Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Kurani Famëlartë ushqim dhe qetësi shpirtërore
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ashtu siç paralajmëruam javën e kaluar që disa hutbe (ligjëratat e ditëve të xhumaja) në vazhdim do të flasim në lidhje me Kuranin Famëlartë, ndërsa tema që sot InshaAllah do ta përkujtoi veten time dhe juve është: Kurani Famëlartë ushqim dhe qetësi shpirtërore.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, kush e bëri Kuranin Famëlartë shoqëruesin më të mirë të jetës së tij, ai u udhëzua, u mëshirua, iu shtuan të mirat poashtu e ushqeu dhe e qetësoi shpirtin e tij.
Se Kurani Famëlartë është ushqim dhe qetësim për shpirtin këtë e dëshmon Kurani Famëlartë, hadithet (fjalët veprat dhe pëlqimet e Muhamedit alejhi selam) poashtu edhe praktika e jetës sonë.
Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë:
الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُم بِذِكْرِ اللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ
“Ata që besuan (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij, në Islam) dhe zemrat e të cilëve gjejnë prehje duke përkujtuar Allahun; Nuk ka dyshim se në përkujtimin e Allahut vërtet që zemrat gjejnë prehje”. (Kuran 13, 28)
Ndërsa Pejgamberi alejhi selam duke na këshilluar që ta lexojmë sa më shumë Kuranin Famëlartë sepse nëpërmes tij Allahu i Madhëruar na ushqen dhe qetëson shpirtin tonë thotë:
كَانَ رَجُلٌ يَقْرَأُ سُورَةَ الْكَهْفِ وَعِنْدَهُ فَرَسٌ مَرْبُوطٌ بِشَطَنَيْنِ فَتَغَشَّتْهُ سَحَابَةٌ فَجَعَلَتْ تَدُورُ وَتَدْنُو وَجَعَلَ فَرَسُهُ يَنْفِرُ مِنْهَا فَلَمَّا أَصْبَحَ أَتَى النَّبِيَّ صلى الله عليه وسلم فَذَكَرَ ذَلِكَ لَهُ فَقَالَ " تِلْكَ السَّكِينَةُ تَنَزَّلَتْ لِلْقُرْآنِ
“Një njeri ishte duke lexuar suren Kehf dhe erdhën retë dhe e mbuluan atë dhe filluan t’i afrohen shumë. Kali i tij, që ishte i lidhur, filloi të ikte sa më shumë që afroheshin retë. I treguan për këtë ndodhi Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, e ai tha se ato ishin melaiket që kishin zbritur nga qielli për dëgjimin e Kuranit.” (Transmeton Muslimi).
Ndërsa ne poashtu jemi të gjithë dëshmitarë se, sa herë e lexojmë Kuranin Famëlartë ose e dëgjojmë atë qetësohemi, rehatohemi dhe kënaqemi, si me asgjë tjetër, qoftë ajo familja, fëmijët, pasuria dhe kënaqësitë tjera të kësaj bote.
Për atë vëllezër dhe motra, ta lexojmë dhe dëgjojmë Kuranin Famëlartë sa më shumë, që të kemi shpirt të ngopur, të qetë dhe që jeton në paqe.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbar besimtarët musliman që Kurani Famëlartë të jetë shoqëruesi më i mirë i joni. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun