Aktuale

Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun

Çfarë duhet të themi kur na godet ndonjë fatkeqësi dhe sprovë

by:
Like Up:
Like Down:
Created:
20 dhj 2024

BismiLahirrahmanirrahim

Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.

Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Çfarë duhet të themi kur na godet ndonjë fatkeqësi dhe sprovë.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, nga sot dhe disa xhumaja në javët e ardhshme, InshaAllah do të trajtojmë tema të cilat kanë të bëjnë me librin/kapitullin e xhenazes. Trajtimi i këtyre temave, padyshim është shumë e rëndësishme, sepse të gjithë do të vdesim ose do jemi afër ndonjërit nga të afërmit, shokët, ose miqtë të cilët do ti shoqërojmë në çastin e vdekjes së tyre.

Duhet ta dimë se si duhet të sillemi me xhenazen, pas që kjo dije madje është edhe kërkesë fetare, pra për këto arsye dhe shumë arsye të tjera ne në hutbet (ligjëratat e ditëve të xhumaja) në vazhdim do të mësojmë për çështjet e xhenazes.

Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Allahu i Madhëruar ka caktuar për ne që të gjithëve të na sprovoi, ndonjërin e sprovon për arsye të mëkateve të veta, ndonjërin e sprovon për të ia ngritur vlerat e tij tek Allahu i Madhëruar, por ajo që është fakt është se patjetër të sprovohemi.

Një nga sprovat shumë të vështira, është edhe vdekja jonë ose e ndonjërit nga të afërmit ose miqtë tonë. Në rast sprove të vdekjes, ose sprovave të tjera Allahu i Madhëruar me gjuhën e Pejgamberit alejhi selam na ka mësuar që të themi kështu:

وَعَنْ أُمِّ سَلَمَةَ قَالَتْ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: " مَا مِنْ مُسْلِمٍ تُصِيبُهُ مُصِيبَةٌ فَيَقُولُ مَا أَمَرَهُ اللَّهُ بِهِ: (إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ) اللَّهُمَّ أَجِرْنِي فِي مُصِيبَتِي وَاخْلُفْ لِي خَيْرًا مِنْهَا إِلَّا أَخْلَفَ اللَّهُ لَهُ خَيْرًا مِنْهَا ". فَلَمَّا مَاتَ أَبُو سَلمَة قَالَت: أَيُّ الْمُسْلِمِينَ خَيْرٌ مِنْ أَبِي سَلَمَةَ؟ أَوَّلُ بَيْتِ هَاجَرَ إِلَى رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ثُمَّ إِنِّي قُلْتُهَا فَأَخْلَفَ اللَّهُ لِي رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ.

Umu Seleme tregon se kishte dëgjuar të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) të thotë: “Çdo musliman që e godet ndonjë fatkeqësi dhe thotë atë që urdhëron Allahu; „Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi“! (Sure El-Bekare, ajeti 156) O Allah, më shpërble në këtë fatkeqësi e m’a kompenso me diçka më të mirë se ajo. Allahu do t’ia këmbejë fatkeqësinë me diçka më të mirë.” Ajo thotë: Kur vdiq Ebu Seleme unë me vete thashë: Cili prej muslimanëve mund të jetë më i mirë se Ebu Seleme, familja e parë që emigroi për tek i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem)? Megjithatë, më vonë unë e thashë atë lutje e Allahu m’a zëvendësoi me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem).” (Transmeton Muslimi)

Pra hadithi në përgjithësi dhe rasti i Umu Selemes në veçanti na bëjnë të qartë se nëse ne, në rast sprove durojmë dhe e themi këtë lutje ashtu siç Allahu i Madhëruar ia zëvendësoi Umu Selemes burrin e saj (Ebu Selemen) i cili e dashuronte shumë dhe silleshte shumë mirë me gruan e tij (Umu Selemen) për të cilin Umu Selemeja, kur nderoi jetë ai, ajo tha: „Se s`ka burrë më të mirë se burrin që kisha, familja e tij është nga të parat që bëri hixhret (shpërnguljen nga Meka për në Medine), si ka mundësi Allahu të ma zëvendësoi me burrë më të mirë“, dhe kur u martua me Muhamedin alejhi selam që është burri më i mirë i të gjitha kohërave atëherë u bind se me të vërtetë, nëse durojmë në fatkeqësi dhe e themi këtë lutje vërtet Allahu i Madhëruar do të na e zëvendësoi atë sprovë me më të mirë se ajo që e kemi humbur. Pra le ta praktikojmë këtë këshillë Pejgamberike që të fitojmë në sprovë më shumë se ajo që e kemi humbur.

Lusim Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë i Tija të larta që të gjitha sprovat tona, të fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman kudo që janë t’ua kthejë në më të mira se ato që i kanë humbur. Amin

Hoxhë Azir Aziri

Qendra Kulturore Islame IKRE Thun

No comments yet...
Leave your comment
80418

Character Limit 400