Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Shkurorëzimi dhe dëmet e tij-pjesa e parë
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Shkurorëzimi dhe dëmet e tij-pjesa e parë.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar e bëri martesën kënaqësinë më të mirë të kësaj bote, poashtu edhe plotësimin e gjysmës së fesë. Që të jetë martesa e tillë Ai krijoi në mes burrit dhe gruas dashuri dhe mëshirë, si dy baza për një jetë në prehje, qetësi dhe plotësim feje edhe për burrin dhe për gruan.
Mirëpo nga çështjet e lejuara, por shumë të urryera te Allahu i Madhëruar është shkurorëzimi. Nëse analizojmë gjendjen faktike në shoqërinë tonë, dëgjojmë dhe jemi dëshmitarë fatkeqësisht të shkurorëzimeve të shumta, që është një fenomen që na tangon të gjithëve, për atë të gjithë duhet të ndikojmë sa më shumë me të gjithë mundësitë tona që ti edukojmë dhe mësojmë djemtë dhe vajzat tona që të martohen dhe ta japin besën e Allahut të Madhëruar që do të qëndrojnë bashk gjatë gjithë jetës, sepse kjo është edhe kërkesë fetare poashtu edhe një traditë e lavdëruar e popullit tonë shqiptar ku me të drejtë jemi krenuar edhe para Allahut të Madhëruar edhe para të gjithë popujve të botës, të cilën gjithsesi duhet ta mbrojmë me çdo kusht InshaAllah.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, që ta ruajmë jetën tonë bashkëshortore nga shkurorëzimi, Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që të sillemi njëri me tjetrin në formën më të mirë të mundur, ta durojmë njëri tjetrin në gabimet tona, që jeta bashkëshortore të jetë e përhershme.
Allahu i Madhëruar thotë:
وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ ۚ فَإِن كَرِهْتُمُوهُنَّ فَعَسَىٰ أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَيَجْعَلَ اللَّهُ فِيهِ خَيْرًا كَثِيرًا
“Dhe jetoni me to në mënyrë të ndershme. Në qoftë se keni ndjenja mospëlqimi ndaj tyre, mund të jetë që ju të mos e pëlqeni ndonjë gjë, ndërsa Allahu nëpërmjet saj sjell mirësi të mëdha.” (Kuran 4,19)
Pra Kurani Famëlartë na nxit që ne të sillemi mirë me gratë dhe ti durojmë në mangësitë e tyre, ndërsa Allahu i Madhëruar për atë sabër (durim) do të na shpërblej edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Mirëpo duhet ta kemi parasysh poashtu edhe atë se Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar gratë që ti respektojnë burrat e tyre dhe jo të kërkojnë shkurorëzim nga to.
Pejgamberi alejhi selam thotë:
أَيُّمَا امْرَأَةٍ سَأَلَتْ زَوْجَهَا طَلاَقًا مِنْ غَيْرِ بَأْسٍ فَحَرَامٌ عَلَيْهَا رَائِحَةُ الْجَنَّةِ "
„Ajo grua që kërkon divorcin nga burri i saj pa ndonjë arsye të fortë nuk do të shijojë aromën e xhenetit“
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, për problemet bashkëshortore Islami na urdhëron që ti marrim disa hapa që ti zgjidhim problemet tona, ndër to: Këshillimi me mirësi për mosmarrëveshjet ekzistuese, nëse nuk tejkalohen edhe atëherë mosmarrëveshjet të largohemi nga shtrati, pra mos të flemë në një shtrat bashk, nëse nuk tejkalohet edhe atëherë mosmarrëveshjet, duhet të thirrëm njerëz të ditur dhe të urtë nga të dy palët dhe të mundohemi ta zgjedhim mosmarrëveshjet, nëse edhe atëherë nuk zgjidhen mosmarrëveshjet, si zgjidhje e fundit ngelet shkurorëzimi, mirëpo edhe ai duhet të jetë me mirësi.
Allahu i Madhëruar thotë:
فَإِمْسَاكٌ بِمَعْرُوفٍ أَوْ تَسْرِيحٌ بِإِحْسَانٍ
“... ose ju mbajeni atë me marrëdhënie të arsyeshme, ose lirojeni atë me dashamirësi...” (Kuran 2, 229)
Pra ajeti kuranor (versi kuranor) na bën të qartë atë që: nëse martoheni silleni mirë, por edhe nëse ndaheni përsëri ndaheni mirë, dhe jo pas ndarjes të flisni keq për njëri tjetrin ndër njerëz, që fatkeqësisht ndodh shumë edhe ndër popullin tonë, le ti frikësohemi Allahut të Madhëruar në nderin e njerëzve.
Lusim Allahun të Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta ti forcojë lidhjet bashkëshortore tonat, të fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun