Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Sureja El-Fatiha dhe dy ajetet e fundit të Sures El-Bekareh

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
27 sht 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Sureja El-Fatiha dhe dy ajetet e fundit të Sures El-Bekareh.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga ajetet e veçanta të cilat, na porosit Pejgamberi alejhi selam që ti lexojmë më shumë, poashtu në kohëra dhe situata të veçanta është edhe Sureja El-Fatihah dhe dy ajetet e fundit të Sures El-Bekareh siç janë të njohura tek njerëzit me "Amenerasulin".

Pejgamberi alejhi selam në një hadith të tij në lidhje me vlerën, rëndësinë dhe shpërblimet e leximit të tyre thotë:

عَنْ ابْنِ عَبَّاسٍ قَالَ بَيْنَمَا جِبْرِيلُ قَاعِدٌ عِنْدَ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سَمِعَ نَقِيضًا مِنْ فَوْقِهِ فَرَفَعَ رَأْسَهُ فَقَالَ هَذَا بَابٌ مِنْ السَّمَاءِ فُتِحَ الْيَوْمَ لَمْ يُفْتَحْ قَطُّ إِلَّا الْيَوْمَ فَنَزَلَ مِنْهُ مَلَكٌ فَقَالَ هَذَا مَلَكٌ نَزَلَ إِلَى الْأَرْضِ لَمْ يَنْزِلْ قَطُّ إِلَّا الْيَوْمَ فَسَلَّمَ وَقَالَ أَبْشِرْ بِنُورَيْنِ أُوتِيتَهُمَا لَمْ يُؤْتَهُمَا نَبِيٌّ قَبْلَكَ فَاتِحَةُ الْكِتَابِ وَخَوَاتِيمُ سُورَةِ الْبَقَرَةِ لَنْ تَقْرَأَ بِحَرْفٍ مِنْهُمَا إِلَّا أُعْطِيتَهُ

Transmeton Ibn Abbasi r.a. se: “Në një rast, derisa tek i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ishte Xhibrili, u dëgjua një kërcitje. Xhibrili shikoi drejt qiellit dhe tha: “Kjo është për shkak hapjes së një dere të qiellit, e cila nuk është hapur asnjëherë. Pastaj shtoi: Prej atje zbriti një melek, që i erdhi të dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i tha: Sihariq, për dy drita që të janë dhënë ty, e nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para teje: “Fatihatul Kitab” dhe dy ajetet e fundit të sures Bekareh. Nuk do të ndodh të lexosh shkronjë prej tyre e mos të jepet ajo që ke kërkuar” (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi poashtu na bën të qartë se nga dobitë dhe mirësitë më të mëdhaja të sures El-Fatiha dhe dy ajeteve të fundit të sures El-Bekareh është se: Allahu i Madhëruar nuk i kthen prap lutjet që i përmban kjo sure dhe këto dy ajete, të cilat janë lutje shumë të rëndësishme dhe madhështore, sikurse: udhëzimi i Allahut të Madhëruar për ne, mos sprovimi me atë që nuk mundemi ta përballojmë, falja e mëkateve, kaplimi i mëshirës së Allahut të Madhëruar dhe lutje tjera.

Në një hadith tjetër Pejgamberi alejhi selam thotë:

قَالَ رَسُولُ اللَّهِ ﷺ: الآيَتَانِ مِنْ آخِرِ سُورَةِ البَقَرَةِ، مَنْ قَرَأَهُمَا فِي لَيْلَةٍ كَفَتَاهُ

Pejgamberi salallahu alejhi ve selem ka thënë: “Kush lexon dy ajetet e fundit të sures Bekare në mbrëmje, do t`i mjaftojnë”. (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi na bën të qartë se leximi i këtyre dy ajeteve është "i mjaftueshëm" për atë natë për besimtarin dhe besimtaren, ndërsa "i mjaftueshëm" nënkuptojmë atë që i mjafton atij atë natë, pra Allahu i Madhëruar do ta ruajë nga çdo e keqe, ndërsa disa dijetarë kanë thënë se "i mjaftueshëm" nënkupton mjaftueshmin nga namazi i natës, për arsye të lutjeve që i përmban, pra aq janë të vlefshme këto dy ajete saqë na mjaftojnë për shumë nevoja të jetës sonë.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga ata që i lexojmë çdo mbrëmje Suren El-Fatihah dhe dy ajetet e fundit të Sures El-Bekareh siç është e njohur te populli me "Amenerasulin". Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun


No comments yet...
Leave your comment
68944

Character Limit 400