Aktuale
Aktualitete, Lajme dhe aktivitete nga Ikre Thun
Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval
BismiLahirrahmanirrahim
Falenderimet, Lavdërimet, Adhurimet, Hamdi i qoftë vetëm Allahut xh.sh, ndërsa salavatet dhe selamet të përzemërta ia dërgojmë shëmbëlltyrës sonë Muhamed Mustafas a.s, familjes së tij, shokëve të tij dhe të gjithë atyre të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Allah na bëjë prej tyre. Amiin.
Vëllezër të dashur besimtar e ju motra të nderuara, Tema të cilën fillimisht do ta përkujtoja veten time pastaj InshaAllah do t’ju përkujtoi edhe juve ka të bëjë me temën: Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval.
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval llogaritet një mundësi e rëndësishme për shpërblime të mëdhaja pas përfundimit të agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit.
I Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) umetin (popullin e tij) e udhëzoi drejt agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval duke i nxitur ata me vlerën e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval duke thënë:
مَنْ صَامَ رَمَضَانَ ثُمَّ أَتْبَعَهُ سِتًّا مِنْ شَوَّالٍ كَانَ كَصِيَامِ الدَّهْرِ
“Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe atë e pason me gjashtë ditë nga Sheval-i, është njëlloj sikur ka agjëruar tërë vitin.” (Transmeton Muslimi)
Hadithi na bën të qartë se nëse agjërojmë gjashtë ditë në muajin Sheval, pra gjashtë ditë brenda këtij muaji shpërblimet i kemi si me agjëruar një vit të plotë, ne brenda vitit do të hamë dhe do të pimë ndërsa meleku i krahut të djathtë do të shënojë shpërblimet sikurse ne kemi agjëruar atë ditë.
Në një hadith tjetër duke treguar i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) se agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval e kanë vlerën e agjërimit të një viti të plotë, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:
صِيَامُ شَهْرِ رَمَضَانَ بِعَشَرَةِ أَشْهُرٍ، وَصِيَامُ سِتَّةِ أَيَّامٍ مِنْ شَوَّالٍ بِشَهْرَيْنِ؛ فَذَلِكَ صِيَامُ سَنَةٍ
“Agjërimi i muajit të Ramazanit është i barabartë me dhjetë muaj, dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Sheval-it është i barabartë me dy muaj; pra ky është agjërimi i një viti.” (Transmeton Nisau)
Vëllezër të dashur dhe motra të nderuara, agjërimi i këtyre gjashtë ditëve dhe agjërimi i ditëve të muajit Shaban janë si sunetet e para dhe pas namazeve farz (obligim i prerë) që i plotësojnë mangësitë e namazeve farz (obligim të prera) në ditën e gjykimit, ashtu edhe agjërimi i këtyre ditëve i plotëson mangësitë e agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit.
Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval është edhe argument i falenderimit të agjëruesit ndaj Allahut xh.sh, i Cili ia mundësoi agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, shtimi i të mirave, po ashtu është argument edhe i dashurisë së ibadeteve (adhurimeve) si dhe vazhdimi në rrugën e veprave të mira.
Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval është sunet (vepër e preferuar) për çdo musliman dhe muslimane edhe për të rriturit dhe për të vegjlit, ndërsa ata vëllezër dhe motra që kanë kompensim të agjërimit të muajit të bekuar të Ramazanit, nëse munden ti agjërojnë edhe kompensimet edhe gjashtë ditët e muajit Sheval është më mirë, përndryshe më mirë është ti agjërojnë gjashtë ditët e muajit Sheval, sepse në mundësi është vetëm një muaj ndërsa kompensimet e ditëve të muajit të bekuar të Ramazanit mundet të bëhen deri para muajit të bekuar të Ramazanit të vitit të ardhshëm.
Që ta kemi vlerën e agjërimi të një viti të plotë kushtëzohet agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit.
Lusim Allahu xh.sh me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tija të larta të na mundësoi neve, fëmijëve tonë dhe mbarë besimtarëve musliman ti agjërojmë gjashtë ditët e muajit Sheval dhe të na pranoj ato.
Hoxhë Azir Aziri
Qendra kulturore IKRE Thun