Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Vazhdo praktikimin e namazit edhe pas muajt të bekuar të Ramazanit-mos e lerë pas

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
28 mar 2025

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Vazhdo praktikimin e namazit edhe pas muajt të bekuar të Ramazanit-mos e lerë pas.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, muaji i bekuar i Ramazanit është një periudhë e bekuar që na afron me Allahun e Madhëruar, na forcon shpirtërisht dhe na ndihmon të krijojmë zakone të mira. Gjatë këtij muaji, shumë njerëz fillojnë të falin namazin rregullisht, duke përjetuar paqen dhe bekimet që sjell adhurimi. Por çfarë ndodh pas muajit të bekuar të Ramazanit? A duhet ta ndalojmë këtë lidhje me Allahun e Madhëruar apo ta vazhdojmë?

Muaji i bekuar i Ramazanit është një shkollë e madhe shpirtërore. Në të mësojmë durimin, përkushtimin dhe disiplinën. Allahu i Madhëruar na dha forcën për të agjëruar dhe për të falur namazin rregullisht, që do të thotë se e kemi aftësinë ta vazhdojmë edhe pas këtij muaji. Tani që e kemi ndërtuar këtë lidhje, nuk ka arsye për ta ndërprerë.

Që të vendosim ta vazhdojmë faljen e namazit rregullisht edhe pas muajit të bekuar të Ramazanit do ti kujtojmë disa çështje rreth namazit:

  1. Namazi është obligimi më i madh i Allahut të Madhëruar për besimtarin musliman për të cilin nuk ka asnjë situatë që lejohet mos ta falim namazin, qofshim në vendet tona ose udhëtim, kur jemi të shëndoshë dhe të sëmurë, kur jemi në paqe poashtu edhe në luftë, kur jemi të lirë dhe kur jemi të zënë me punë, thoni punës prit se ka ardhur koha e namazit, e mos i thoni namazit prit se kam punë;
  2. Namazi është vepra që e dallon besimtarin e vërtetë nga të tjerët;
  3. Me namaz përkujtohet Allahu i Madhëruar më mirë se në çdo vepër tjetër;
  4. Nëpërmes namazit Allahu i Madhëruar të ndihmon në çështjet e vështira të jetës sonë;
  5. Muhamedi alejhi selam edhe kur kishte gëzim falte namaz edhe kur kishte mërzi falte namaz;
  6. Namazin Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë e quan edhe iman (besim);
  7. Namazi ta zgjeron gjoksin nëse ai të është ngushtuar;
  8. Me namaz rregullohen ndjenjat dhe emocionet, poashtu me të udhëzohet kur ai është i mërzitur;
  9. Falja e namazit të bën më aktiv;
  10. Namazi të ndalon nga situatat e këqija dhe të urryera;
  11. Namazi është shkak për fitore dhe përqendrueshmëri;
  12. Namazi është shkak për shtimin e riskut (furnizimit);
  13. Namazi është dritë për besimtarin;
  14. Namazi na pastron nga mëkatet sikurse e pastron uji fëlliqësirën;
  15. Çështja e parë për të cilën do të pyetemi para Allahut të Madhëruar do të jetë namazi, nëse me atë kalojmë mirë edhe me tjerat do të kalojmë mirë, nëse me atë nuk kalojmë mirë edhe me tjerat nuk do të kalojmë mirë;
  16. Namazi është shkaku kryesorë për hyrjen tonë në xhenet;
  17. Namazi është shkaku kryesorë për shpëtimin tonë nga zjarri i xhehenemit;
  18. Këshilla e fundit e Muhamedit alejhi selam para vdekjes së tij ishte falja e namazit;
  19. Fjala e parë e Isës alejhi selam kur ai ishte në djep ishte “Më urdhëroi (Allahu) me namaz dhe zekat gjatë gjithë jetës”;
  20. Ibrahimi alejhi selam pasi e ndërtoi qaben e luti Allahun e Madhëruar duke thënë “Më bej mua dhe familjen time nga falësit e namazit”;
  21. Pejgamberi alejhi selam na urdhëron që ti urdhërojmë fëmijët me faljen e namazit nga mosha 7 vjeçare;
  22. Çështja e parë më të cilën urdhëroheshet çdo Pejgamber dhe populli i tij ishte namazi;

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, kjo që përmenda ishin disa nga mirësitë që Allahu i Madhëruar na jep nëpërmes namazit, për atë ne duhet ta falim namazin rregullisht në kohën e tij nga dashuria jonë për Allahun e Madhëruar dhe pastaj Allahu i Madhëruar do të na jep mirësitë nga falja e tij.

Mirëpo duhet ta dimë se besimtarët të cilët nuk e falin namazin rregullisht në kohën e tij ata kanë përgjegjësi të madhe ku rrezikojnë dënime të ashpra nga Allahu i Madhëruar të cilat InshaAllah do ti përmendim ndonjëherë tjetër.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, duhet ta dimë se vepra më e dashur te Allahu i Madhëruar është ajo vepër që është e vazhdueshme edhe nëse është e paktë, për atë nëse një muaj Ramazan vetëm teravin dhe jacinë e kemi falur dhe ka zgjatur rreth një orë, atëherë le ti falim namazet rregullisht, nëse i llogarisim të gjitha sa kohë na marrin, nuk e kalon as edhe një orë kohë nga 24 orë, që mundemi ti shfrytëzojmë për çështjet tjera të jetës sonë.

Pejgamberi alejhi selam thotë:

أَحَبُّ الْأَعْمَالِ إِلَى اللَّهِ عَزَّ وَجَلَّ أَدْوَمُهَا وَإِنْ قَلَّ

“Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme, edhe në qofshin të vogla apo të pakta!” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga ata të cilët e falin namazin rregullisht në kohën e tij. Poashtu e lus Allahun e Madhëruar të na pranoi të gjitha adhurimet dhe lutjet që i kemi bërë në këtë muaj të bekuar të Ramazanit si dhe të na mundësoi të arrijmë shumë Ramazane bashk shëndosh e mirë. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
95570

Character Limit 400