Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Kohët e ndaluara të faljes së namazeve
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Kohët e ndaluara të faljes së namazeve.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, sot dhe disa hutbe në javët e ardhshme InshaAllah, do të flasim për disa çështje që kanë të bëjë me namazin, poashtu edhe disa loje të namazeve, sikurse: namazi i xhumasë, namazi i xhenazes dhe disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me to.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, kohët në të cilat ndalohet falja e namazit janë gjashtë: Duke lindur dielli, kur dielli është në zenit (rreth 30-45 minuta para ezanit të kohës së namazit të drekës), kur dielli është duke perënduar, pas faljes së namazit të sabahut deri në lindjen e diellit dhe ngritjen e tij sa një shtizë (rreth 30-45 minuta pas lindjes së diellit), pas faljes së namazit të Ikindisë deri në perëndimin e diellit, poashtu edhe imami derisa është në hutbe.
Në kohën e lindjes së diellit, kur dielli është në zenit (rreth 30-45 minuta para ezanit të kohës së namazit të drekës) dhe gjatë perëndimit të diellit, është haram (e ndaluar rreptësishtë) falja e çdo lloji të namazit, përveç namazeve farz, ato duhet të falen, por është mekruh (e urryer) që muslimani ti vonon namazet aq saqë të afrohen këto kohëra të ndaluara të faljes së namazeve, për atë nëse detyrohet ta falë namazin në këto kohëra të ndaluara duhet të bëj edhe Istigfar (të kërkoi falje nga Allahu i Madhëruar), pra të thotë: Estagfirullah (kërkoi falje nga Allahu i Madhëruar).
Për këtë çështje Pejgamberi alejhi selam thotë:
ثَلَاثُ سَاعَاتٍ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَنْهَانَا أَنْ نُصَلِّيَ فِيهِنَّ أَوْ نَقْبُرَ فِيهِنَّ مَوْتَانَا حِينَ تَطْلُعُ الشَّمْسُ بَازِغَةً حَتَّى تَرْتَفِعَ وَحِينَ يَقُومُ قَائِمُ الظَّهِيرَةِ حَتَّى تَمِيلَ وَحِينَ تَضَيَّفُ لِلْغُرُوبِ حَتَّى تَغْرُبَ
”Janë tre kohë gjatë së cilave profeti alejhi selam na ndaloi nga falja e namazit dhe varrosja e të vdekurve tanë: lindja e diellit derisa të jetë ngritur në horizont , kur dielli është në pikën kulmore të tij dhe kur dielli është duke perënduar , derisa perëndimi i tij të jetë kryer plotësisht.”( Transmeton Muslimi)
Ndërsa sa i përket ndalimit të namazit, pas faljes së namazit të sabahut deri në lindjen e diellit dhe ngritjen e tij sa një shtizë (rreth 30-45 minuta pas lindjes së diellit) dhe namazit të Ikindisë deri në perëndimin e diellit, është mekruh (e urryer) që muslimani të falë namaze vullnetare, pa marr parasysh se çfarë namaze janë ato.
Për këtë Pejgamberi alejhi selam thotë:
لاَ صَلاَةَ بَعْدَ الْعَصْرِ حَتَّى تَغْرُبَ الشَّمْسُ وَلاَ صَلاَةَ بَعْدَ الْفَجْرِ حَتَّى تَطْلُعَ الشَّمْسُ
”Nuk ka namaz pas Ikindisë derisa të perëndojë dielli, nuk ka namaz pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli". ( Transmeton Muslimi)
Një çështje e rëndësishme: Nëse muslimani dëshiron të falë namaze që i kanë mbetur pa falë, a i lejohet ti falë në këto kohëra?
Po një gjë e tillë i lejohet me kusht që ti falë ato para se dielli të marrë ngjyrën e verdhë në të kuqërremtë.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, këtë që e thamë në lidhje me kohët në të cilat është i ndaluar namazi, në esencë është interpretimi i medhhebit hanefi që i takojmë edhe ne, mirëpo për kohët në të cilat është i ndaluar namazi, ju këtu do të shihni edhe interpretime dhe veprime ndryshe, ne duhet ta dimë se edhe ajo është e saktë mirëpo është interpretim i medhhebeve të tjera.
E lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta, të na bëj neve, ti bëj fëmijët tonë dhe mbarë besimtarët musliman nga falësit e rregullt të namazit. Amin
Hoxhë Azir Aziri
Qendra Kulturore Islame IKRE Thun