Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
29 nën 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Ruajtja e gjuhës dhe kulturës.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, muaji nëntor ka festa të rëndësishme për popullin shqiptar, ndër to: atë të alfabetit dhe pavarësisë së shtetit shqiptar.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar i krijoi njerëzit në popuj dhe fise vetëm që të njihen në mes veti, të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri, dhe jo ta keqpërdorin ndarjen e njerëzve në popuj dhe fise, për ti mbisunduar, torturuar, asimiluar, luftuar, masakruar poashtu dhe shumë krime tjera.

Për këtë çështje Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُم مِّن ذَكَرٍ وَأُنثَىٰ وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوبًا وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا

"O njerëz! Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë ju në kombe e fise që të njiheni me njëri-tjetrin." (Kuran 49, 13)

Pra ajeti Kuranor na bën të qartë se Allahu i Madhëruar na bëri të ndryshëm në popuj dhe fise vetëm që njihemi nga dallimet, ndërsa të jetojmë së bashku në paqe.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara Allahu i Madhëruar i krijoi racat, ngjyrat, gjuhët dhe specifikat tjera të popujve me të cilat i dalloi popujt ndërmjet veti, për atë ne popujt këto dhurata specifike që na ka krijuar Krijuesi ne to duhet ti ruajmë dhe ti kultivojmë, në veçanti gjuhën.

Allahu i Madhëruar për gjuhët në Kuranin Famëlartë thotë:

وَمِنْ آيَاتِهِ خَلْقُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَاخْتِلَافُ أَلْسِنَتِكُمْ وَأَلْوَانِكُمْ ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّلْعَالِمِينَ

"Dhe nga Treguesit e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës dhe dallimi i gjuhëve dhe i ngjyrave tuaja. Vërtet që në të ka tregues të qartë për njerëzit me dije të shëndoshë." (Kuran 30, 22)

Ndërsa nga mirësitë dhe specifikat e Allahut të Madhëruar që i dalloi edhe shqipëtarët nga popujt tjerë është edhe gjuha shqipe, pra e kemi dhuratë nga Allahu i Madhëruar, dhe mu për këtë arsye ne duhet ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare, mirëpo duhet të kemi shumë kujdes mos të kalojmë në nacionalizëm, pra të besojmë se ne jemi më të mirë se popujt tjerë, ose ti nënçmojmë popujt tjerë në baza nacionale, racore, ngjyre dhe të tjera se diçka e tillë është e ndaluar rreptësishtë me Islam, mirëpo edhe me ligj.

Pra ti ruajmë traditat dhe gjuhën tonë duke mos i cenuar të tjerët, përkundrazi të sillemi me respekt të plotë ndaj gjithkujt.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ne që jetojmë në perëndim ruajtja e traditave dhe gjuhës sonë është më e rrezikuar për arsye të jetesës sonë këtu në një shtet që gjuhë tjetër ka gjuhë popullore dhe zyrtare, për atë këtu duhem maksimalisht të punojmë me fëmijët tonë që ta ruajmë gjuhën dhe traditat tona.

Si vepër e parë që ne urgjentisht duhet ndërmarrë, është moslejimi i fëmijëve tanë të flasin gjuhë tjetër ndërmjet veti, poashtu edhe me pjesën tjetër të rrethit dhe shoqërisë, mirëpo të flasin vetëm gjuhën shqipe, dhe kjo është një vlerësim i mirësisë së Allahut të Madhëruar për gjuhën që na ka dhënë.

Çështja tjetër që duhet bërë ne këtu në perëndim, poashtu edhe ne këtu në qytetin e Thun-it me rrethinë, është edhe dërgimi i fëmijëve tonë në shkollën shqipe ku do ta mësojnë gjuhën shqipe në mënyrë profesionale, unë e dërgoi vajzën time në atë shkollë dhe jam tepër i kënaqur dhe i lumtur me sukseset e saja sa i përket gjuhës, pra kur i shpjegon mësimet e shkollës shqipe në gjuhën letrare të saja vërtet është një përjetim i veçantë.

Urime festat e nëntorit, me lutje Allahun e Madhëruar që ti bekoi shqipëtarët kudo që janë, ti bashkoi ata në kufijtë e shtetin natyral të Shqipërisë dhe të mbretëroi paqja në botë. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
78693

Character Limit 400