Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Lindja e Muhamedit alejhi selam

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
28 sht 2023

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin!

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Lindja e Muhamedit alejhi selam.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, në një periudhë të historisë, në vendin më të bekuar, në një kohë ku mbretëronte xhahiljeti (injoranca), padrejtësia, ku i pasuri e kishte fjalën, i forti mbizotëronte mbi të dobëtin ndërsa njerëzimi prisnin lindjen e re e cila do të largonte padrejtësinë dhe tiraninë, do ti vendoste punët në binarët e tyre, do t’ia kthente njerëzimit dinjitetin dhe nderin e tij, do të ngarriste njerëzimin nga nënçmimi dhe poshtërimi në krenari dhe zhvillim.

Kështu që në atë vend të bekuar, në një periudhë ku ishte kulmi i xhahiljetit (injorancës), mosbesimi në Zotin e vërtetë më datë 12 Rebiul Evvel (20 prill 571) lindi Muhamedi alejhi selam ku me të rilindi dhe besimi i drejtë, dija, kultura, civilizimi, drejtësia dhe zhvillimi.

Këtë vitë dita e lindjes së Muhamedit alejhi selam është ditën e mërkurë më datë 27 shtator 2023, ku për ne, fëmijët dhe familjet tona, kjo datë duhet të jetë një rilindje e veprave tona ku duhet të marrim veten tonë në pyetje të pendohemi nga veprat e liga dhe të bëjmë vepra të mira përndryshe nuk përfitojmë dot nga rikujtimi i lindjes së Pejgamberit alejhi selam.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu xh.sh për Muhamedin alejhi selam thotë:

لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَ نَةٌ

“Tashmë padyshim që tek i Dërguari i Allahut (Muhammedi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur,...” (Kuran 33, 21)

Pra Muhamedi alejhi selam është shembull për mbarë njerëzimin në çdo çështje të madhe, të vogël madje dhe të imët të jetës sonë, për atë, na është përcjell te ne në detaje jeta dhe veprimtaria e tij nga shokët e tij bile edhe jeta më intime e tij nga gratë e tij që janë edhe nënat e besimtarëve musliman.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, sahabët (shokët e Muhamedit alejhi selam) e kuptuan që ai ishte shembulli më i mirë për suksesin e jetës së njeriut, e ndoqën atë në çdo hap dhe arritën të bëhen shembull, u bënë të dashurit e Allahut xh.sh, ua dhanë të drejtat grave, i liruan robërit, e zhvilluan dijen, sollën siguri në botë, pra zhvilluan njerëzimin në çdo aspekt të jetës së tij, ndërsa edhe sot e kësaj dite Muhamedi alejhi selam, shokët e tij dhe muslimanët e sinqertë dhe të drejtë me sjelljen e tyre janë udhërrëfyesit e dijes, sjelljes dhe zhvillimit të njerëzimit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, shëmbëlltyra në Islam është ndër çështjet shumë të rëndësishme, që duhet ne atë të kultivojmë dhe zhvillojmë në vazhdimësi, në shtëpi, në shkollë, universitetet, xhami, media që umeti (muslimanët) të shndrisin, sidomos sot ku me të madhe luftohet që ta nënvlerësojnë rolin e prindërve, hoxhallarëve, mësuesve dhe profesorëve, duke i paraqitur si shëmbëlltyrë të pasurit, politikanët, këngëtarët, sportistët dhe të ngjashëm me to.

Duhet të dimë diçka: dot nuk mundemi të kthejmë rëndësinë, peshën dhe dinjitetin e prindërve, hoxhallarëve dhe mësuesve pa mos e praktikuar vet vlerën në të cilën i ftojnë prindërit fëmijët e tyre, mësuesit nxënësit e tyre dhe hoxhallarët xhematin e tyre.

Sot me të madhe përhapet dija dhe vlerat etike, mësuesit, prindërit dhe të tjerët i dëgjojnë ato, emocionohen për një moment dhe nuk e praktikojnë atë dije dhe vlerë etike në jetën e tyre të përditshme, për atë vazhdojmë të dobësohemi dhe të degjenerohemi dhe nuk do të përmirësohemi deri sa të praktikojmë atë dije dhe vlerë na vet pastaj të tjerët nuk duhet as ti thërrasim në të, ata vet do na ndjekin se më shumë ndikon puna dhe sjellja se sa fjala.

Allahu xh.sh për këtë thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لِمَ تَقُولُونَ مَا لَا تَفْعَلُونَ ‎$ كَبُرَ مَقْتًا عِندَ اللَّهِ أَن تَقُولُوا مَا لَا تَفْعَلُونَ

“O ju që keni besuar! Pse e thoni atë që nuk e bëni? Më e urryera është tek Allahu ajo që ju të thoni atë që nuk e bëni. ” (Kuran 61, 2-3)

Lusim Allahu xh.sh me emrat e Tija të bukur dhe cilësitë e Tija të larta ta bëj përkujtimin e lindjes së Muhamedit alejhi selam rilindje për ne, për fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman, për besimin tonë që ai të jetë më i madh dhe më i fortë, ndërsa për veprat tona largim nga të këqijat dhe shtim i të mirave. Amiin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra kulturore IKRE Thun

[www.ikre.ch]

No comments yet...
Leave your comment
25909

Character Limit 400