Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Rëndësia dhe vlera e faljes së namazit

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
28 mar 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Rëndësia dhe vlera e faljes së namazit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar na obligon me obligime të ndryshme dhe na ndalon me ndalesa të ndryshme për nevojën dhe të mirën tonë. Nga obligimet më të rëndësishme, më madhështore, më të nevojshme për trupin dhe shpirtin tonë poashtu që luan rol kyç për hyrjen tonë në xhenet është falja e pesë kohëve të namazit rregullisht.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, që të kuptojmë më mirë pozitën dhe rëndësinë e namazit, mjafton fakti që namazi është i vetmi ibadet (adhurim) që nuk e lejon Allahu i Madhëruar lërjen e tij në asnjë situatë që mundet ti ndodhë njeriut, edhe nëse jemi të sëmurë, luftë dhe situata të tjera të vështira pa marr parasysh sa e madhe është vështirësia, ndërsa të gjitha ibadetet (adhurimet) tjera sikurse agjërimi, haxhi dhe të ngjashme, nëse jemi të sëmurë me sëmundje jo shëruese ne nuk e kemi obligim as haxhin dhe as agjërimin, kështu pra është me të gjitha obligimet tjera përveç namazit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar nëpërmjet namazit na sjell shumë mirësi, nga ato mirësi është edhe çështja më e rëndësishme e jetës së kësaj bote e që është lumturia.

Këtë Allahu i Madhëruar e premton duke na thënë në një ajet Kuranor:

وَأَقِمِ الصَّلَاةَ ۖ إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ

“...dhe plotëso Faljen e rregullt të përcaktuar. Vërtet që Es-Salat (falja e namazit) parandalon nga El-Fahsha (çdo vepër e papëlqyer, e ulët, e keqe të cilën e ndalon Islami) dhe nga El-Munker (vepër e padrejtë, mosbesimi, politeizmi dhe gjynahe tjera të mëdha para Allahut)...” (Kuran 29, 45)

Pra me faljen e namazit Allahu i Madhëruar i ndalon të na kaplojnë të këqijat, të cilat na prishin lumturinë e jetës sonë.

Që vërtet me faljen e namazit na mbron Allahu i Madhëruar nga të këqijat dhe na mbulon lumturia, qetësia dhe rahatia kemi dëshmi edhe vet ata vëllezër dhe motra që kanë filluar me faljen e namazit rregullisht ku dëshmojnë vet se vetëm që kanë filluar dhe vazhdojnë ta falin namazin rregullisht gjithçka ka ndryshuar më mirë në jetën e tyre.

Nga namazi varet edhe kënaqësia e Allahu të Madhëruar dhe hyrja në xhenetet e Tija.

Pejgamberi alejhi selam thotë:

إِنَّ أَوَّلَ مَا يُحَاسَبُ بِهِ الْعَبْدُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ عَمَلِهِ صَلَاتُهُ فَإِنْ صَلُحَتْ فَقَدْ أَفْلَحَ وَأَنْجَحَ وَإِنْ فَسَدَتْ فَقَدْ خَابَ وَخَسِرَ

“Gjëja e parë për të cilën do të pyetet robi në ditën e Kijametit është Namazi , nëse namazi i njeriut është në rregull të gjitha punët tjera do të jenë në rregull, por nëse dështon në namaz do të dështojë edhe në pyetjet e tjera.” (Transmeton Tirmidhiu)

Pra hadithi na bën të qartë se nëse ne e falim rregullisht namazin, Allahu i Madhëruar na premton nëpërmes gjuhës së Pejgamberit alejhi selam se edhe me veprat tjera do të kalojmë mirë, do ta fitojmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe xhenetet e Tija, mirëpo nëse nuk e falim namazin rregullisht jemi jashtë mase të rrezikuar për ta fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe xhenetet e Tija.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, jemi në ditët më të mira, të bekuara dhe të veçanta të vitit, ditët e muajit të bekuar të Ramazanit ku shejtanët janë të lidhur, mëshira, falja, shpërblimet dhe bekimet e Allahut të Madhëruar na mbulojnë më shumë se ditët e tërë vitit, le të jetë kjo ditë e veçantë ditë xhumaje ku ne do të pendohemi dhe do t'ia japim besën Allahut të Madhëruar që na nga sot do ta falim namazin rregullisht dhe pastaj do të jemi dëshmitar vet ne të mirësive të pa përshkruara të Allahut të Madhëruar.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta në këto ditë të bekuara të Ramazanit të na bëj Allahu i Madhëruar neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga falësit e rregull të namazit. Amin.

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
55151

Character Limit 400