Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Leximi i Kuranit Famëlartë, mësimi i tij të tjerëve si dhe praktikimi i mësimeve të tij

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
25 tet 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Leximi i Kuranit Famëlartë, mësimi i tij të tjerëve si dhe praktikimi i mësimeve të tij.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nderi më i madh që Allahu i Madhëruar ia bën robit të tij është suksesi në leximin e Kuranit Famëlartë, mësimin e tij të tjerëve dhe praktikimin e mësimeve të tij.

Pejgamberi alejhi selam për këto mirësi në një hadith të tij thotë:

خَيْرُكُمْ مَنْ تَعَلَّمَ الْقُرْآنَ وَعَلَّمَهُ

“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.” (Transmeton Buhariu)

Pra hadithi na bën të qartë se më i hajrit (më i miri, më i begati, më i shpërblyeri, më fatlumi) në këtë botë dhe botën tjetër është ai që e mëson leximin e Kuranit Famëlartë me rregullat e leximit të tij dhe e lexon atë shumë, mirëpo me kusht që atë t'ua mësoi edhe të tjerëve.

Nëse analizojmë gjendjen e besimtarëve në këtë pikë, fatkeqësisht do të hasim pak nga ata, që pasi e mësojnë për vete u'a mësojnë edhe të tjerëve. Për atë duhet edhe vëllezërit musliman edhe motrat muslimane pasi ta kenë mësuar Kuranin Famëlartë mirë, duhet t'ua mësojnë edhe të tjerëve, pra secili të mundohet fëmijëve musliman të lagjes së tij, mahallës së tij dhe bllokut në të cilin jeton t'ua mësojë bukur leximin e Kuranit Famëlartë, sepse kjo është një nga mënyrat që të jemi më të mirët te Allahu i Madhëruar dhe te njerëzit.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, zilia e cila është: dëshirë dhe përpjekje për humbjen e një begatie një njeriut tjetër që ia ka dhuruar All-llahu i Madhëruar, në Islam është rreptësishtë e ndaluar, dhe kjo është zilia reale.

Ne kemi edhe zili alegorike, me të cilën nënkuptojmë: kënaqësinë e një personi për ndonjë të mirë që e ka personi tjetër, nga çështjet e kësaj bote, dhe kjo lloj "zilie" është e lejuar, mirëpo nëse kjo "zili" ka të bëj me çështjet fetare, atëherë është e preferuar.

Nga "zilia" në çështjet fetare, në veçanti është e preferuar mësimi i Kuranit Famëlartë të tjerëve.

Pejgamberi alejhi selam thotë:

لَا حَسَدَ إِلَّا فِي اثْنَتَيْنِ، رَجُلٌ آتَاهُ اللَّهُ الْقُرْآنَ، فَهُوَ يَقُومُ بِهِ آنَاءَ اللَّيْلِ، وَآنَاءَ النَّهَارِ، وَرَجُلٌ آتَاهُ اللَّهُ مَالًا، فَهُوَ يُنْفِقُهُ آنَاءَ اللَّيْلِ، وَآنَاءَ النَّهَارِ

“Nuk ka xhelozi vetëm se në dy veta: Njeriut të cilit Allahu ia ka dhënë Kur’anin dhe ai është me të ditë e natë dhe njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai atë e harxhon dite e natë në bamirësi.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Ndërsa sa i përket rëndësisë së të punuarit me kuran, Pejgamberi alejhi selam ka thënë:

إِنَّ اللَّهَ يَرْفَعُ بِهَذَا الْكِتَابِ أَقْوَامًا، وَيَضَعُ بِهِ آخَرِينَ

“Me të vërtetë Allahu i ngre disa popuj me këtë Kuran dhe i përul disa të tjerë.” (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi na bën të qartë se atëherë kur ne kemi punuar me Kuranin Famëlartë, atëherë jemi ngritur në pozita të lavdëruara, si individ, familje dhe umet (shoqëro Islame), ndërsa tash kur nuk punojmë me Kuranin Famëlartë aq sa duhet, jemi në situata të vështira, si individ, familje dhe shoqëri muslimane, poashtu duhet ta kemi të qartë se nuk do mundemi të ngritemi dhe të na kthehet përsëri krenaria pa mos u kthyer të punojmë me Kuranin Famëlartë.

Nga dëshmitë që e dëshmon këtë fakt, është edhe vet historia jonë si musliman, kur punonim me Kuranin Famëlartë dhe sunetin, ishim të parët dhe shembull për botën ndërsa kur e lamë të punuarit me Kuranin Famëlartë u bëmë pjesë më e pavlerë e botës.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga ata që e lexojnë Kuranin Famëlartë shumë, u’a mësojnë atë të tjerëve dhe që punojnë në bazë të mësimeve të tij. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
76463

Character Limit 400