Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Qefinosja e të vdekurit
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Qefinosja e të vdekurit.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ne InshaAllah edhe ditëve të xhumaja (premte) në vazhdim do të trajtojmë tema që kanë të bëjnë me të vdekurin. Këtë dije duhet ta dimë çdo njëri, sepse të gjithë do të ballafaqohemi në jetën tonë me vdekjen e ndonjërit nga familja, farefisi, të afërmit, miqësia dhe më gjerë, nëse ne i dimë rregullat e sjelljes me të vdekurin dhe i realizojmë ato vetë për të dashurit tonë, diçka e tillë është jashtëzakonisht e dashur, lavdëruar dhe shpërblyer nga ana e Allahut të Madhëruar.
Ndërsa sot InshaAllah më detalisht do të mësojmë për qefinosjen e të vdekurit.
Qefini i mashkullit duhet të jetë tre pjesë, prej izarit (pjesë që e mbulon trupin nga koka deri te thembrat e këmbëve), këmishës (pjesë që e mbulon trupin nga qafa deri te këmbët) me të i mbulohet krejt trupi përveç kokës, këmisha nuk lejohet të ketë as mëngë e as xhepa, si dhe lifafit (pjesë e cila duhet ta mbështjellë tërë trupin dhe të ketë qefini pjesë që të mundet të lidhet te koka dhe te këmbët).
Pasi e presim qefinin në këtë formë e shtrojmë së pari lifafin pastaj izarin dhe në fund këmishën, dhe parfumosim qefinin. Pasi t’ia kemi tharë trupin të vdekurit që të mos laget qefini, e vendosim atë mbi qefin, ia veshim këmishën, pastaj izarin dhe në fund lifafin. Pasi e mbështjellim mirë si zakonisht ia lëmë fytyrën hapur që të vijnë familja dhe miqtë, që të ia japin lamtumirën e fundit të dashurit të tyre.
Një nga urtësitë e këtij veprimi është ajo që nëse ka patur ndonjë mosmarrëveshje në mes të vdekurit dhe ndonjërit nga familjarët dhe miqtë e tij, kur do ta shohim në atë gjendje do ta kujtojmë se edhe vet jemi gabimtarë edhe neve një dit dikush do të na përcjell kështu dhe në atë moment të mundohemi të ia bëjmë hallall hakun. Pastaj ia mbështjellim edhe fytyrën, e lidhim te këmbët, ne mes dhe te koka, kështu pra përfundon edhe qefinosja e te vdekurit mashkull.
Ndërsa te e vdekura femër është e njëjta procedurë, përveç që te femrat kemi edhe një shami-namazbez dhe një dizgë e cila duhet të jetë e gjatë sa ta mbulojë pjesën prej gjoksit deri te kofshët e saja.
Pasi e presim qefinin në këtë formë e shtrojmë së pari lifafin pastaj izarin dhe në fund këmishën dhe e parfumosim qefinin. Pasi të ia kemi tharë trupin të vdekurës që të mos laget qefini, e vendosim atë mbi qefin, ia veshim këmishën, ia ndajmë flokët e saja në dy gërsheta dhe ia vendosim mbi këmishë mbi gjoksin e saj. Ia vendosim shaminë-namazbezi, ia shtrëngojmë gjoksin e të vdekurës me dizgën e cila e mbulon trupin e të vdekurës nga gjoksi deri te kofshët e saja, dhe mbështjellim me izarin në fund lifafin. Pasi e mbështjellim mirë si zakonisht ia lëmë fytyrën hapur që të vijnë familja dhe miqtë që të ia japin lamtumirën e fundit të dashurës së tyre. Pastaj ia mbështjellim edhe fytyrën, e lidhim mbi kokë me një lidhëse pastaj te këmbët dhe në mes, kështu pra përfundon edhe qefinosja e te vdekurës femër.
Kjo formë e qefinosjes është e përcjellur në hadithe nga Pejgamberi alejhi selam, mirëpo ne do ta përmendim vetëm njërin prej tyre.
عَنْ عَائِشَةَ رضي الله عنها أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ ﷺ كُفِّنَ فِي ثَلاَثَةِ أَثْوَابٍ بِيضٍ سَحُولِيَّةٍ لَيْسَ فِيهَا قَمِيصٌ وَلاَ عِمَامَةٌ.
Aishja (Radij Allahu anha) thotë: “Profeti (Sal Allahu alejhi ue sel-lem) u qefinos me tri pëlhura pambuku, të bardha, të pastra, të prodhuara ne Jemen, pa këmishë dhe pa çallme. E mbështollën me të tria.“ (Transmeton Buhariu)
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta ti mëshiroi të vdekurit tonë dhe të vdekurit e të gjithë muslimanëve. Poashtu e lusim Allahun e Madhëruar që të gjallit tonë si dhe të gjallit musliman ti forcojë edhe më shumë në praktikimin e fesë. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun