
Sprovat dhe Durimi
Vëllezër të dashur! Sprova në këtë jetë e ka kuptimin e provimit dhe shqyrtimit.
Sprova është edhe qëllim i krijimit të jetës dhe vdekjes, dhe pastaj çdokush do të shpërblehet në bazë të punës së tij dhe sipas veprave dikush do të njihet sinqertë dhe i drejtë e dikush jo.
Allahu i Madhëruar thotë:
“I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send. Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepër mirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” [Mulk, 1 – 2]
“…Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t’ju sprovojë në atë që ua dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e Ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheshit.” [El Maide, 48]
Gjëja ku më së shumti Allahu i sprovon besimtarët është në shpërndarjen e mirësive të tij mes njerëzve në pasuri, në fëmijë, në forcë dhe në pozita.
Dhe për atë, Allahu e krijoi pasurinë dhe varfërinë, të fortin dhe të dobëtin, të shëndoshin dhe të sëmurin, atë që lind dhe sterilin, që te shohë se cili prej nesh do të ketë frikërespekt ndaj Allahut dhe cili do të ketë durim, cili do të jetë I kënaqur e cili do të kundërshtojë caktimin e Allahut.
“Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. Allahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues.” [El-En’am, 165]
Në këto sprova ka mësim, predikim dhe përkujtim për njerëzit, sepse kjo botë është botë e telasheve, halleve, derteve dhe është e përkohshme, e jo vendi i lumturisë dhe nuk është i përhershëm.
Po ashtu në këto sprova ka një urtësi të lartë, që nuk mundet ta kapë përveç atij i cili logjikon mendon dhe mediton dhe e dëgjon zgjuarsinë e tij, e ajo është që në zemrën e të sprovuarit i nxit një dashuri dhe mëshirë, e më pastaj i bëhet e qartë ajo çka i solli njeriut nga mungesa e dashurisë, mëshirës e sinqeritetit, e atëherë do të kënaqet me mirësinë e dashurisë, lidhjes dhe afërsisë.
E sa sprova ishin shkak për udhëzimin e njerëzve dhe lidhjen e zemrave të tyre me dashurinë e Allahut, sa sprova ishin shkak që të lidhen zemrat e ndara, dhe ia kthen zemrën e valluat vllahut të vet, sa sprova larguan shqetësimet shpirtërore tek njerëzit, dhe vërtetuan dashurinë e sinqertë, dhe zbuluan intrigat e gënjeshtarëve e hipokritëve.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Xhenneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata, dhe prindërit e tyre, dhe gratë e tyre, dhe pasardhësit e tyre – ata që kanë qenë të mirë, e engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë: (e ju thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, meqë keni duruar, e sa përfundim i bukur që është ky!” [Rad, 23 – 24]
“…Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [Enfal, 46]
“Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, kini frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e Allahut është e gjerë, ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” [Zumer, 10]
“E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve.” [Ankebut, 69]
I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Vazhdon të sprovohet besimtari dhe besimtarja në veten e tij, në fëmiun e tij dhe në pasurinë e tij, derisa ta takojë Allahun ndërsa nuk i ka mbetur atij asnjë mëkat”. (Transmeton Tirmidhiu)
Thotë Allahu i Madhëruar në hadith Kudsij:
“Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t’ia kompensojë me Xhennet.” [Buhari]
I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu ka thënë:
“Kur Allahu i dëshiron një robi të Vet diç të mirë (hajr), Ai ia shpejton dënimin në këtë botë, ndërsa kur Allahu dëshiron që një rob të Vetin ta qëllojë e keqja (sherr), Ai ia lë mëkatet e pafalura në këtë botë, ashtu që të vijë me mëkate në Ditën e Gjykimit dhe aty e gjen e keqja.” [Buhari dhe Muslimi]
“Çkado që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e therës, me secilën prej këtyre Allahu ia shlyen mëkatet atij.” [Muttefekun alejhi]
Allahu i Madhëruar thotë:
“Dhe respektojeni Allhun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [El Enfal, 46]
“Kur ju ishit në bregun e afërt të luginës, e ata në bregun e largët të saj (ju kah Medina e ata kah Meka), ndërsa karvani ishte më poshtë prej jush (kah deti). Dhe, sikur të ishit ju ata që njëri-tjetrit i keni caktuar takimin, do ta thyenit caktimin. Por Allahu ishte Ai që zbatoi çështjen e kryer tanimë, e të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua dhe ta bëjë të jetojë me argumente atë që jetoi. Allahu vërtet dëgjon e di.” [El Enfal, 42]
“…Allahu i do durimtarët.” [Ali Imran, 146]
“Dhe ti, jij i durueshëm, se Allahu nuk ua humb shpërblimin bamirësve.” [Hud, 115]
“…ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” [Zumer, 10]
“Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është te Allahu është e përjetshme. E Ne do t’ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan.” [En Nahl, 96]
“Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me Xhennet dhe me petka mëndafshi.” [El-Insan, 12]
I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“A do të ta tregoj një nga gratë e Xhenetit? “Gjithsesi” i thashë, e ai më tha: “Kjo grua zezake erdhi te Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e i tha: “Mua nganjëherë më godet epilepsia dhe unë atë e fsheh (nga njerëzit), andaj lute për mua Allahun e Madhërishëm.” (Pejgamberi) Tha: “Nëse do, bëj durim në sëmundje, do ta fitosh Xhenetin, e nëse do, po i bëj lutje Allahut të Madhërishëm që të të shërojë.” Ajo tha: “Do të duroj.” Pastaj ajo vazhdoi: “Unë e kam fshehur, andaj lute Allahun që më mos ta fsheh.” Dhe Pejgamberi i bëri lutje.” [Buhariu dhe Muslimi]
T’i frikohemi Allahut vëllezër të dashur dhe duhet të dimë dhe të bindemi, se jeta e kësaj bote kërkon luftë dhe sakrificë, është mejdan serioziteti e durimi, sepse kjo botë është e shkurtër sa do që të zgjatë, frymë të numëruara sa do që të jenë dhe ne bazë të forcës tënde do të jenë sprovat, e kush është i kënaqur me to do të merë kënaqësi, e kush do të jetë i hidhëruar me to do ti ngelet hidhërimi.
Të bëhemi të durueshëm më caktimin e Allahut, e sprovat e Tij t’i presim me pendim.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” [El Enfal, 46]
Hoxhë: Azir Aziri
Ikre.ch