Rrena dhe të këqijat e saj

Rrena dhe të këqijat e saj

Definicioni i Rrenës

Rrenë paraqet fjala e cila nuk është në përputhshmëri me të vërtetën.

Nëse ndershmëria paraqet bazë dhe themel të çdo vlere dhe mirësie, atëherë rrena është bazë e çdo të ligësie. Mu për këtë shkak, Islami rrenën e cilësoi si haram dhe na e tërhoqi vërejtjen që ta evitojmë atë dhe e paraqiti si karakteristikë të jobesimtarëve dhe njerëzve të dyfytyrshëm të cilëve iu premtoi dënime të dhimbshme në botën tjetër.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër (në këtë jetë), por i pret një dënim i dhembshëm (në jetën tjetër). [En Nahl, 116-117]

Pa dyshim që rrena është karakteristikë e njerëzve të prishur dhe të pamoralshëm. Ajo në vete përmbledh çdo të keqe dhe është bazë e çdo poshtërsie për shkak të përfundimit të keq dhe pasojave të këqija dhe të poshtra.

Pasojë e gënjeshtrës është përgojimi dhe shpifja, mandej pason urrejtja dhe nga ajo del armiqësia, ndërsa në armiqësi nuk ka siguri e qetësi.

Allahu i Madhërishëm thotë:

O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)![Et-Teube, 119]

Pa dyshim që rrena është një cilësi e pandershme e cila buron dhe zhvillohet në shpirtrat e mbuluar me dashuri ndaj të keqes dhe njerëzve të pasjellshëm, gjë që i shpie në mëkat të panevojshme.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Kush është më i keq se ai që trillon gënjeshtra për Allahun dhe hedh poshtë të Vërtetën (Kur’anin), kur ajo i vjen atij?! A nuk është Xhehenemi strehë për mohuesit?! Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit. Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët. Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.” [Ez Zumer, 32-35]

Vërtet, gënjeshtra trillojnë vetëm ata, që nuk u besojnë shpalljeve të Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë.” [En-Nahl, 105]

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Ibën Mes’udi (radijAllahu anhu) tregon se i Dërguari (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhennet. Vërtet, njeriu vazhdon të jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Kurse, me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurjes, e shthurja të shpie në Zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu Gënjeshtar.” (TransmetojnëBuhariu dhe Muslimi)

Në një rast tjetër i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Mjerë për atë i cili flet diçka që i bën për të qeshur njerëzit dhe gënjen, mjerë për atë, mjerë për atë!” (Tirmidhiu)

“Unë jam garantues për një shtëpi në qoshe të Xhennetit, për atë që e eviton debatin edhe pse ka te drejte. Për një shtëpi në mes të Xhennetit, për atë që eviton gënjeshtrën edhe pse është shaka. Për një shtëpi në lartësinë më të lartë të Xhennetit, për atë që ka morale të larta.” (Ebu Davudi)

Rrena është baza e çdo ligësie dhe ajo mund të manifestohet në disa forma dhe disa mënyra: dyfytyrëshi gënjen sepse paraqitet ndryshe nga ajo çka fsheh brenda tij, mendjemadhi gënjen sepse veten e sheh në një shkallë më të lartë nga gjendja reale, shpifësi gënjen sepse e thotë atë çka nuk është e vërtetë dhe shkakton përçarje, dëshmitari i rrejshëm është gënjeshtar sepse te pavërtetën e bën të vërtetë, i nënshtruari është gënjeshtar sepse të lavdëron me atë që nuk e ke për ndonjë nevojë, mëkatari është gënjeshtar sepse e gënjen Allahun për premtimin e tij se do ta respektojë fenë.

I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Njeriu më mirë është ai i cili ka zemër të pastër dhe që e flet vetëm të vërtetën”. E pyetën: Atë i cili flet të vërtetën e njohim dhe dallojmë, por kush është ai me zemër të pastër?! Tha: ” I devotshmi qelibar, që s’bën mëkate dhe nuk i hyn në hak askujt dhe nuk ka zili dhe as smirë ndaj të tjerëve. (Sahihul Xhami)

Abdullah Ibën Amri transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush i ka këto katër cilësi është dyfytyrësh, ndërsa kush e ka një cilësi prej tyre ka në vete një pjesë nga dyfytyrësia derisa ta braktisë atë, (ato janë): kur i lihet diçka në besim – ai e tradhton, kur flet – gënjen, kur bën marrëveshje e thyen – e tradhton atë dhe kur është në konflikt i tejkalon kufijtë (e drejtësisë)”. (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi)

Vëllezër të dashur, le t’i frikësohemi Allahut dhe gjithmonë të jemi të ndershëm në fjalët, veprat dhe në të gjitha gjendjet tona, të largohemi nga gënjeshtrat dhe mashtrimet me të gjitha format e saj sepse Allahu i Madhërishëm thotë:

“…Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar. [El-Gafir, 28]

Ndalimi i rrenës bën përjashtim vetëm në tre raste:

1. Gënjimi i armikut sepse lufta është taktikë;

2. Gënjimi gjatë pajtimit të dy personave të hidhëruar dhe

3) Gënjimi i gruas nëse e ke për qëllim shtimin e dashurisë reciproke.

Hoxhë: Azir Aziri
[ikre.ch]