Kohët e Namazit

Adhurimet ditore ose namazet, përbëjnë praktikën qendrore e cila modelon rutinën e përditshme dhe ndërgjegjen e një muslimani. Çdo namaz konsiston në një seri pozicionesh, në të cilat recitohen pjesë nga Kur’ani dhe Allahut i shprehen falenderime gjatë të cilave besimtari lutet. Qëllimi primar i namazeve është të brumosë individin me instiktivin e përkujtimit të Zotit. Zoti thotë në Kur’an: „Fale namazin për të më kujtuar Mua“. (Ta-ha 20:14) Përkujtimi i Allahut e ushqen zemrën. Ai është një mjet efikas për të arritur lumturinë. Allahu thotë: „Ta dini se me të përmendur Allahun, zemrat qetësohen“. (Rra’d 14:28) Kur zemra bie në grackën e lënies pas dore të Allahut, djalli merr kontrollin e saj, mëkatet bëhen tërheqës dhe besimi dobësohet. Ilaçi për këtë është përkujtimi i Allahut. „Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga imoraliteti dhe të shëmtuarat; dhe përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di se ç’veproni“. (Ankebut 29:45)

Muslimanët falen pesë herë në ditë. Falja në kohë të ndryshme i shmang njerëzit nga fokusimi i plotë në nevojat e tyre të çastit që kanë lidhje me këtë botë. Ato përbëjnë një përkujtim për faktin se Allahu është Garantuesi, Mbështetësi dhe Plotësuesi i të gjitha nevojave tona. Namazi është i detyrueshëm për çdo musliman të shëndetshëm i cili ka arritur moshën e pjekurisë. Por është më mirë që fëmijët të nxiten të fillojnë më herët t’i përgatisin zemrat e tyre për të. Një nga simbolet e Islamit, ezani, është pjesa që përfaqëson thirrjen për në namaz. Duke kënduar vargjet e mëposhtme, muezini i thërret muslimanët në xhami për t’u falur.

Koha e namazit të parë (sabahu), fillon rreth një orë e gjysmë përpara lindjes së diellit. Ai është një moment kur trupi dëshiron të flejë. Për të kapërcyer plogështinë në mënyrë që të ngrihemi dhe të përkujtojmë Krijuesin, nevojitet një luftë kundër egos. Për këtë, shërben me mjaft efikasitet, të stërviturit e vetvetes me anë të nënshtrimit ndaj vullnetit të Allahut. Ky namaz përbëhet prej katër rekateve; grupi i parë i përbërë nga dy rekate quhet namazi sunet dhe grupi tjetër prej dy rekatesh quhet namazi farz (i detyrueshëm).

Koha për namazin e dytë të ditës (dreka), vjen rreth kohës kur një person e ndalon punën për të ngrënë drekë (të paktën për pjesën më të madhe të njerëzve në botë), pikërisht pasi dielli e arrin zenitin e tij. Krahas ushqimit të trupit, çdo njeri duhet të ushqejë edhe shpirtin e tij. Ky namaz përbëhet prej dhjetë rekateve; grupi i parë prej  katër rekatesh përbën namazin sunet, i pasuar nga katërshja tjetër që është namazi farz si dhe një grup tjetër prej dy rekatesh që përbën një namaz tjetër sunet.

Namazi i tretë (ikindia), kryhet në mes të kohës ndërmjet mesditës dhe perëndimit të diellit, pak a shumë në momentin kur njerëzit zakonisht janë duke pirë ndonjë kafe apo duke u kthyer në shtëpi nga puna. Ai përbëhet nga tetë rekate; një grup prej katër rekatesh përbën sunetin dhe grupi tjetër prej katër rekatesh përbën namazin farz.

Namazi i katërt (akshami), kryhet në perëndim të diellit, në një kohë kur shumica e njerëzve janë duke ngrënë darkë. Ai përbëhet prej pesë rekatesh. Grupi i parë prej tre rekatesh përbën namazin farz dhe grupi i tjetër prej dy rekatesh, sunetin.

Namazi i pestë (jacia), kryhet në një kohë kur njerëzit janë duke u përgatitur për të fjetur. Ai përbëhet prej dhjetë rekateve; grupi i parë prej katër rekatesh përbën namazin sunet, i pasuar nga një grup prej katër rekatesh që përbën namazin farz, pastaj nga një grup tjetër prej dy rekatesh që përbën një namaz tjetër sunet. Një namaz tjetër shtesë i quajtur vitri falet pas namazit të jacisë. Ai është një namaz vaxhib (i domosdoshëm) dhe përbëhet prej tre rekateve. Një person i cili dëshiron t’i falë këto namaze, duhet të jetë fizikisht i pastër. Ekzistojnë dy mënyra për t’u konsideruar i pastër në Islam: larja e plotë (gusli) dhe abdesti.