në tregtinë e tij, njerëzit do të kenë besim dhe do të blejnë tek ai, ashtu ndodh me prodhuesin, bujkun, mjekun, administratorin dhe çdo njëri që ka punë me njerëzit.

Të ndershmit i mjafton krenaria që njerëzit e ngritin dhe e vlerësojnë atë; ndaj nëse është i pasur e vlerësojnë dhe nderojnë, ndërsa nëse është i varfër e ndihmojnë; nëse është i mjerë qëndrojnë me të, e nëse është tregtar dhe prodhues bashkëpunojnë me të, e kështu të ndershmit nuk i mbarojnë mirësitë qofshin ato materiale apo shpirtërore.

Vëllezër të dashur! Nuk duhet të themi se sot s’ka ndershmëri, por të pendohemi dhe të bëhemi ne ata që gjithmonë janë të ndershëm.

Allahu i Madhëruar thotë:

O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore. Kaptina Ahzab, 70-71

Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre. Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do ose do t’u pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Kaptina Ahzab, 23-24

Ndërsa i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë:

Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhenet. Vërtetë, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurjes, e shthurja të shpie në zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu gënjeshtar.” (transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Në një porosi tjetër nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem qëndron:

Transmetohet nga Ubadetu ibën Samit (Allahu qoftë i kënaqur nga ai) se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

Nëse më garantoni gjashtë gjëra, ju garantojë Xhenetin:

“Thoni të vërtetën kur të flisni, mbajeni fjalën kur ta jepni, çojini amanetet në vend, ruani nderin tuaj, ulni shikimin ndaj haramit dhe mos bëni keq me duart tuaja.” (Transmeton Ahmedi)

Nga historia Islame veçojmë rastin kur perandori romak Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin për Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem:

“A ka gënjyer ai ndonjëherë?”

Ebu Sufjani iu përgjigj: “Jo”

Herakliu tha: “Ai që nuk gënjen njerëzit, nuk gënjen Zotin.”

Nga historia islame veçojmë edhe rastin e beduinit i cili e kishte pranuar Islamin. Pas një beteje të zhvilluar, ia kishin ofruar ganimetet (plaçkën e luftës), ndërsa ky shkoi te Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha se nuk ka ardhur për ato, por për të luftuar për hir të Allahut dhe të ndërrojë jetë si dëshmorë.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem i tha nëse kjo është e vërtetë dhe je i ndershëm në këtë, do ta gjesh në një luftë tjetër. Kështu edhe ndodhi, dhe i Dërguari i Allahut tha se ka qenë i sinqertë dhe i ndershëm me Allahun, dhe Allahu i Madhëruar ia dhuroi atë që dëshironte.

Pastaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem bëri dua për të:

O All-llahu im! Ky është robi Yt, u shpërngul për në rrugën Tënde, ra dëshmor, unë dëshmoj për të!

Allahu i Madhëruar na e mundësoftë të gjithëve të jemi të ndershëm dhe të sinqertë në veprat dhe fjalët tona!

Hoxhë: Azir Aziri
[ikre.ch]