Opinion në lidhje me ndalesën e burkës

Një Imam jep opinionin e tij në diskutimet në lidhje me ndalimin e burkës (në Zvicër)

Imami i xhamisë IKRE në Thun, Azir Aziri:

Islami e obligon femrën muslimane ta mbuloi trupin e saj përveç fytyrës dhe shuplakave të duarve, ndërsa në mbulimin e fytyrës ajo është lënë e lirë ta mbuloi fytyrën e saj ose jo.

Ky është qëndrimi i Islamit në lidhje me mbulesën e gruas muslimane të cilën e njeh e gjithë bota Islame të bazuar në burimet autentike të Islamit, që janë Kurani dhe Suneti i Pejgamberit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Allahut qofshin mbi Të).

Ne jetojmë në Zvicër, një shtet ku feja është e ndarë nga shteti, dhe si e tillë politika nuk duhet ta keqpërdorë fenë për përfitime të veta.

Unë e shoh iniciativën për të ndaluar burkën si një manovër nga disa disidentë për të tërhequr vëmendjen tek vetja, duke stigmatizuar Islamin si shtypëse të grave. Sipas mendimit tim, kjo është një shkelje thelbësore e të drejtave të njeriut dhe të drejtave fetare dhe lirisë së besimit të garantuara nga Kushtetuta Federale e Zvicrës.

Për referendumin mbi ndalimin e mbulimit të fytyrës, duhet gjithashtu të merret parasysh se në xhami janë përpiluar statistika se sa gra dhe vajza që vizitojnë xhamitë në Zvicër mbajnë burka. Rezultati tregon se më pak se 40 gra në Zvicër mbajnë nikab (i cili ndryshon nga burka), dhe shumica dërrmuese e tyre janë gra zvicerane që janë konvertuar në Islam.

Bile në këtë aspekt kemi shumë raste të kundërta, ku ankohen vajza dhe gra muslimane, se burrat ose baballarët e tyre i ndalojnë te veshin hixhabin (shaminë) ose në disa raste edhe nikabin.

Përveç kësaj, si bashkëqytetarë që jetojmë në Zvicër, ne duhet të merremi seriozisht me problemet reale, që ekzistojnë brenda shoqërisë sonë. Për shembull, pabarazia e pagave midis burrave dhe grave (diskriminimi ndaj grave), dhuna në familje ndaj grave, pabarazia në pension, por duhet të merren parasysh edhe dhuna në skenën e djathtë dhe të majtë.

Në këtë artikull do të doja të theksoja edhe diçka në lidhje me drejtësinë fetare. Në Zvicër feja dhe shteti janë të ndara. Mirëpo shteti ka një bashkëpunim te shkëlqyer me kishat krishtere, komunitetet hebreje dhe institucionet shoqërore. Ne si muslimanë duam të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që komuniteti musliman të integrohet plotësisht në shoqëri. Sigurisht, duke marrë parasysh të njëjtat të drejta dhe detyrime në favor të shoqërisë Zvicerane. Kështu që drejtësia dhe paqja fetare mund të përmbushen në kënaqësinë e plotë të gjithë bashkëqytetarëve (,ku secili do t‘i gëzojë të drejtat e veta fetare).

Megjithëse, sipas të dhënave statistikore, muslimanët janë shumë mirë të integruar dhe jetojnë mirë me njerëzit e feve të tjera, ekziston ende një nevojë e madhe për informacion neutral dhe kompetent në lidhje me Islamin.

Çdo person dhe çdo institucion, shkolla dhe njerëz të interesuar janë të ftuar përzemërsisht të na vizitojnë në xhaminë tonë IKRE në Thun. Aty do të gjeni informacione autentike dhe kompetente për bashkëjetesën tonë.

Autori Imam Azir Aziri i xhamisë IKRE Thun

Hans H. Weber, delegat i krishterë i kryesisë së xhamisë IKRE Thun 11. Shkurt 2021, Thun / Goldiwil