Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Kuptimi i vërtetë i Kurbanit
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin
Vëllezër të dashur besimtar dhe motra të nderuara, në këtë ditë feste fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve me temën: Kuptimi i vërtetë i Kurbanit
Kurbani nuk është thjesht therja e një kafshe si një traditë fetare, mirëpo ajo përfaqëson një sakrificë shpirtërore dhe materiale për tu afruar tek Allahu i Madhëruar, me Kurban shprehim bindje, sinqeritet, solidaritet shoqërorë, mëshirë dhe vetë sakrifikim në të gjitha aspektet.
Allahu i Madhëruar thotë:
لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا، وَلَٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ
“Tek Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i tyre, por tek Ai arrin përkushtimi juaj,” (Kuran 22, 37)
Një nga aspektet e sakrifikim për të cilin do të ndalemi sot pak më shumë ta trajtojmë në këtë hutbe është: sakrifikimi ynë për ta mbrojtur aspektin tonë fetarë sidomos këtu ku gjendemi dhe rrethanat globale në mbar botën e bëjnë pak më të vështirë ruajtjen e tij.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, në vendin dhe kohën që gjendemi feja nuk humbet papritur, ajo shuhet pak nga pak, sa herë që ne heshtim për të, e neglizhojmë, ose e fshehim. Ruaje fenë tënde me krenari, sepse po e humbe atë, humbe veten dhe brezat që vijnë pas teje.
Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّمَا كَانَ قَوْلَ الْمُؤْمِنِينَ إِذَا دُعُوا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ لِيَحْكُمَ بَيْنَهُمْ أَن يَقُولُوا سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا ۚ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ
“Fjala e vetme e besimtarëve të vërtetë, kur ata thirren tek Allahu (te Fjala e Tij, Kur’ani) dhe i Dërguari i Tij për të gjykuar mes tyre, është që të thonë: “Dëgjuam dhe u bindëm.” Dhe mu këta janë ata që fitojnë lumturinë (Xhennetin e pasosur).” (Kuran 24, 51)
Pra nëse dëshirojmë mirësi të kësaj bote dhe botës tjetër, shpëtim në këtë botë dhe botën tjetër duhet sakrifikuar gjithçka për mbrojtjen e fesë. Nëse nuk kemi krenari për Islamin, fëmijët tanë do të kenë turp nga Islami.
Kurbani është kujtesë vjetore se kush jemi: bij të Ibrahimit a.s, muslimanë që nuk përshtaten me çdo rrymë. Në ditët e sotme, nuk na kërkohet të flijojmë fëmijët si Ibrahimi a.s, por të mos i humbim ata shpirtërisht.
Të ndihmojmë fëmijët të kuptojnë Kurbanin jo si traditë, por si vlerë e identitetit. Le të jetë ky Bajram-Kurbani fillimi i një përpjekjeje për të qenë të dukshëm dhe krenarë me fenë tonë, pa frikë e pa turp.
Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë Tija të larta, të na pranojë Kurbanet dhe adhurimet tjera, të na forcojë si umet (popull) musliman dhe të mos na sprovoi me humbjen e fesë sonë, dhasht Allahu i Madhëruar të ketë paqe në mbarë botën sidomos në Gaza ku janë më të nevojshëm, Allahu i Madhëruar na udhëzoftë fëmijët tonë në Islam ashtu siç duhet dhe i bashkoftë muslimanët si umet (popull) kudo qofshin. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra kulturore IKRE Thun