Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Këshilla mërgimtarëve për pushimet verore

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
12 korr 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Këshilla mërgimtarëve për pushimet verore.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, veç se më kanë filluar pushimet verore, ku pjesa dërmuese e mërgimtarëve tonë shkojnë për pushime në vendlindjet e tyre, ndërsa unë do ta këshilloi veten time dhe juve me disa këshilla të rëndësishme dhe të dobishme.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, ne duhet ta kemi parasysh faktin se ne shkojmë në vendlindjen tonë, tokën e gjyshërve dhe stërgjyshërve tonë, shkojmë në shtëpitë tona dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndjehemi ndryshe nga vëllezërit dhe motrat tona që jetojnë në vendlindje dhe lëre më të vazhdojmë me disa ndarje dhe kategorizime që ka disa vite që i përmendin vëllezërit dhe motrat tona, qofshin ato në media, rrjetet sociale po edhe në takimet dhe ndejet tona të përditshme; që ne kinse jemi të huaj edhe këtu edhe atje ku jetojmë, na pengojnë mërgimtarët, bëhet shumë trafik dhe shprehje tjera të ngjashme që synojnë përçarjen mes popullit tonë, por ne të gjithë jemi vëllezër dhe duhet të këshillohemi në mes veti për ruajtjen dhe kultivimin e vlera tona fetare dhe kombëtare dhe jo me sjelljet tona të ndikojmë në përçarje ndërmjet veti.

Ne duhet të kemi kujdes gjatë rrugës, gjithashtu edhe atje në vendlindje sa i përket shpejtësisë gjatë vozitjes, ajo duhet të jetë komfort rregullave të komunikacionit, përndryshe për çdo pësim si pasojë e vozitjes së shpejtë ne do të kemi përgjegjësi para Allahut të Madhëruar ku fatkeqësisht kemi raste edhe me pasoja fatale deri edhe me vdekje.

Poashtu duhet të kemi kujdes, të ruhemi edhe në shkeljen e kufijve të Allahut të Madhëruar duke i vepruar veprat që Allahu i Madhëruar na ka ndaluar. Njeriu kur është në pushim, është më i lir dhe mundësia e veprimit të veprave të ndaluar është edhe më e madhe mirëpo ne duhet përsëri mos ti veprojmë veprat e ndaluara nga Allahu i Madhëruar pa marrë parasysh kur dhe ku jemi.

Argument për këtë që thamë kemi hadithin e Pejgamberit alejhi selam ku thotë:

اتَّقِ اللَّهَ حَيْثُمَا كُنْتَ

"Frikësoju Allahut kudo që të jesh" (Transmeton Tirmidhiu)

Ne poashtu duhet të bëjmë kujdes edhe në zbatimin e urdhrave të Allahut të Madhëruar, sidomos faljen e namazit kudo që të jemi, pa marr parasysh a jemi gjatë rrugës, në dasma ose vdekje, ne në asnjë mënyrë nuk duhet ta vonojmë namazin nga koha e tij, sepse namazi është nga obligimet më të kërkuara, më të rëndësishme, më madhështore të Islam-it, ku nga ai varet mbrojta dhe largimi i çdo të keqes sonë dhe familjeve tona, si dhe plotësimi i çdo mirësie tonë dhe familjeve tona.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë:

وَأَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَۖ إِنَّ ٱلصَّلَوٰةَ تَنۡهَىٰ عَنِ ٱلۡفَحۡشَآءِ وَٱلۡمُنكَرِۗ

"dhe plotëso Faljen e rregullt të përcaktuar. Vërtet që Es-Salat (falja e namazit) parandalon nga El-Fahsha (çdo vepër e papëlqyer, e ulët, e keqe të cilën e ndalon Islami) dhe nga El-Munker (vepër e padrejtë, mosbesimi, politeizmi dhe gjynahe tjera të mëdha para Allahut)" (Kuran 29, 45)

Poashtu duhet të kemi kujdes edhe në harxhimin e pasurisë, pra ta harxhojmë atë në hallall dhe me masë, Allahu i Madhëruar na ka dhënë atë që të kënaqemi dha ta përdorim atë siç duhet, dhe jo ta teprojmë atë duke e gjuajtur dhe nëpërkëmbur.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَءَاتِ ذَا ٱلۡقُرۡبَىٰ حَقَّهُۥ وَٱلۡمِسۡكِينَ وَٱبۡنَ ٱلسَّبِيلِ وَلَا تُبَذِّرۡ تَبۡذِيرًا

"Dhe jepi farefisit të drejtën e tij, po kështu edhe Miskinit (të varfrit), dhe rrugëtarit, por mos shpërdoroni (pasurinë tuaj) kot e pa vend si shkapërderdhës." (Tefsir At-Tabari). (Kuran 17, 26)

Pasi që jetojmë larg farefisit tonë, në pushim është shumë e rëndësishme që ta vizitojmë edhe farefisin tonë pasi që është nga urdhëresat shumë të rëndësishme dhe të shpërblyera të Allahut të Madhëruar.

Pejgamberi alejhi selam thotë:

مَنْ سَرَّهُ أَنْ يُبْسَطَ عَلَيْهِ رِزْقُهُ ، أَوْ يُنْسَأَ فِي أَثَرِهِ فَلْيَصِلْ رَحِمَهُ

“Kush dëshiron që risku t’i shtohet dhe jeta t’i zgjatet (t’i shtohet bereqeti në jetë), le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta që të gjithë mërgimtarët të kenë rrugë të mbarë, ti dërgon dhe ti sjell Allahu i Madhëruar shëndosh e mirë dhe t'ju jep një pushim të këndshëm. Amin

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

Hoxhë Azir Aziri

No comments yet...
Leave your comment
17162

Character Limit 400