Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Vazhdo edhe pas ramazanit me zakonet e bukura të ramazanit

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
03 pri 2025

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Vazhdo edhe pas ramazanit me zakonet e bukura të ramazanit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, një nga mirësitë e muajit të bekuar të ramazanit është edhe ajo se në këtë muaj ne praktikojmë edhe zakone të mira gjatë gjithë muajit të ramazanit, sikurse agjërim, falje të rregullt të namazit si dhe faljen e namazit të teravisë dhe namaze tjera vullnetare, poashtu shumë lexim të kuranit, respekt më të madh të prindërve, vizita dhe iftare me farefisin dhe miqtë si dhe shumë zakone tjera të mira.

Mirëpo fatkeqësisht pas kalimit të ramazanit shumë prej nesh kthehemi në zakonet e vjetra, mirëpo kjo sjellje nuk është ajo e cila duhet ta kemi edhe ne, ajo e cila duhet të bëhet pjesë e karakterit tonë pas ramazanit është vazhdimësia në zakonet e mira që ishin pjesë e sjelljeve tona gjatë ramazanit. Ajo që do të përkujtoja veten time dhe juve janë tre zakone që dhasht Allahu xh.sh ti vazhdojmë edhe pas ramazanit:

1. Falja e namazit të natës;

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nëse për një muaj të tërë falëm namazin e teravisë rreth 50 minuta të paktën të mundohemi të falim nga 2 rekat namaz nate para gjumit do të shihni vet që Allahu xh.sh do të ju mbuloi me shumë mirësi të kësaj bote dhe botës tjetër, ndërsa një prej atyre do të jetë edhe përjetim shumë ndryshe edhe i ramazanit dhe teravisë së vitit të ardhshëm InshaAllah.

Që të nxitemi për diçka të tillë kujtojeni fjalën e Pejgamberit a.s ku thotë:

وَأَفْضَلُ الصَّلَاةِ، بَعْدَ الْفَرِيضَةِ، صَلَاةُ اللَّيْلِ

" Namazi më i mirë tek Allahu pas farzeve është namazi i natës " (Muslimi)

2. Leximi i Kuranit Famëlartë;

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga zakonet e mira që duhet ti kemi pjesë të sjelljes sonë edhe pas ramazanit është edhe leximi i kuranit qoftë edhe disa ajete Kuranore mirëpo çdo ditë.

Që të nxitemi për diçka të tillë kujtojeni fjalën e Pejgamberit a.s ku thotë:

اقْرَؤُواْ القُرْآنَ؛ فَإنَّهُ يَأْتِي يَوْمَ القِيَامَةِ شَفِيعاً لأَصْحَابِهِ

“Lexoni Kuranin, se ai do të vijë ndërmjetësues në Ditën e Kiametit.” (Muslimi)

3. Agjërim nafile (vullnetar), sidomos nëse mundemi ditëve të hëna dhe të enjteve poashtu edhe ditët e bardha që janë dita 13,14 dhe 15 e çdo muaji hënor.

Që të nxitemi për diçka të tillë kujtojeni fjalën e Pejgamberit a.s ku thotë:

صَوْمُ ثَلَاثَةِ أَيَّامٍ صَوْمُ الدَّهْرِ كُلِّهِ

“Agjërimi i tri ditëve në çdo muaj është njëlloj sikur të ketë agjëruar tërë vitin.” (Buhariu dhe Muslimi)

Lus Allahun xh.sh me emrat e tij të bukur dhe cilësitë e tija të larta të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga ata të cilët e kanë pjesë të përditshmërisë së tyre namazin e natës, leximin e Kuranit Famëlartë dhe agjërimin vullnetar. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
29231

Character Limit 400