Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Shpenzimet për Familjen një Investim i bekuar
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Shpenzimet për Familjen një Investim i bekuar.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, tema e sotshme prek çdo zemër dhe çdo familje: Në sytë e njerëzve, shpenzimet për familjen mund të duken si detyrë, si barrë apo si rutinë e përditshme. Por në dritën e Islamit, ato janë ndër shpenzimet më të shpërblyera, më të ndershme dhe më të dashura për Allahun e Madhëruar, të gjitha shkruhen si sadaka.
Janë pasuri që nuk humbin, por ruhen për ne në botën tjetër. Shpenzimet për familjen nuk janë humbje, por investim i përjetshëm në mëshirën e Allahut të Madhëruar. Nuk ka shpenzim më të çmuar, më të pastër dhe më të bekuar se ai që del nga dora me dashuri e futet në zemrën e atyre që duam më shumë.
Çdo shpenzim që bëjmë për prindërit dhe gjyshërit tanë, qoftë për ilaçet, për ushqimin, apo thjesht për t’u sjellë gëzim, është sadaka dhe është rrugë për në xhenet. Kujtoni se ata sakrifikuan gjithçka për ne në fëmijëri. Sot është radha jonë të kthejmë me dashuri e dinjitet.
Të shpenzosh për gruan tënde, të kujdesesh për nevojat e saj, të ofrosh pa u ankuar, kjo nuk është thjesht detyrë martesore, është adhurim. Në çdo kafshatë që ajo ha falë teje, ke një shpërblim te Allahu i Madhëruar.
Fëmijët janë amanet. Shpenzimet që bëjmë për shkollimin, veshjen, ushqimin dhe edukimin e tyre janë shpenzime që kthehen në sevape të vazhdueshme.
Pejgamberi alejhi selam thotë:
دِينَارٌ أَنْفَقْتَهُ فِي سَبِيلِ اللَّهِ، وَدِينَارٌ أَنْفَقْتَهُ فِي رَقَبَةٍ، وَدِينَارٌ تَصَدَّقْتَ بِهِ عَلَى مِسْكِينٍ، وَدِينَارٌ أَنْفَقْتَهُ عَلَى أَهْلِكَ، أَعْظَمُهَا أَجْرًا الَّذِي أَنْفَقْتَهُ عَلَى أَهْلِكَ
“Një dinar që e ke shpenzuar në rrugë të Allahut, një dinar që e ke shpenzuar për të liruar një rob, një dinar që e ke dhënë si sadaka për një të varfër dhe një dinar që e ke shpenzuar për familjen tënde – më i madhi në shpërblim është ai që e ke shpenzuar për familjen tënde. (Transmeton Muslimi)
Vëllezër te dashur dhe motra të nderuara, le të bëhemi nga ata që nuk kursejnë për njerëzit që Allahu i Madhëruar i ka vendosur më afër nesh. Le të jemi dorëlirë për ata që na duan pa kushte. Sepse çdo shpenzim i bërë me sinqeritet për ta, është një hap më afër xhenetit.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na mundësoi neve dhe gjithë besimtarëve musliman shumë pasuri dhe ta shpenzojmë atë për familjet tona, për jetimët, të varfëritë, nevojtarët dhe çështjen e Allahut të Madhëruar.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun