Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Shpërblimi i atij që jep sadaka (lëmoshë)
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Shpërblimi i atij që jep sadaka (lëmoshë).
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, pasi me hutben (predikimin) e premtes së kaluar përfunduam kapitullin mbi temat që kishin të bëjnë me të vdekurin, nga hutbeja (predikimi) i sotshme dhe në vazhdim do të trajtojmë tema mbi kapitullin e sadakas (lëmoshës) qofshin ato obligative, të preferuara dhe të lejuara.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga veprat që na nxit Allahu i Madhëruar ti veprojmë dhe na shpërblen me shpërblime jashtëzakonisht të shumta në këtë botë dhe botën tjetër është edhe sadakaja (lëmosha).
Hadithi kudsij (fjalë e Allahut të Madhëruar që e transmeton Muhamedi alejhi selam):
قالَ اللَّهُ تَبارَكَ وتَعالَى: يا ابْنَ آدَمَ، أَنْفِقْ أُنْفِقْ عَلَيْكَ،
“Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘O biri i Ademit! Shpenzo (për hir të Allahut), që të shpenzoj edhe Unë për ty!’ (Transmeton Muslimi)
Pra Allahu i Madhëruar nëpërmjet këtij hadithi kudsij (fjalë e Allahut të Madhëruar që e transmeton Muhamedi alejhi selam) na nxit që të jemi bujar dhe të japim nga ajo që e kemi në rrugë të Allahut të Madhëruar. Allahu i Madhëruar premton se Ai vetë do ta furnizojë dhe do t’i japë më shumë atij që jep. Kjo tregon se bujaria dhe sadakaja nuk e varfërojnë njeriun, por përkundrazi janë shkak për shtim të pasurisë.
Ky hadith poashtu na mëson që të mos kemi frikë të japim nga pasuria jonë, qoftë ajo e pakët apo e bollshme. Allahu i Madhëruar na garanton se çdo gjë që japim, jo vetëm që do të na kompensohet me pasuri, shëndet, mburojë, lumturi, rehati e shumë mirësi të tjera, por do të shumëfishohet. Pra të jemi solidar, të ndihmojmë të varfëritë, jetimët dhe të përkrahim kauza të drejta me pasurinë tonë.
Këtë fakt, poashtu e vërteton edhe Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij ku thotë:
وَمَا أَنفَقْتُم مِّن شَيْءٍ فَهُوَ يُخْلِفُهُ ۖ
"dhe çfarëdo që të shpenzoni ju nga ndonjë gjë (për Hir të Allahut), Ai do t’jua zëvendësojë atë. (Kuran 34, 39)
Kush i beson këtij premtimi hyjnor, nuk do të hezitojë të japë. Sepse besimtari e di që dhurimi për hir të Allahut të Madhëruar është një investim që kthehet shumëfish në këtë botë dhe në botën tjetër.
Këto shpërblime janë për shpenzimet qofshin ato obligative sikurse zekati, shpenzimi për prindërit gruan dhe fëmijët, poashtu edhe shpenzimet e preferuara sikurse shpenzimet për të varfëritë, jetimët, etj.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, t‘na furnizojë neve, fëmijët tonë dhe gjithë besimtarët musliman me shumë pasuri dhe t‘na mundësojë që ta shpenzojmë atë për hir të Allahut të Madhëruar.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun