Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Një abdes i përsosur

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
02 shk 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas alejhi selam, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Një abdes i përsosur.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, për ibadetet (adhurimet) e obliguara, Allahu i madhëruar e ka caktuar edhe formën e realizimit të tyre për ne nëpërmes Muhamedit alejhi selam.

Allahu i madhëruar na urdhëron në mënyrë të prerë që ta pasojmë Muhamedin alejhi selam.

Në një ajet kuranor për këtë çështje Allahu i madhëruar thotë:

وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا

“...Dhe çfarëdo që t’ju japë juve i Dërguari, atë merreni dhe çfarëdo që ai ua ndalon juve, hiqni dorë (prej saj)...” (Kuran 59, 7)

Për atë edhe katër medhhebet më të njohura: Hanefi, Maliki, Shafi dhe Hambeli në përpikshmëri e ndjekin Muhamedin alejhi selam në normat e tyre.

Ndërsa hadithi më i njohur i cili e sqaron formën e abdesit të Muhamedit alejhi selam është hadithi të cilin e transmeton Othmani r.a ku unë do të bëj disa sqarime shtesë për ta kuptuar ma mirë formën e abdesit duke u bazuar edhe në disa hadithe të tjera.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

أَنَّ عُثْمَانَ بْنَ عَفَّانَ - رضى الله عنه - دَعَا بِوَضُوءٍ فَتَوَضَّأَ فَغَسَلَ كَفَّيْهِ ثَلاَثَ مَرَّاتٍ ثُمَّ مَضْمَضَ وَاسْتَنْثَرَ ثُمَّ غَسَلَ وَجْهَهُ ثَلاَثَ مَرَّاتٍ ثُمَّ غَسَلَ يَدَهُ الْيُمْنَى إِلَى الْمِرْفَقِ ثَلاَثَ مَرَّاتٍ ثُمَّ غَسَلَ يَدَهُ الْيُسْرَى مِثْلَ ذَلِكَ ثُمَّ مَسَحَ رَأْسَهُ ثُمَّ غَسَلَ رِجْلَهُ الْيُمْنَى إِلَى الْكَعْبَيْنِ ثَلاَثَ مَرَّاتٍ ثُمَّ غَسَلَ الْيُسْرَى مِثْلَ ذَلِكَ ثُمَّ قَالَ رَأَيْتُ رَسُولَ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم تَوَضَّأَ نَحْوَ وُضُوئِي هَذَا ثُمَّ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صلى الله عليه وسلم ‏ "‏ مَنْ تَوَضَّأَ نَحْوَ وُضُوئِي هَذَا ثُمَّ قَامَ فَرَكَعَ رَكْعَتَيْنِ لاَ يُحَدِّثُ فِيهِمَا نَفْسَهُ غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ

“Uthman b. Afani me një rast kishte kërkuar ujë, që të marrë abdes. I lau duart tri herë, pastaj e lau gojën dhe hundën dhe e lau fytyrën tri herë. Pastaj e lau dorën e djathë, e pastaj të majtën deri në bërryla tri herë, pastaj fërkoi kokën dhe i lau këmbët, fillimisht të djathtën e pastaj të majtën deri në nyjë nga tri herë, e pastaj tha: E kam parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s mori abdes kështu, tha: Kush merr abdes kështu siç mora unë, pastaj i fal dy rekate plotësisht i përulur, do t’i falen mëkatet e kaluara.” (Transmeton Muslimi)

Abdesi sipas sunetit të Muhamedit alejhi selam:

- E bëjmë nijetin. Nijeti bëhet me zemër, pra i flasim zemrës sonë se tash do të marr abdes, nijetin mundemi ta shprehim me gojë duke thënë: për hir të All-llahut xh.sh. vendosa të marr abdes.

- Larja tre herë e duarve deri mbi nyjat e tyre duke i fërkuar mirë edhe hapësirën në mes gishtërinjve;

- Përmendja e All-llahut duke thënë Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm (Me emrin e All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!).

- Pastrimi i dhëmbëve, mundësisht me misvak nëse nuk kemi misvak, mundet edhe me gishtin tregues dhe fillojmë nga ana e djathtë;

- Shpëlarja e gojës deri në grykë, tre herë përveç nëse je agjërueshëm;

- Shpëlarja e hundës duke e tërhequr ujin me hundë tre herë përveç nëse je agjërueshëm;

- Larja e krejt fytyrës tre herë, vertikalisht nga vendi ku dalin flokët deri nën mjekër, ndërsa horizontalisht nga lapra e veshit deri në laprën tjetër të veshit, individët që kanë mjekër e fërkojnë mirë mjekrën;

- Larja tre herë e duarve dhe krahëve me gjithë bërrylat e krahëve;

- Fshirja një here më së pakti një të katërtën e kokës me dorë të lagur, ndërsa fshirja e saj komplet është më e preferuar;

- Fshirja e veshëve me dorë të lagur - një herë, me gishtin tregues brendinë e veshit, ndërsa me gishtin e madh pjesën e pasme të veshit;

- Fshirja një herë e qafës me dorë të lagur;

- Larja e këmbës së djathtë dhe të majtë me gjithë nyjat e këmbëve tre herë duke i fërkuar gishtërinjtë në mes tyre;

Hadithi i Othmanit r.a na mëson edhe një sunet jo shumë të njohur në mesin tonë që janë dy rekat namaz nafile (vullnetare) pas marrjes së abdesit, pra është e preferuar ti falim dy rekat namaz nafile (vullnetare) pas marrjes së abdesit.

Lusim Allahun xh.sh me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na mundësoi neve, fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman ta falim namazin, të na mundësoi të mësohemi të jemi gjithmonë me abdes dhe të na shpërblej me shpërblimin e plotë të abdesit. Amiin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
35126

Character Limit 400