Pas dëshpërimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi

Pas dëshpërimit vjen gëzimi dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi

Vëllezër të dashur me të vërtet kjo jetë është e shtrembëruar me lodhje e pikëllime, nëse qesh një orë do të qashë disa orë. Jeta nuk rri në një gjendje, por ajo gjithnjë ndryshon, varfëri dhe pasuri, shëndet dhe sëmundje, mirësi dhe sprova, krenari dhe poshtërim.

Njeriu më i mirë është ai të cilin nuk e ndryshojnë mirësitë dhe nuk e dobësojnë dëshpërimet, falënderues në mirësi dhe durimtar në sprova, me frikërespekt ndaj Allahut, gjithmonë i kthyer drejtë Atij dhe i mbështetur në duart e Allahut.

E sheh duke u munduar dhe përpjekur, duke i marrë shkaqet dhe sebebet për largimin e të keqes që e ka goditur.

Nuk rri i qetë dhe i dobët para të keqes, por përpiqet ta largojë sprovën dhe të keqen me vendosmërinë e të fortëve dhe të pastërtive, dhe shembull në këtë ka krijesën më të dashur të Allahut Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem dhe më pas shokët e tij të ndershëm e besnik. Kjo ngase nuk ka njerëz që janë sprovuar dhe pikëlluar më shumë se ata, por ata nuk iu dorëzuan sprovave dhe të këqijave, e as që u dobësuan para tyre, por i pritën ata me mend (logjikë) punë, përpjekje, durim e përqendrueshmëri.

Allahu i Madhëruar thotë:

E atyre (shokëve të pejgamberit) që dikush u tha:

Të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Perëndia, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Perëndia të jetë i kënaqur. Perëndia është Zot i begatisë së madhe. Vetëm djalli i frikëson miqtë e vet (për të mos shkuar në luftë). Ju mos iu frikoni atyre! Por frikohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë! [Ali Imran, 173-175]

Allahu i Madhëruar e ka caktuar një rregull për njerëzit, pas pikëllimit vjen gëzimi dhe pas vështirësive vjen lehtësimi, më së miri  këtë na shpjegon rasti i Muhammedit salAllahu alejhi ue sel-lem me Ibën Abbasin.

Transmetohet nga Ibën Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij se ka thënë: “Një ditë isha me Pejgamberin salAllahu alejhi ue sel-lem, kur më tha: “O vogëlush, unë po t’i mësoj disa fjalë: Ruaju nga Allahu (duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalimet e Tij), dhe Ai ty do të të ruajë, ruaju nga Allahu dhe Ai do të jetë me ty (do të të mbrojë dhe të ndihmojë), nëse e lut dikë, atëherë lute vetëm Allahun, nëse kërkon ndihmë, atëherë kërko vetëm prej Allahut. Dije se sikur gjithë populli të mblidhet për të të ndihmuar në diçka, ata nuk mund të të ndihmojnë asgjë më tepër sesa të ka përcaktuar Allahu. Po edhe sikur të mblidhen për të të dëmtuar diçka, ata nuk do t’ia dalin të të dëmtojnë përveç asaj që të ka përcaktuar Allahu. Lapsat (për shënimin e përcaktimeve) janë ngritur, kurse ngjyra e shkrimit (të fatit) është tharë. (Do të thotë: nuk mund të shlyhet dhe të ndryshohet përcaktimi).”

Allahu i Madhëruar thotë:

 “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” [Inshirah, 5-6]

Vëllezër të dashur! Pas pikëllimit vjen gëzimi, pas të keqes vjen e mira, pas varfërisë vjen pasuria, dhe pas vështirësisë vjen lehtësimi, ky është ligj i Allahut në tokë.

Ndërsa shkaku kryesor që t’i largojmë të këqijat, ta hapim rrugën e mirësisë është frikë respekti ndaj Allahut, kthimi tek Ai, mbështetja tek Ai, dhe njohja e Tij kur të jemi mirë duke i kryer urdhërat e Allahut dhe evitimin e ndalesave të Tij.

“… e kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, Allahu realizon dëshirën e vet dhe Allahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).” [El-Talek, pjesë nga ajeti 2-3]

“…E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën. Ky është vendim i Allahut që ua zbriti juve, e kush e ka frikë Allahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.” [El-Talek, pjesë nga ajetit 4-5]

Dahak ibën Kajs, Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë:

Kujtoni Allahun në mirëqenie do t’ju kujtoj kur në vështirësi, sikur që Junusi alejhis-selam e kujtonte Allahun ndërsa gjendej në barkun e balenës.

Allahu i Madhëruar thotë:

“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e saj deri në ditën e ringjalljes.” Es-Safat, 143-144

Prandaj vëllezër të kemi frikërespekt ndaj Allahut, të kthehemi tek Ai ndërsa jemi në mirëqenie, ndërsa në vështirësi, ta lusim Allahun me përulje dhe nënshtrim ashtu siç vepruan të Dërguarit e Allahut që janë shëmbëlltyrat tona e shpëtuan nga sprovat të rënda.

Allahu i Madhëruar për Junusin alejhi-selam thotë:

“(Përkujto) Edhe atë të peshkut (Junusin) kur doli i hidhëruar (prej popullit) dhe mendoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë, po në errësirë ai tha se: “Nuk ka Zot pos Teje. Ti je i pastër, nuk ke të meta. Unë i bëra padrejtë vetes!” Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” [El-Enbija, 87-88]

Në fund të ajetit, Allahu i madhëruar thekson se nëse veprojmë sikur ata edhe neve do të na jep mirësi siç ju dha atyre.

Allahu i Madhëruar për Ejubin alejhis-selam tha:

“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit! Ne iu përgjigjem atij nga mëshira e Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, ia dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit.” El-Enbija, 83-84

Le ta shtojmë dhikrin, istigfarin dhe salavatet mbi të Dërguarin tonë të dashur, salAllahu alejhi ue sel-lem, e të themi me qetësi e përqendrim: O Ti që je i Gjallë e i Përhershëm, të përgjërohemi për mëshirën tënde, na bëj besimin e paluhatshëm tek Ty, besimin dhe bindjen se gjithçka është në duart Tuaja!  Le ta lusim Atë dhe të kërkojmë nga Allahu ndërmjetësimin e leximit të Kuranit, që të na largojë të këqijat që na kanë kapluar e të na kthej pikëllimin në gëzim dhe vështirësitë në lehtësim.

Allahu i Madhëruar thotë:

“…Allahu e vë në rrugë të drejtë atë qe dëshiron.” [El-Bekare, pjesë nga ajetit 213]

Me këtë ligjëratë të udhëzon Allahu po ti duhet ta pranosh udhëzimin.

Hoxhë Azir Aziri
(ikre.ch)