Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Namazi i xhumasë është zëvendësim i namazit të drekës
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Namazi i xhumasë është zëvendësim i namazit të drekës.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, është e njohur se të gjithë dijetarët e katër medhhebeve dhe më gjërë, janë të pajtimit se namazi i xhumasë është zëvendësim i namazit të drekës.
Dijetarët e medhhebit hanefi thuan se namazi i xhumasë ka dy ezane, njëri thirr kur hyn koha e namazit të drekës, ndërsa ezani tjetër thirret kur imami (prijësi i namazit) ngjitet në mimber (vendi nga ku ligjërohet ligjërata e namazit të xhumasë).
Pas ezanit të parë i falim katër rekate sunete para farzit të xhumasë, pastaj mbahet hutbeja (ligjërata e namazit të xhumasë) e cila është kusht për vlefshmërinë e namazit të xhumasë, pra pa hutbe (ligjërata e namazit të xhumasë) nuk është i vlefshëm edhe namazi i xhumasë. Pastaj, pas hutbes (ligjëratës së namazit të xhumasë) i falim dy farzet e namazit të xhumasë, pastaj i falim edhe katër rekat sunete pas farzeve të namazit të xhumasë.
Për hutben (ligjëratën e namazit të xhumasë), dy farzet e namazit të xhumasë dhe katër suneteve pas farzeve të namazit të xhumasë, ka aq shumë hadithe sa që e arrijnë gradën e tevaturit (lajmeve që në asnjë mënyrë nuk mundet të përgënjeshtrohen).
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, do të ndalemi pak më tepër te katër sunetet që duhet të falen pas farzit të xhumasë, për arsye se ka disa vëllezër të cilët janë neglizhent sa i përket këtyre suneteve dhe nuk i falin, bile ndodh që direkt pas farzit të xhumasë, lëre që nuk i fal katër sunetet pas xhumasë, po fillojnë menjëherë me biseda që i pengojnë edhe ata që vazhdojnë me faljen e katër suneteve pas xhumasë.
Vëllezërit e tillë i këshillojmë me hadithin e Pejgamberit alejhi selam ku thotë:
إِذَا صَلَّى أَحَدُكُمْ الْجُمُعَةَ فَلْيُصَلِّ بَعْدَهَا أَرْبَعًا
“Kushdo që do të falet pas xhumasë, le të falë katër rekate.” (Transmeton Muslimi)
Pra hadithi na bën të qartë vlerën dhe rëndësinë e katër suneteve pas farzit të xhumasë, nga fakti i urdhërimit të Pejgamberit alejhi selam për faljen e këtyre suneteve, pra Pejgamberi alejhi selam nuk urdhëron diçka përveç se nëse diçka është shumë e rëndësishme dhe e vlefshme.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, fjalën e kemi për ata të cilët nuk janë në punë, ndërsa ata vëllezër që janë në punë dhe e kanë kohën e limituar për ata nuk vlen kjo, mirëpo ata në qetësi munden të dalin nga xhamia menjëherë pas përfundimit të faljes së farzeve të xhumasë.
Ndërsa sa i përket faljes së namazit të drekës, pas faljes së namazit të xhumasë vullnetarisht është një mendim i dijetarëve të vonshëm, mirëpo nuk kanë argumente të fuqishme për këtë që thuan, për atë më mirë të mjaftohemi me atë që e ka vepruar Muhamedi alejhi selam, sahabët (shokët e tij) dhe gjeneratat pas tyre.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na bëj neve, tij bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga falësit e rregullt të namazeve dhe namazit të xhumasë. Amiin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun